indexPo e nis këtë shkrim me urgjen-cën e një shqetësimi të dorës së parë. Në botën e sotme, ku edukimin e brezave e ka marrë në dorë Hollywood-i dhe Rihana, të rinjtë (por jo vetëm) kanë krijuar bindjen se të jesh unik është një heroizëm i madh dhe se askush nuk duhet të gjykohet nga të tjerë. Në këtë frymë, secili përpiqet që ta thellojë sa më shumë ndjesinë e të qenurit unik, dhe është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta vërtetuar unicitetin dhe origjinalitetin e tij. Për shekuj me rradhë, shoqëria njerëzore ka jetur me sensin e fuqishëm dhe të domosdoshëm të komunitetit dhe çdo komunitet, çdo kohë ka mishëruar disa rregulla të caktuara bashkëjetese, si dhe një moral të brendshëm të padukshëm.E gjithë kjo traditë e jashtëzakonshme, duket sikur sot nuk ka më asnjë fuqi. Sot të rinjtë nuk e pranojnë më konceptin e komunitetit dhe të rregullave të përbashkëta, sot, secili ka dëshirë që të jetë antikonformist, dhe të performojë në mënyrën që i sjell më tepër vëmendje mbi vete. Për rininë e sotme komuniteti dhe morali shoqëror është një pengesë, një mekanizëm i cili nuk i lejon të shijojë lirinë. Informacionet që transmetohen në media rreth ShowBiz-it, i nxisin të gjithë që të besojnë se modeli më i mirë për tu ndjekur janë pikërisht aktorët dhe këngëtarët e famshëm. Kjo mendësi e udhëzon individin që në çdo kohë të jetë vetvetja dhe të mos ndryshojë kurrë. E udhëzon që të mos pranojë asnjë kritikë dhe të veprojë gjithnjë sipas ndjesive dhe impulsive të veta emocionale. Moto të tilla si : “Shijo Momentin”, “Kape çastin”, “E shohim Botën si Ti”, apo “ Mendo Pozitiv”, janë duke e njollosur karakterin e brezave të rinj me një koncept shumë të rrezikshëm. Ky koncept i shtyn të rinjtë që të mendojnë gjithnjë e më tepër për të qenë sa më të lirë pavarësisht se kështu do të jenë më të papërgjegjshëm. Ky koncept i shtyn të rinjtë të mendojnë se jeta është e shkurtër dhe duhet shijuar në maksimum. Ky koncept i shtyn ata që të besojnë se mënyra më e mirë e të jetuarit është kur ti nuk pranon asnjë kritikë por vepron ashtu sikurse dëshiron dhe nuk lejon asnjë që të diktojë se si të jetosh.Shpesh prindërit e kanë të vështirë të komunikojnë me fëmijët e tyre pikërisht për shkak të këtij koncepti për të cilin po flasim. Kur një prind i përgjegjshëm dëshiron të kujdeset për problemet e fëmijëve të tij dhe interesohet për të, përgjigja më e zakonshme që do të marrë prej fëmijës së tij është: “Kush je ti që të ndërhysh në jetën time” E pra, kjo evidencë na tregon qartë se sa shkatërrim po i sjell kjo frymë familjes, dhe sidomos marrëdhënies së shenjtë prind-fëmijë. Nëse shoqëria në përgjithësi e kritikon brezin e sotëm, përgjigjia që merr shoqëria është e tillë: “Secili duhet lejuar që të jetojë ashtu siç i pëlqen”. Dhe kjo është pikërisht logjika e cila i kërkon shoqërisë që t’i tolerojë konsumimin e drogave dhe alkolit, kjo është logjika që i kërkon shoqërisë ta tolerojë edhe imoralitetin, dhe po e njëjta logjikë shumë shpejt mund t’i kërkojë shoqërisë që të tolerojë edhe shthurjen, edhe homoseksualizmin, edhe pedofilinë, vjedhjen edhe të gjitha krimet. Kjo logjikë që e cilëson lirinë absolute si imperativ të pacënueshëm, është padyshim logjika e shkatërrimit të çfarëdo shoqërie. Nga goja e brezave të rinj sot dëgjohet shpesh përgjigjia e indinjuar “Mos më gjyko!” ndaj çdo kritike. “Mos më gjyko!” është arma e fundit që ky pseudoemancipim po përdor për tu mbrojtur. Gjykimi, është një fenomen shoqëror i cili e ka shoqëruar njerëzimin në çdo kohë. Që në fillimet e historisë ka patur gjykim për çdo veprim publik, dhe këtë gjykim njerëzimi e ka përdorur për të përmirësuar veten. Sot, ne kemi ende dy mënyra gjykimi ndaj veprimit, mënyra e parë është gjykimi shoqëror, kur komuniteti jep verdiktin moral për një çështje, dhe mënyra e dytë është gjykimi institucional, kur gjykata, si institucion shtetëror jep verdiktin e saj ligjor mbi çdo krim apo kundravajtje. Kjo do të thotë se me anë të gjykimit, si atij moral ashtu edhe atij ligjor, shoqëria e ndihmon vetveten që të mos përsërisë të njëjtat gabime, por të përmirësohet. Edhe në nivel individual, secili prej nesh duhet të pranojë që për çdo veprim të vetin të mund të pranojë të gjitha kritikat pozitive dhe negative të komunitetit dhe shoqërisë.Në rastin kur kritikat janë të mira, individi merr kënaqësinë e përgëzimit. Në rastin kur kritikat janë negative, individi ka mundësinë që të reflektojë dhe kësisoj të përmirësojë vetveten. Eh! Kjo është situate ideale. Po t’i kthehemi realitetit, do të kthehemi sërish aty ku e nisëm. Sot askush nuk dëshiron të gjykohet, askush nuk dëshiron të dëgjojë kritika. Kështu,fjala “Mos më gjyko” është bërë e modës. Për një moment do të shohim edhe gabimin që mund të bëjë shoqëria kur gjykon, dhe ky rast mund të ndodhë vetëm atëhere kur ne paragjykojmë. Paragjykimi, për definicion do të thotë që ta gjykosh një ngjarje pa i ditur rrethanat e plota të rastit. Të paragjykosh pra, do të thotë të gabosh dhe besoj se të gjithë biem dakord po të themi se paragjykimi duhet shmangur në çdo rast. E megjithatë, nuk duhet që dikush të përfitojë nga kjo dhe t’i refuzojë të gjitha gjykimet morale që i vijnë. Pasgjykimi, ndodh atëherë kur prindi e njeh të gjithë ngjarjen ashtu siç një gjykatës vihet në dijeni për të gjitha evidencat. Kjo do të thotë se prindi, (apo edhe e gjithë shoqëria) ka të drejtë që të japë një verdikt objektiv nëse e ka ezauruar ngjarjen apo veprimin nga të gjitha këndvështrimet. Nëse secili prej nesh nuk do ta gjykonte shokun, kolegun, familjarin apo të af-ërmin, atëherë do të jetonim në një botë ku gjithkush do të bënte ç’të donte dhe askush nuk do të ndjente turp për këtë. Pra një shoqëri ku rregullat e bashkëjetesës dhe të moralit do të kishin marrë fund. Kjo është rruga drejt të cilës jemi nisur. Fatkeqësisht në këtë lloj degjener-imi mund të mbërrijmë nëse nuk e kuptojmë domethënien e vërtetë të gjykimit moral. Për t’u kthyer mbrapsht prej kësaj rruge duhet të riforcojmë shtyllat morale të shoqërisë dhe rregullat e bashkëjetesës dhe respektit reciprok. Përpara se në Amerikë të shpërthente revolucioni sek-sual, e gjithë historia e njerëzimit është mbajtur më fort prej moralit të përbashkët se sa prej institucioneve. Sot të dyja këto shtylla po dobësohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *