Utopisti Francis Bacon thoshte tek “Organoni i ri” se ka dy lloj mendimtarësh, ata që e ndajnë botën në dy lloje mendimtarësh, dhe ata që nuk e ndajnë. Duke e futur kështu veten në grupin e parë të mendimtarëve. Sigurisht, si modernist i hershëm ai e theksonte dualitetin midis atyre që e shohin të vërtetën si të dhënë njëherë e përgjithmonë, dhe atyre që e shohin të vërtetën si të ndryshueshme, të rizbulueshme dhe të evolueshme. Sot, ka një rrymë të tretë, të vështirë për t’u përkufizuar thjeshtë, por me një tipar të përbashkët, idiosinkrazinë e së vërtetës. Thënë ndryshe, ata që besojnë se e vërteta është individuale, fluide, kontekstuale, relative, dhe shpesh e panevojshme.

Pas bjerrjes së autoritetit të së vërtetës së gjithëkohshme, si pasojë e rënies pak nga pak të regjimit të vjetër të përbërë prej mbretërve dhe klerikëve të kishës, në Europë, lindi filozofia moderniste. Fillimisht me Dekartin (racionalizmi), vazhdoi me Hume, Berkley, Locke (empirizmi) dhe kulmoi, para shpërthimit të revolucionit, me iluministët francezë. Voltaire, Russeau, Bossuet, Paine e të tjerë, synuan të përhapnin idenë, se përmbysja e regjimit ishte e vetmja mundësi drejt lirisë, dhe se masat e gjera të popullit duhej të kishin pushtetin politik. Kjo rrymë shkaktoi revolucionin më të dhunshëm, atë francez, i cili solli vetëm se më shumë shtypje gjakderdhje dhe mjerim.

Nga ana tjetër mendimtarë si Edmund Burke, de Tocqueville apo de Maistre, shkruajtën me vendosmëri kundër marrinave dhe krimeve të revolucionarëve.

Ky moment historik i epokës moderne mund të konsiderohet si lindja e ndarjes më të dallueshme midis të majtës dhe të djathtës, si dallim ideologjik në politikë. Ku njëra palë kërkonte progresin pa kushte dhe me çdo çmim, teksa pala tjetër bënte thirrje për maturi, qetësi, reflektim. Revolucionarët progresistë kërkonin përmbysjen e të gjitha pushteteve dhe institucioneve. Konservatorët kërkonin ruajtjen e vlerave të gjithëkohshme dhe reformim përmes reflektimit.

E majta ngarendi kudo në kontinentin e vjetër, dhe shumica e regjimeve u përmbysën brenda një shekulli. Tri perandoritë e fundit, Osmane, Ruse dhe Austro-Hungareze u rrëzuan në Luftën e Parë Botërore, dhe të gjitha regjimet monarkike që mbijetuan, mbijetuan vetëm se estetikisht e me pushtet politik tejet të kufizuar. Epoka moderne, me cytjen e Marksit, e pa kulmin ideologjik të së majtës me komunizmin, përmes dy luftrave botërore e deri në Luftën e Ftohtë.

Europa u bë konservatore në konsolidimin e së majtës. Ndryshe nga amerika që u bë progresiste në evoluimin e së djathtës. Vitet ’60, në të dy kontinentet panë vërshimin e disa lëvizjeve popullore liberal-majtiste, anti-konservatore. Këto lëvizje, u fokusuan tek çlirimi seksual i individit dhe emancipimi i femrës. Këto lëvizje ishin dhe hapi më i rëndësishëm i shkarjes drejt epokës postmoderniste në të cilën jetojmë sot.

Epoka postmoderniste, ka si tipar themelor, idenë se nuk ka të vërteta as hyjnore, e as tokësore, as providenciale e as objektive por vetëm interpretime subjektive. Shumëkush e lidh fillesën e postmodernes me protestat studentore në europë në ’68-ën, apo me kundërkulturat në ShBA. Shumëkush e lidh me filozofë si  Deleuze, Derrida, Foucault. Por me siguri postmodernizmi u formulua fillimisht nga Nietzsche.

Është e rëndësishme të kuptojmë gjithë sa më sipër, për të kuptuar se si sillet sot e majta dhe (papritur) e djathta politike. Sigurisht, e majta është në një habitat të cilit gjithnjë e më shumë i përshtatet. E djathta ndërkohë është duke u përçudnuar, me qëllim që të mos vdesë, por në kufijtë e vetë-asgjësimit.

Sot e majta, e ka tradhëtuar Marksizmin. Të paktën që prej viteve, ’90, pas rënies së komunizmit në Europë, e majta gjeti strehë tek një segment i vogël brenda saj sikurse është socialdemokracia. Përmes socialdemokracisë e majta nuk u ngjir më për të kërkuar përmbysjen e borgjezisë por tashmë taksimin e saj. Nuk synoi më kooperativizmin por subvencionet. Nuk ndërmori sekuestrim pasurie, por rishpërndarje. E djathta pa ngadalë rënien e kristiandemokracisë, dhe u bë disi më centriste. Duke u zhveshur nga ngjyrimi moralist, për dy dekada, e djathta u fokusua tek zhvillimi ekonomik dhe institucionalizmi.

Pas krizës ekonomike botërore që nisi në 2008 me efekte të gjata, masat e gjera qytetare që ndienë paqendrueshmëri vërshuan në rrugë përmes lëvizjeve anti-kapitaliste të tipit “oçupy” apo “indignados”. Këto ngjarje sollën ndryshime në grupet klasike të elektoratit në ShBA dhe Europë. Duke sjellë gjithashtu lindjen e lëvizjeve të reja anti-estabilishment, ku e majta u bë më anarkiste dhe e djathta më pragmatiste. Të furnizuar nga qytetarë-protestues-teknicienë, në spanjë fituan terren dy parti të reja “Podemos” dhe “Ciudadanos”, në Itali “5-Stelle”, e disa parti më të vogla në pjesën tjetër të europës.

Në këtë valë, politika kulmoi duke sjellë demagogë ekstremistë, populistë të majtë e të djahtë. Në Europë, neo-marksistë si Beppe Grillo, Pablo Iglesias Turrión, Yanis Varoufakis, Jean-Luc Mélenchon, apo Bernie Sanders në ShBA,  e nacionalistë si Mateo Salvini, Nigel Farage, Victor Orban, Nikolaos Michaloliakos, Nikolaos Michaloliakos, Geert Ëilders, Marine Le Pen, apo Donald Trump në ShBA.

Sot e djathta, nuk është më fertile si më parë për disa arsye, ky dy janë më kryesoret: – nuk ka ditur t’i kthejë përgjigje kritikave antikapitaliste të neo-marksizmit; – është larguar nga thelbi i vet historik, besimi në vlerat njerëzore të shkrimeve të shenjta. Sot, në postmodernizëm, e djathta është konfuze dhe duke u afruar nga të dyja kahet me të majtën. Dikur në spektrin e djathtë politik gjenin strehë liberal-demokratët, kristian-demokratët, konservatorët tradicionalistë, dhe nacionalistët konstitucionalistë. Tashmë, e djathta në perëndim (por jo vetëm) shfaqet ose përmes liberalizmit (ekonomik dhe moral) duke u afruar kështu me social demokracinë, ose me nacionalizmin supremacist (ekonomi e interesit kombëtar e diktuar nga qeveria dhe në vend të moralit me etikë laike) duke u afruar kështu me autoritarizmin komunist.

Të djathtët postmodernë janë tani grupim në rritje. Presidenti Donald Trump hoqi fondet për shkencëtarët dhe teknokratët që nuk pajtohen me pikëpamjet e tij dhe sulmoi mediat që raportonin sipas tij “fake news”. Partia Ligj dhe Drejtësi e Polonisë në pushtet shprehu shqetësimin për “likuidimin e qytetërimit që u ngrit nga krishterimi”. Viktor Orban i Hungarisë ka kritikuar elitat evropiane për ftesën e emigrantëve në vend, duke çuar në “kërcënimin e identitetit”. Në secilin rast, këto figura dhe parti sfidojnë idetë e forta për të vërtetën duke luajtur me politika identitare njësoj si të majtët. Kjo duhet të jetë thellësisht shqetësuese për të gjithë dhe tregon se si shtrirja e epokës postmoderne ka shkuar shumë përtej ndikimit të vetëm disa radikalëve të majtë në kampuset universitare.

Sot e djathta europiane ose përfaqësohet nga “Konservativët” britanikë që ngjyroisn logon e tyre me flamurin gay, ose nga “Moderatët” suedezë që luftojnë për barazi gjinore, ose nga e djathta greke, spanjolle, britanike apo holandeze që në vend të një shteti të vogël me ekonomi laissez-faire, propagandon një shtet që ndërhyn vazhdimisht në ekonomi dhe korrigjon marrëdhëniet mes njerëzve. Nga ekstremi tjetër brenda të djathtës ka përfaqësues që shkojnë kundër frymës fetare të pranimit dhe vëllazërisë mes njerëzve sikurse racistët dhe ksenofobët Netanyahu, Zemmour, Orban, Salvini, Trump, Abascal etj.

Edhe në shqipëri, e djathta ka vuajtur mungesën e parimeve të djathta. Sigurisht për shkaqe të tjera nga e djathta europiane. E djathta shqiptare e tranzicionit, ka qenë antikomuniste në ligjërim, dhe liberal-social-demokrate në politika qeverisëse. Konservatorizmi shqiptar nuk u përfaqësua dot në vlerat morale dhe parimet e lirisë së tregut as nga “Balli”, “Legaliteti”, apo “Aleanca”. Për fat të mirë, populizmi nacionalist i Kreshnik Spahiut, mbeti një shaka politike, por për fat të keq është rritur numri i të rekrutuarve nga lëvizjet neo-marksiste si “Organizata Politike” apo “Vetëvendosje”.

Sot, shpresa e vetme e së djathtës është rikthimi tek rrënjët. I vetmi kombinim ideologjik koherent do të ishte moral i fortë bazuar në vlerat e shenjta, dhe liberalizëm ekonomik përmes derregullimit dhe shtetit të tkurrur. Hapi i parë për të arritur tek kjo alternativë solide është çkorruptimi moral dhe çkorruptimi politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *