Utopia dhe Distopia: Prezantim me zhanrin

Që në fillimet e tij, përkufizimi i utopisë ndezi një numër të konsiderueshëm polemikash rreth filozofëve që i përfytyrojnë ato dhe njerëzve që u përpoqën t’i sillnin ato në jetë. Pavarësisht se sa e vështirë duhet të duket, koncepti i qytetërimit utopik që pretendon të jetë të përsosur për qytetarin e tij do të mbetet përgjithmonë i rëndësishëm në mjedisin tonë modern. Përkufizimi i utopisë mund të përmblidhet më lehtë në shprehjen “shoqëri e përsosur”. Për të mësuar më shumë rreth këtyre botëve imagjinare, të cilat shpesh përfaqësonin pika kryesore në veprat e jetës së disa filozofëve të mëdhenj dhe ishin baza në krijimin e disa lëvizjeve politike, duhet të nisemi nga pyetja: Përse synohet imagjinomi i një bote të përsosur?

Ka dy faza në zhanrin e utopisë. Fillimisht, faza e utopisë fetare, më pas, utopia humaniste. Utopia fetare, apo thënë ndryshe, se si do të ishte bota nëse të gjithë do të ishin besimtarë dhe do të zbatonin të gjitha rregullat e zbritura përmes fjalës së Zotit ka qenë literaturë frymëzuese për besimtarët. Në masën më të madhe, besimtarët janë të vetëdijshëm se në Tokë nuk do të ketë kurrë shoqëri ideale, mbretëri qiellore apo parajsë, por ama e shohin utopinë si një ideal që duhet ta mbajnë për referencë megjithëse nuk do ta mbërrijnë kurrë.

Këto utopi përshkruhen si vende që mund të fitohen nga përkushtimi absolut ndaj besimit, të mbushura me mungesën e mëkatit, dhimbjes, varfërisë dhe vdekjes. Ndër veprat më të famshme të kësaj faze duhen përmendur: 

Qyteti i Zotit” (413-426 pas Krishtit) nga Shën Augustini, i cili në këtë vepër përshkroi shoqërinë ideale utopike të Jeruzalemit “të përjetshëm”. Ai propozoi që besimtarët e krishterë nuk duhet të merren me politikën tokësore, por përkundrazi t’i përqendrojnë besimet e tyre në qytetin mistik, qiellor të “Jeruzalemit të Ri”.

Al-Madina al-Fadilaby” nga Al-Farabiu (874-950) i cili përshkroi një përpjekje tjetër për të krijuar një gjendje utopike fetare të përsosur. Ai përshkroi urdhrin/kartën që hyri në fuqi në qytet-shtetin e Medinës, nën sundimin e profetit Muhamed s.a.ë.s., i cili i merrte urdhrat e tij drejtpërdrejt nga Allahu.

apo

Christianopolis” (1619) nga Johann Valentin Andreae, i cili propozoi një utopi ideale të krishterë e cila qeverisej nga komuniteti demokratik i studiuesve dhe artizanëve. Në këtë vepër prifti gjerman Andreae imagjinon si mekanizëm parimin “të kontribuojmë sipas mundësisë dhe të përfitojmë sipas nvojës”. Parim që më pas do të përdorej në traktatet e frymëzuesve të socializmit e komunizmit.

Faza e dytë e utopizmit janë veprat letrare humaniste-moderniste. Autorët që e përfaqësojnë këtë fazë, nuk kishin më bësim tek autoriteti i kishës apo shkrimeve të shenjta, ata i kthyen shpinën fesë, për të gjetur një fe të re, humanizmi. Ndër tiparet kryesore të këtyre veprave është fakti se shoqëritë e imagjinuara aty bazohen shumë tek shkenca dhe racionaliteti i mendjes, përbuzin bestytënitë dhe përdorin empatinë romantike si element pseudo-shpirtëror. Shpesh këto vepra janë edhe gjelbëriste në natyrë duke kërkuar të promovojnë ruajtjen e natyrës nga industrializimi. 

Disa prej këtyre veprave frymëzuan idealistë me prirje diktatoriale, ideologë dhe propagandistë ekstremistë të cilët kërkonin sakrifikimin e gjithckaje dhe gjithëkujt për të arritur realizimin e njëmendtë të këtyre utopive. Ndër veprat themelore utopike të kësaj faze duhen përmendur:

Utopia” (1516) nga Thomas More, është vepra që solli emrin e “utopisë” në botën perëndimore. Në të, More propozoi tolerancën fetare, lirinë e martesës dhe jetën e thjeshtë komunale, arsimin falas, kujdesin shëndetësor dhe dënimet e ashpra për kriminelët (skllavëria, eutanazia, dëbimi dhe privimi i ushqimit).

Qyteti i Diellit” (1623) nga filozofi italian Tommaso Campanella që përshkroi utopinë në të cilën pronat, mallrat, gratë dhe fëmijët kishin të njëjtin status si burrat. Duke pasur në thelb idenë e barazisë si zgjidhje të të gjitha vuajtjeve. Në librin e tij, ai kërkoi të profetizonte se linja spanjolle e mbretërve ishte e destinuar të sillte këtë “plan hyjnor” në të gjithë botën.

Atlantida e Re” (1627) nga Francis Bacon përshkroi utopinë futuriste që rrotullohej rreth nocioneve të “bujarisë dhe iluminizmit, dinjitetit dhe shkëlqimit, devotshmërisë dhe shpirtit publik”. Ai propozoi krijimin e shkollave ideale të mësimdhënies të quajtura “Shtëpia e Salomonit”, e cila ishte bazë për krijimin e universiteteve moderne.

Lajme nga Askundi” (1892) nga William Morris, përshkruan vendin utopik të quajtur “Askund” ku nuk ka politikë, dhe shoqëria jeton nën pronësinë e përbashkët të mallrave dhe kontrollin e përsosur demokratik.

Forma e gjërave që do të vijnë më pas” (1933) nga H. G. Wells, përshkruan një krizë ekonomike dhe një luftë të madhe që e rrënon botën. Ku pilotët dhe teknikët që më parë shërbenin në forcat ajrore të vendeve të ndryshme mbajnë një rrjet fushash ajrore funksionale. Rreth kësaj bërthame, qytetërimi teknologjik është rindërtuar, me pilotët dhe teknikët e tjerë të aftë që përfundimisht kapin fuqinë mbarëbotërore dhe fshijnë mbetjet e shteteve të vjetra kombëtare. Është ngritur një diktaturë dashamirëse, e cila i hap rrugën paqes botërore duke shfuqizuar ndarjet kombëtare, duke zbatuar gjuhën angleze, duke promovuar mësimin shkencor dhe duke nxjerrë jashtë ligjit fenë.

Utopia përfaqëson shoqërinë e bërë qëllimisht me një sistem të përsosur socio-politiko-juridik që u siguron jetë të përsosur banorëve të saj. Që nga fillimi i tij nga veprat e filozofit grek Platonit, shumë filozofë dhe romancierë të shquar modernë propozuan vizionet e tyre për këtë koncept. Vizionet e formuara në veprat e filozofëve dhe novelistëve të ndryshëm utopikë filluan të marrin jetë gjatë viteve të hershme të shekullit të 19-të. Të formuara kryesisht në Amerikën e Veriut, këto vendbanime u përpoqën të krijonin mënyrën e tyre të përsosur të jetës duke përqafuar aspektin utopik të barazisë, tolerancës dhe ruajtjes së natyrës.

Megjithëse vizionet e shoqërive utopike synonin të siguronin jetën e përsosur për të gjithë, shumë filozofë dhe autorë parashikuan situatën në të cilën ato mjedise bëhen armiqësore, me qeveritë që degradojnë për shkak të korruptimit të brendshëm nga pushteti.

 E paraparë si një alternativë ndaj utopisë, distopia përfaqëson një vizion të një shoqërie imagjinare që është bërë e papërsosur dhe me të meta nga ndikimet e tiranisë, terrorizmit, varfërisë, mjerimit dhe teknologjive të përparuara. Distopia është “ferri në Tokë” thënë ndryshe. Veprat distopike kanë synuar të paralajmërojnë njërëzimin nga rrëshkitja drejt tiranisë, duke propaganduar edhe ide anti autoritare apo anti etatistë.

Distopia përfaqëson botën ose shoqërinë e krijuar artificialisht në të cilën popullsia njerëzore jeton nën sundimin e qeverisë shtypëse, ose i nënshtrohet llojeve të ndryshme të shtypjeve (klasa, mungesa e individualitetit, privatësia…etj.). Veprat e vendosura në mjedisin imagjinar distopik zakonisht përqendrohen në mbijetesën ose eksplorimin e botës që është ndërtuar mbi mbetjet e ndonjë lufte, fatkeqësie ose revolucioni të kaluar. 

Evolucioni i mendimeve distopike përfshin një periudhë që nisi rreth 200 vjet më parë. Autorët që trajtuan temën e distopive futuriste filluan t’i publikonin veprat e tyre në fillim të shekullit të 19-të. Më poshtë po sjellim disa shembuj te veprave distopike e deri te shembujt më të fundit distopikë në historinë moderne:

Vizitë në qytetin e Amalgamit, në vitin e Zotit tonë, 19–” (1835) është një roman distopik i shkruar nga autori amerikan Jerome B. Holgate. Duke përshkruar mënyrën distopike të jetës në qytetin imagjinar të Amalgamation, shkrimtari u përpoq të diskreditonte abolicionistët dhe mbështetësit e martesës ndërracore midis etnive ose racave të ndryshme (në rastin e tij ishin amerikanët kaukazianë dhe skllevër afrikano-amerikanë).

Republika e së ardhmes” (1887) është një novelë me 88 faqe nga shkrimtarja amerikane Anna Bowman Dodd. E shkruar si përgjigje ndaj shumë romaneve të tjera me temë distopike të kohës së saj, ajo përshkroi një shoqëri utopike të “Qytetit socialist të Nju Jorkut”. Edhe pse në fillim, stili i jetesës në të dukej më i mirë se në pjesën tjetër të botës kapitaliste, ajo shpejt zbuloi se qytetarët e saj jetojnë një jetë plotësisht të kontrolluar nga qeveria.

Makina e kohës” (1895) është novelë  fantastiko-shkencore e H. G. Ëells, e cila ndjek jetën e një udhëtari në kohë, i cili shkon në vitin 802 701 pas Krishtit. Atje ai dëshmon shoqërinë utopike të Eloi, një racë e pasardhësve njerëzorë që jetojnë jetën e tyre në paqësore në natyrë të hapur. Megjithatë, ai shpejt zbuloi se Eloi (ish-aristokratë) shërbenin vetëm për të qenë ushqim për monstrat e shpërfytyruar që banonin në shpellë Morlocks (ish-klasa punëtore). Ky libër ishte një nga të parët në nënzhanrin fantashkencë distopike.

Thembra e hekurt” (1908) është një roman distopik i shkruar nga shkrimtari amerikan Jack London. Në roman përshkruhet historia e ngritjes se tiranisë oligarkike në historinë alternative të Shteteve të Bashkuara.

Ne” (1921) i autorit rus Yevgeny Zamyatin, është ndoshta romani më i rëndësishëm distopik që frymëzoi shumë autorë të tjerë pasardhës dhe vepra si “Më e mira e Botëve” apo “1984”. I shkruar si përgjigje ndaj përvojës së vetë autorit në revolucionet ruse të 1805 dhe 1917,  ky roman tregon historinë e shoqërisë futuriste të burgjeve të quajtur “Një-shteti”. Atje e gjithë popullsia e këtij “qyteti urban prej xhami” monitorohet vazhdimisht nga qeveria totalitare. Për të dhënë një shije të romanit mjafton të përmendim emrat e dy personazheve kryesorë, si I-330 dhe D-503.

Më e mira e botëve” (1932) është një roman shumë i njohur distopik fantashkencë nga Aldous Huxley. Ai përshkruan jetën në qytetin futurist të Londrës, ku riprodhimi i përparuar i njeriut dhe teknikat e reja të të mësuarit në gjumë kanë arritur të krijojnë shoqëri distopike ku njerëzit që në ngjizjen laboratorike kategorizohen në role sociale funksionale.

Himn” (1938) nga Ayn Rand është një roman distopik që tregon historinë e një bote futuriste në të cilën raca njerëzore ka hyrë në një epokë tjetër të errët. Aty eliminohen aspektet e kolektivizmit, të mendimit socialist dhe të ekonomisë dhe popullsia e mbijetuar jeton në mjedisin ku koncepti i individualitetit është i ndaluar (përdorimi i fjalës “unë” dënohet me vdekje).

Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër” (1949) i George Orëell është ndoshta romani më i famshëm distopik në botë. Ai tregon historinë e një shoqërie futuriste e cila është në gjendje lufte të përhershme. Të sunduar nga diktatura oligarkike, qytetarët e asaj bote mbahen nën mbikëqyrje dhe kontroll të mendjes. Protagonisti kryesor është anëtari i partisë në pushtet, i cili dalëngadalë e kupton se duhet të rebelohet kundër “Vëllait të Madh”.

Fahrenheit 451” (1953) është një nga romanet më të njohur të shkrimtarit amerikan Ray Bradbury. Vendosur në një shoqëri distopike që kontrollon fort rrjedhën e informacionit midis qytetarëve të saj. Protagonisti kryesor është një zjarr(vënës)fikës (ose i quajtur shpesh “libërdjegës”) që ka për detyrë të shkatërrojë të gjithë librat, të cilët konsiderohen të ndaluar me ligj nga qeveria në pushtet.

Zoti i mizave” (1954) është romani më i shitur i autorit fitues të çmimit Nobel, Ëilliam Golding. Ai përshkruan ngjarjet shqetësuese që ndodhën kur një grup djemsh të braktisur fillojnë të luftojnë për mbijetesë në një ishull të largët. Aspektet e hulumtuara me mjeshtëri të natyrës njerëzore, të mirës së përbashkët dhe të luftës individuale i dhanë këtij libri shumë vëmendje nga lexuesit në mbarë botën.

Portokalli Mekanik” (1962) është një novelë distopike e shkruar nga autori anglez Anthony Burgess. I zgjedhur shpesh si një nga romanet më të mirë të shekullit të 20-të, romani tregon historinë e së ardhmes së errët të makthit, mbushur me banda të dhunshme. Ai trajton në mënyrë të shkëlqyer aspektet e së mirës dhe të keqes, patologjinë sociale, kuptimin e lirisë njerëzore dhe reformën sociale.

Rrëfenja e shërbyeses” (1985) është një roman distopik nga Margaret Atëood i vlerësuar me shumë çmime. Ai tregon historinë e një shteti futurist totalitar monoteokratik të ndërtuar mbi hirin e ish-Shteteve të Bashkuara, ku gratë trajtohen vetëm në funksion të pjellorisë, në një kohë ku kriza e fertilitetit kërkonte zgjidhje imediate.

 

Nese përdorim optikat e vizionit mbi botën, në tri nivele, përkatësisht, fetar, modernist dhe postmodernist, utopia dhe distopia shihen tërësisht ndryshe prej secilit vizion. Sa i takon vizionit fetar, UTOPIA ka vetëm një mundësi të ndodhë, të profetizuar të paktën prej monoteizmit. Kjo mundësi është realizimi i shoqërisë ideale në Ardhjen e Dytë të Jezusit (Hz. Isa) në Tokë. Ndërsa DISTOPIA, është një gjendje permanente, ku lufta dhe paqja ndërkëmbehen përgjatë historisë për aq kohë sa e mira lufton të keqen tek njeriu mëkatar. Sa i takon modernizmit, UTOPIA është misioni i vetëm i njeriut në Tokë, dhe cilatdo qofshin kostot, duhet punuar për ta mbërritur. Teksa DISTOPIA është thjesht një aksident, ose gjendje e përkohshme sakrifice që shpie drejt utopisë. Ndërkohë që në postmodernizëm, utopia dhe distopia nuk kanë vlerë për aq kohë sa askush nuk zotëron të Vërtetën, dhe për aq kohë sa nuk ka projekte shoqërore por vetëm improvizime individuale.

Leave a Comment

Your email address will not be published.