Prej kreut të këtij shkrimi të shkurtër duhet të themi se kemi zgjedhur të mos përdorim një strukturë klasike të parashtrimit të konceptit e më pas të tezës e më pas të problemës e më pas të argumenteve e përfundimeve. Duke besuar se demokracia është një koncept e fenomen i mbidiskutuar në raport me këtë strukturë, dhe i mirënjohur. Për rrjedhojë, do të synojmë që ta godasim gozhdën në kokë duke shkuar tek shqetësimi konkret dhe reflektimi i posaçëm. E në rrugëtim e sipër, si efekt anësor do të nuhatet edhe një përkufizim perimetror i demokracisë sot. Në rreshtat që vijojnë do të synohet të përshkruhet se cilat janë sot çështjet kryesore që diskutohen mbi demokracinë nga studiuesit më të rëndësishëm të fushës, dhe më pas të analizohet nëse demokracia dobësohet, kur ka mungesë në legalitet, legjitimitet dhe moralitet. Le të kuptojmë nëse studiuesit evidentojnë kriza të demokracisë në thelb apo formë, si dhe të përhershme apo të përkohshme. Do të nisim duke marrë në shqyrtim se cilat janë krizat që shkaktohen kur cenohen parakushtet e demokracisë.

Liria e ideve dhe shprehjes së tyre

Shumëkush mund të thotë me të drejtë se sot, në pjesën demokratike të vendeve të botës, liria e shprehjes jo vetëm që ekziston, por madje ka shkuar në ekstremin absolut ku gjithkush mund të thotë gjithçka me shumë pak ose aspak pasoja. Mirëpo këtu mund të shihet aspekti i parë i krizës së demokracisë sot. Idetë janë zhvlerësuar për shkak të mbingarkesës me ide, ku ato vulgare e mbysin çdo iniciativë tjetër. Sidomos përmes rrjeteve sociale. Megjithëse është e qartë, aty ku nuk ka ide me vlerë, nuk kanë as vlerë fjalët.

Është e vështirë, të edukohet me parimin e idesë politike një popull, i cili nuk ka përjetuar asnjë moment historik, prej nga ku lindin edhe ideologjitë politike. Një vend që nuk i ka ndjerë efektet e hierarkisë sociale që prodhon aristokracia, efektet e empiricizmit dhe racionalizmit anglez, që nuk i ka ndjerë efektet e Revolucionit Francez (famëkeq) dhe reaksionarëve, të Revolucionit Industrial dhe kritikëve të tij, të kapitalizmit të pastër apo radikalizmit gjelbërist, nuk mund të jetojë me idetë që lidhen me këto ngjarje. Shqipëria ka përjetuar me siguri produktin më të errët të ideve të njeriut, komunizmin, por duket sikur me këmbët e tyre kanë tri dekada që ecin drejt përmbushjes së fjalëve thuajse profetike të presidentit Ronald Reagan i cili thoshte se “… mos e merrni lirinë për të mirëqenë, ajo rrezikohet të humbet dhe shuhet dhe kjo mund të ndodhë edhe pas dy brezash”.

Prandaj në mungesë të njohurive dhe kultivimit ideologjik, qytetari sot as që e konsideron të mbështesë një projekt politik, por në vend të tij, vepron me tifozeri sportive të aplikuar në spektaklin elektoral. Fatkeqësisht, për shkak të niveleve të larta të analfabetizmit funksional, jo vetëm në Shqipëri, shumica e votuesve nuk e kuptojnë as vetë, plotësisht, se çfarë duan ose si ta arrijnë atë. Për më tepër, votues të ndryshëm kanë preferenca kontradiktore dhe kërkesa kontradiktore. Si rezultat, politikani që (supozojmë) përpiqet të dëgjojë vullnetin e popullit nuk do të dëgjojë një tërësi kërkesash të artikuluara qartë. Në vend të kësaj, ai politikan do të dëgjojë një kakofoni zërash që të gjithë i thonë të shkojë në drejtime të ndryshme.

Një zgjidhje për këtë do të ishte debati elektoral, duke besuar se kemi vërtetë zgjedhje në kuptimin e parë të fjalës, ashtu siç aplikohet ky debat i lirë në Angli, Francë, Danimarkë, Itali apo Amerikë. E ndërkohë që zgjedhjet ekzistojnë dhe është mjeti më legjitim për të ndryshuar qeveritë, debati publik elektoral është një spektakël mediatik i kontrolluar, i menaxhuar nga ekipe rivale profesionistësh, ekspertë në teknikat e bindjes, dhe duke marrë parasysh një gamë të vogël çështjesh të përzgjedhura nga ato grupe. Masa e qytetarëve luan një rol pasiv, të mpirë, madje apatik, duke iu përgjigjur vetëm sinjaleve që u jepen. Pas këtij spektakli të lojës elektorale, politika në të vërtetë formësohet në mënyrë private nga ndërveprimi midis qeverive të zgjedhura dhe elitave që përfaqësojnë në mënyrë dërrmuese interesat e biznesit.

Ky përfundim, është një ekzagjerim, por mjaft elementë të tij janë të dallueshëm në politikën e sotme për ta bërë të vlefshëm duke ngritur pyetjen se ku qëndron demokracia në një peshore që kalon midis këtij modeli që dëshmojmë sot dhe nivelit maksimal demokratik. Sikurse thotë edhe Colin Crouch duket se po shkojmë gjithnjë e më shumë drejt polit post-demokratik.

Liria e zgjedhjes dhe votës

Duke qenë se demokracia është sundimi përmes pranimit që i japin të qeverisurit, qeverisë, në këtë sistem duhet të mbahen zgjedhje. Mirëpo, historia tregon se rrallë ka vende ku zgjedhjet janë transparente dhe të gjithëpranuara. Vendet perëndimore janë një shembull i mirë për këtë. Sociologu francez Alain Touraine na thotë se nuk mund të ekzistojnë zgjedhje të lira dhe liri e zgjedhjes kur kjo garantohet vetëm prej procedurës ai thotë: “… Liria politike është një parakusht i demokracisë, por nuk është një kusht i mjaftueshëm nëse pjesëmarrja politike është e dobët, kur fushatat elektorale dominohen nga paratë, apo kur fushatat kthehen në biznes, kur pabarazitë sociale janë kaq të mëdha sa për një pjesë shkaktojnë vetëdije të ulët qytetariepra koncepti i lirisë së zgjedhjes nuk është vetëm mungesa e pengesave për garë midis kandidatëvepor implikon mundësinë që secili anëtar i shoqërisë të veprojë si qytetar.

Prej këtu kuptojmë, se, në mënyrë që individi të zgjedhë i lirë, nevojitet pjesëmarrja e tij me ide në sferën publike dhe proceset zgjedhore, e për t’u realizuar kjo nevojitet vetëdijësimi i tij, i cili varet nga aksesi në edukim, në ekonomi dhe në hierarkinë sociale. Thënë thjesht jemi në një rreth vicioz, ku pa mirëqeverisje nuk mund të ketë demokraci për të zgjedhur mirëqeverisjen. Një prej krizave më të dukshme në të gjitha ato që përcaktohen si “Shtete të Dobëta” nga Fukuyama, Acemoglu, e të tjerë.

Është një fakt i njohur se kur marrin pjesë gjithnjë e më pak njerëz në zgjedhje e votime, u japim leje atyre që votojnë në emrin tonë, edhe pse ata nuk e dinë. Ne gjithashtu lejojmë axhendat ekstreme të atyre që janë investuar fuqishëm në arritjen e disa rezultateve, për dëmin tonë por shpesh në dëm edhe të atyre që mendojnë se nuk kanë gjë në dorë me një votë të vetme. Rezultatet e këtyre shtrembërimeve janë shumë të dukshme. Të zgjedhurit sundojnë mbi ne pa shumë kufizime apo edhe konsideratë për të mirën e përbashkët. Ata pretendojnë se do të japin llogari sërish vetëm pas katër vitesh në një ditë të vetme votimesh. Ata bëjnë gjithçka që duhet për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Shumica e ndjek spektaklin e politikës, ndonjëherë me mosbesim, ndonjëherë me neveri. Pikëpamja se ne thjesht duhet të shohim punët tona në jetën tonë private dhe t’ua lëmë “politikën” politikanëve (të zgjedhur ose të përzgjedhur) është është një rrugë e sigurtë drejt humbjes së demokracisë dhe gjithë privilegjeve qe ajo i jep qytetarit. Një popull nuk mund të ketë demokraci, e cila përkthehet si “vetëqeverisje” dhe të mos marrë pjesë në të. Sikurse thoshte dhe Thomas Jefferson, vetëqeverisja nuk mund të delegohet.

Nuk ështe vetëm vota, megjithatë, kontributi i qytetarit në demokraci, por duket se në vende si Shqipëria, vetëm kaq ka mbijetuar në tri dekada ndërtim-demokracie. Duket sikur të gjitha mjetet e tjera, si grupimet, lëvizjet, shoqatat, mediat, shoqëria civile, apo organizime të tjera meta-politike, nuk kanë vlerë reale ndryshim-sjellëse, sepse asnjë prej këtyre entiteteve nuk duket se përpiqet për një mision më të madh se vetja.

Ngjason shumë në fakt kjo situatë e pavlefshmërisë së entiteteve të tilla që do duheshin të kishin shkurtuar apo forcuar, zbutur apo ashpërsuar, në varësi të nevojës, marrëdhënien mes individit dhe shtetit, me atë që studiuesi i shkencave politike Edëard Banfield tregon për mjedisin civik në këtë rajon të botës. “Ajo që bie në sy – thotë ai, në lidhje me rrëfimet sociologjike të jetës tradicionale në Italinë e Jugut dhe në Greqi është se sa të ngjashme janë ato për sa i përket mungesës së besimit social dhe rëndësisë së familjes si bazë kryesore për bashkëpunimin social. Ekziston një traditë e gjatë e duke shkruar për Italinë e Jugut që vë në dukje mungesën e strukturave qytetare – grupeve dhe shoqatave joformale – ndërmjet familjes dhe shtetit”. Pra duket se një vend i vogël, dhe pa durimin për rezultate afatgjata, shqyrton vetëm dy mundësi përballë shtetit, ose dorëzimin/delegimin e fuqisë demokratike, ose përdorimin e lidhjeve familjare për të anashkaluar demokracinë dhe burokracinë e saj të domosdoshme, për hir të një rezultati imediat favorizues. Këtu del në pah aspekti i dytë i krizës së demokracisë sot.

Legjitimiteti

Për të kutptuar se sa i vlefshëm është legjitimiteti, duhet të kujtojmë se çfarë ka ndodhur në të gjitha ato momente historike, kur një prijës, mbret, udhëheqës apo kryetar shteti nuk e ka pasur mbështetjen popullore. Sigurisht, përfundimi ka qenë gjithmonë ose me tërheqje nga ana e liderit ose me përmbysje të krejt regjimit. Legjitimiteti është validimi nga masat, ose së paku shumica, për liderin, apo veprimet e liderit. Mirëpo ky validim, i cili sjell legjitimitet, nuk mund të jetë jetëgjatë pa pasur edhe dy bashkëshoqërues, legalitetin dhe të drejtën. Legalitetin, sepse rasti më i mirë është kur përveç validimit përmes mbështetjes, edhe ardhja në pushtet ka ndodhur përmes një procesi të ligjshëm. Të drejtën, sepse një udhëheqës legal dhe legjitim, nuk i ka ditët e gjata nëse shkakton padrejtësi.

Filozofi francez i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, na e zbërthen çështjen e legjitimitetit duke thënë se ekzistojnë disa dimensione të legjitimitetit, duke përfshirë legjitimitetin procedural, legjitimitetin thelbësor dhe legjitimitetin moral. Legjitimiteti procedural përfshin ndjekjen e rregullave dhe procedurave të pranuara për marrjen e vendimeve, të tilla si mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ose konsultimi me palët e interesuara përpara marrjes së vendimeve. Legjitimiteti substancial përfshin prodhimin e rezultateve të politikave që përgjithësisht shihen si të dëshirueshme dhe të dobishme për shoqërinë. Legjitimiteti moral përfshin respektimin e standardeve etike dhe morale në qeverisje, siç është respektimi i të drejtave të njeriut.

Përveç kësaj, Bodin argumenton se niveli i legjitimitetit mund të ndryshojë në varësi të kontekstit. Për shembull, një qeveri mund të ketë legjitimitet të lartë gjatë një krize ose situatë emergjente ku nevojiten vendime të shpejta për të mbrojtur qytetarët, por mund të ketë legjitimitet më të ulët gjatë kohës së paqes dhe stabilitetit kur pritet më shumë diskutim dhe konsultim.

Në kongruencë me këtë përcaktim katër shëkuj më vonë, duke vëzhguar demokracinë, studiuesi britanik i shkencave politike David Beetham, i cili u nda nga jeta vetëm vitin e kaluar, hulumtoi dhe dëshmoi mjaftueshëm për të ngritur tezën e legjitimitetit përmes validimit duke e ndarë në dy dimensione. Përkatësisht, në legjitimitetin e inputeve dhe legjitimitetin e outputeve. Ose legjitimitet që buron nga procedura, dhe legjitimitet që buron nga produkti.

Legjitimiteti i inputit i referohet masës në të cilën proceset dhe procedurat e një sistemi politik shihen si gjithëpërfshirëse, pjesëmarrëse dhe të drejta. Ky legjitimitet thekson rëndësinë e parimeve demokratike si zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të drejtat politike, liritë civile dhe pjesëmarrjen publike. Pra ka të bëjë me mënyrën se si merren vendimet dhe nivelin e përfshirjes së qytetarëve në procesin politik. Një qeveri që zgjidhet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për shembull, ka legjitimitet për shkak se njerëzit kanë marrë pjesë në zgjedhjen e liderëve të tyre. Në mënyrë të ngjashme, një qeveri që konsultohet me publikun dhe palët e interesuara përpara se të marrë vendime ka gjithashtu legjitimitet të dhënash, sepse ajo merr parasysh pikëpamjet dhe interesat e atyre që preken nga vendimet e saj.

Legjitimiteti i produktit (output) nga ana tjetër, i referohet rezultateve aktuale që prodhon qeveria. Një qeveri që ofron rritje ekonomike, ofron shërbime publike, ruan ligjin dhe rendin dhe mbron qytetarët nga kërcënimet e jashtme, ka legjitimitet të prodhimit, sepse shihet si efektive në përmbushjen e nevojave të njerëzve. Pra bazohet në performancën dhe rezultatet e një lideri apo sistemi politik. Ky legjitimitet rrjedh nga aftësia e një institucioni apo regjimi qeverisës për të dhënë rezultate të dëshirueshme dhe për të përmbushur nevojat dhe pritshmëritë e shoqërisë. Kjo formë legjitimiteti shpesh lidhet me qeverisjen efektive, prosperitetin ekonomik, mirëqenien sociale dhe përmbushjen e qëllimeve të politikave publike.

Mirëpo na thotë Beetham, ekziston edhe Legjitimiteti moral i cili pa dyshim kërkon një kombinim të dy formave të parasqaruara. Legjitimiteti moral bazohet në besimin se veprimet e një qeverie janë të ndershme dhe të drejta. Është forma më e vështirë e legjitimitetit për t’u arritur, sepse kërkon që qeveritë të veprojnë në përputhje me parimet etike dhe vlerat që i bashkëndan gjerësisht e gjithë shoqëria. Shquajmë kështu aspektin e tretë të krizës së demokracisë, legjitimiteti i paplotë ose i kontestuar i secilit prej tri dimensioneve.

Beetham argumenton se legjitimiteti është i nevojshëm për çdo qeveri për të ruajtur autoritetin dhe se ai është një komponent thelbësor i demokracisë. Ai beson gjithashtu se mungesa e legjitimitetit mund të çojë në paqëndrueshmëri politike dhe madje edhe dhunë, pasi njerëzit mund të revoltohen kundër një qeverie që ata e shohin si të paligjshme.

Një qeveri mund të ketë legjitimitet të lartë për shkak se është zgjedhur në mënyrë demokratike, por nëse nuk arrin të përmbushë premtimet e saj ose të përmbushë nevojat e qytetarëve të saj, ajo do të humbasë legjitimitetin e produktit dhe do të shihet edhe si e paligjshme. Anasjelltas, një qeveri mund të jetë efektive në prodhimin e rezultateve, por nëse i mungon legjitimiteti i proceseve, ajo mund të shihet po ashtu si e paligjshme, sepse njerëzit nuk kanë pasur të drejtën e votës dhe fjalës kur janë marrë vendimet.

Korrupsioni

Në veprën “Partitë politike” të publikuar në vitin 1911, Robert Michels, një prej teoricienëve më të rendësishëm të politikës moderne, i jep një rendësi të veçantë rolit të liderit në demokraci. Lideri, na thotë Michels, duhet të ketë patjetër disa tipare për të udhëhequr, këtë na e tregon në çdo kohë edhe historia edhe aktualiteti. Këto tipare sipas Michels janë:

  1. Karizma: Sipas tij, liderët karizmatikë kanë një aftësi të natyrshme për të frymëzuar dhe motivuar ndjekësit e tyre kryesisht përmes oratorisë. Ata posedojnë një hijeshi të caktuar dhe magnetizëm personal që tërheq të tjerët drejt tyre.
  2. Vendosmëria: Udhëheqësit duhet të jenë në gjendje të marrin vendime shpejt dhe me besim. Ata duhet të dinë se çfarë duan dhe të kenë aftësinë për të vepruar sipas saj pa hezitim.
  3. Inteligjenca: Michels argumenton se liderët duhet të kenë një kuptim të mirë të çështjeve politike dhe sociale, si dhe aftësinë për të menduar në mënyrë kritike dhe krijuese.
  4. Vullneti: Liderët duhet të kenë një ndjenjë të fortë vendosmërie dhe aftësi për të këmbëngulur përballë pengesave dhe kundërshtimeve.
  5. Fleksibiliteti: Liderët duhet të jenë në gjendje të përshtaten me rrethanat në ndryshim dhe të jenë të gatshëm të përshtatin strategjitë e tyre kur është e nevojshme.

Në vijim të këtij parashtrimi, është e rëndësishme të theksohet, se Michels besonte gjithashtu se liderët në partitë politike por edhe në qeverisje shpesh tërhiqeshin në mënyrë të pashmangshme në të njëjtat praktika korruptive dhe tendenca oligarkike si anëtarët e tjerë të partisë, dhe se pushteti në fund të fundit korruptonte edhe liderët me qëllimet më të mira. Aspekti i katërt i krizës së demokracisë është pikërisht korrupsioni.

Në mënyrë cinike, sociologu Bueno de Mosquita thotë “… Si duhet të sillen sunduesit gati-absolut? Thjesht: Ji i korruptuar!…Çelësi për një koalicion besnik janë me të vërtetë paratë. Nëse një udhëheqës dëshiron të shtypë, denigrojë, ofendojë, madje edhe të vrasë armiqtë e tij, ai ka nevojë për njerëz që do të bëjnë punën e pistë për të. Një brutalitet i tillë mund të jetë i kushtueshëm. Kjo është arsyeja pse sundimtarët e suksesshëm paguajnë më shumë se kushdo tjetër për qëllime të tilla dhe…” duke e vendosur korrupsionin si kërcënuesin themelor i cili mund të çojë një vend nga demokracia në sundimin autokratik të një personi dhe shpurës së tij.

Teoricienia Hannah Arendt, është fokusuar tek rreziqet e korrupsionit për stabilitetin dhe funksionimin e shoqërive demokratike. Ajo shqyrton se si korrupsioni i zyrtarëve publikë e saboton besimin e publikut dhe gërryen legjitimitetin e institucioneve politike. Arendt argumenton se korrupsioni jo vetëm që çon në prishjen e vlerave morale dhe politike, por gjithashtu kërcënon vetë themelet e një sistemi të shëndetshëm demokratik.

Përfundime

Është me rëndësi të thuhet, se në të katër aspektet e shqyrtuara në këtë artikull, del në pah e njëjta përgjigje. Kriza e demokracisë është një krizë morale. Cënimi i fjalës së lirë, nuk është më një problem legal në epokën kur jetojmë, ai është një problem real. Cenimi i votës së lirë dhe pjesëmarrjes qytetare në demokraci, është pasojë direkte e dobësimit e ndoshta dorëzimit moral të qytetarit përballë pushtetit. Legjitimiteti rezulton të jetë një problem tërësisht moral, e po ashtu ( e panevojshme për t’u thënë) edhe korrupsioni.

Për të eksploruar zgjidhje të veçanta për të gjitha këto aspekte të demokracisë e për të konsideruar rrugët e implementimit të këtyre zgjidhjeve, me siguri që do të duhej më shumë se sa një artikull apo një revistë. Misioni i këtyre rreshtave është të nxisë minimalisht reflektim për vlerën dhe strukturën e demokracisë sot. Rolit të secilit prej nësh në përmirësimin apo dobësimin e saj, si dhe reflektim mbi potencialin për të ardhmen.

Demokracia nuk është një sistem i përkufizuar në literaturë. Është një proces i cili garanton për secilin prej nesh ushtrimin e lirive me të cilat jemi krijuar prej Zotit. Është një proces që duhet mbajtur gjallë kur kërkojnë ta mbysin. Një proces që duhet detoksikuar prej korruptimit të çdo forme e në cddo nivel, e për ta bërë këtë, duhet ushqyer me vlera të gjithëpranuara prej ndërgjegjes njerëzore, vlerat morale që i trashëgojmë prej qytetërimeve të mëhershme dhe që na shërbejnë si i vetmi fener për të parë të ardhmen.

 

 

 

Lista e referencave:

Alain Touraine – What does democracy mean today?

Daron Acemoglu, James A. Robinson – Why nations fail_ the origins of power, prosperity, and poverty-Profile Books (2012) Kapitulli 12.

Francis Fukuyama – POLITICAL ORDER AND POLITICAL DECAY – From the Industrial Revolution to the Globalization of Democracy fq. 101.

Colin Crouch – Post-Democracy, Polity Press (2004)

Jean Bodin – Sovraniteti, ISP&Dita 2000.

David Beetham – The Legitimation of Power (1991)

Robert Michels – Partite politike, Logos-A, (2020)

Bruce Bueno de Mesquita, Alastair Smith – The dictator’s handbook, New York, NY PublicAffairs (2011)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *