imagesTë gjitha forcat politike në botë të cilat kërkojnë të marrin pushtetin e të qeverisin kanë një premtim të përbashkët. Prenmtimi i tyre është se do ta çojnë vendin drejt mirëqenies dhe progresit. Atëherë pse ekzistojnë gjithë këto pari e gjithë këto ideologji në spektrin politik? Përgjigjia është se secila prej ideologjive propozon mjete të ndryshme prej tjetrës për të arritur tek qëllimi përfundimtar.

 

 

Ideologjitë politike janë një shpikje e epokës moderne. Epoka në të cilën nuk konsiderohej më religjioni si transmetues i së vërtetës por tashmë njerëzimi duhet të iluminohej duke mbërritur vetë tek e vërteta përmes përpjekjeve. Ilustrim i kësaj fryme janë pikërisht edhe ideologjitë dhe rrymat politike të cilat shprehin fare qartë përpjekjet e gjithandejshme të mendimtarëve të kësaj epoke për ta çuar njerëzimin drejt shoqërisë ideale. Duhet theksuar se ideologjitë politike, si shpikje të së modernes, kanë në thelbin e tyre jo më qëllimin për drejtësi por qëllimin për prosperitet. Kjo do të thotë të bëjmë atë që është më e volitshme racionalisht, përtej të drejtës dhe të gabuarës.

 

 

 Kulmi i kësaj fryme është ideologjia politike e Pragmatizmit e cila ka si figurë kryesore mendimtarin amerikan William James. Pragmatizmi pohon se pavarësisht moralit të vjetër tradicional të së drejtës, ne duhet të zbatojmë atë që na sjell më tepër leverdi në një raport kosto-përfitim dhe vetëm kjo mund të na çojë përpara. Në politikën botërore, aplikimi më i dukshëm i pragmatizmit është elaboruar prej presidentëve amerikanë J.F Kennedy, dhe Bill Clinton të cilët vepruan bazuar mbi këto premise. Një figurë tjetër e këtij konteksti është edhe kryeministri britanik Tony Blair i cili zgjodhi të realizonte “… të gjitha politikat që do të funksiononin, pavarësisht nëse këto janë të majta apo të djathta …” Kjo filozofi njihet nga politologët si rruga e tretë.

 

 

Secili prej nesh individualisht, sot, është i lirë që politikisht të zgjedhë të përfaqësohet nga një parti me ideologji konservatore, ose nga një parti liberal-pragmatiste. Kjo me fjalë të thjeshta do të thotë të zgjedhësh ose ideologjinë “Të veprosh për hir të drejtësisë”, ose ideologjinë “Të veprosh për hir të progresit”. Nëse gjykojmë me maturi, do të duhet të pranojmë se njeriu e ka nevojën për drejtësi të barabartë me nevojën për oksigjen, në këtë logjikë nuk ka ç’na duhet progresi kur ai nuk na sjell drejtësi. Kjo dilemë e madhe ka disa shekuj që e mundon njerëzimin ditë pas dite dhe ende duken larg shanset për ta zgjidhur.

 

 

Shumë prej nesh mund të jenë të shqetësuar se si kërkesa për progres e ka mposhtur kërkesën për drejtësi, por dëshpërimi nuk mbaron këtu. Epoka në të cilën jetojmë sot, epoka postmoderne,  po e mposht çdo ditë e më tepër edhe kërkesën për progres. Postmodernja është fryma e sotme e cila jo vetëm që nuk na edukon më që të ndjekim drejtësinë, por as që të ndjekim progresin. Na edukon që të ndjekim dëshirat. Motoja e kësaj epoke është “Shijo momentin”. Pra, mos mendo për asgjë tjetër përtej kënaqjes së dëshirave personale. Promotori më i madh i indoktrinimit publik me këtë moto është Big Brother-i. Në filozofinë e Big Brother-it, individi duhet të jetë i lirë të bëjë ç’të dojë, pavarësisht nëse kjo është morale ose jo, pavarësisht nëse kjo është e drejtë apo e gabuar, dhe madje pavarësisht edhe nëse kjo është e leverdisshme ose jo në aspektin pragmatist. Pra në kulturën e BigBrotherizmit, asgjë tjetër nuk ka vlerë përveçse të bësh atë që të pëlqen pa asnjë pikë përgjegjshmërie.

 

 

Përkthimi më i mirë i kësaj filozofie degjeneruese, duket se është përkthyer në politikën shqiptare të kohëve të sotme. Partitë politike shqiptare janë duke ndjekur besnikërisht filozofinë  e  “… të bërit të asaj që u pëlqen, përtej çdo papërgjegjshmërie…”. Praktikisht këtë e kanë realizuar të gjitha partitë kryesore në vend. Në një analizë të shkurtër mund të përmendim se si i gjithë koalicioni i djathtë me PD në krye punon për raportet gjinore në vendimmarrje, për mosdiskriminimin në orientimin seksual, për barazi sociale, për populizëm, për nacionalizëm etj. Pra, nëse e djathta njihet se zgjedh meritokracinë në vend të barazisë, në rastin tonë këta zgjedhin ç’të duan vetë. Nga ana tjetër, një parti e ashtëquajtur e majtë zgjedh ta sjellë barazinë duke i përfaqësuar shtresat e varfra me biznesmenë dhe të fortë lagjiesh. Që do të thotë se ujku do të punojë për nevojat e deleve.  Për të mos folur pastaj për gjëra të tilla si LSI që e pranojnë hapur se bëjnë ç’të duan vetë pavarësisht se ç’mendojnë të tjerët.

E gjithë kjo poshtërsi, zë vend në një realitet ku është ndarë dukshëm kasta politike nga masa e qytetarëve. Pra janë ata dhe ne. Ata bëjnë ç’të duan me ne. A kanë faj ata për këtë? Fajin e kemi vetëm ne, sepse jemi ne që jo vetëm i lejojmë ata të bëjnë ç’të duan, por edhe i mbështesim ata. Shpresa e vetme është që një ditë kjo masë qytetarësh të ndërgjegjësohet dhe të njohë veten. Ai do të jetë moment kur do të kuptojmë në thelb se pushteti i njerëzve është shumë më i madh se sa njerëzit e pushtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *