urlPërshëndetje zoti ministër, unë jam student i një universiteti privat në Shqipëri. Unë studioj Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin Europian të Tiranës. Në deklaratën zyrtare të universitetit tim publikuar edhe në website-in në internet (www.uet.edu.al) mund të lexoni në pjesën e ligjshmërimit të aktivitetit të tij, edhe këto rreshta: …Programet e ciklit të parë të UET-it, u licencuan me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 636, datë 20.09.2006 … Bashkë me vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për hapjen e programeve të ciklit të tretë, nr. 796, datë 22.07.2009, UET-i, nga “Shkollë e Lartë Universitare” u strukturua në “UNIVERSITET”. … si dhe: Akreditimi i programeve të ciklit të dytë është në bazë të Vendimit të Këshillit të Akreditimit Nr. 133, datë 21.12.2010 dhe urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 68, datë 14.02.2011. Mbi bazën e këtij mbulimi ligjor prindërit e mi më mbështetën plotësisht në zgjedhjen që unë kisha bërë në fillim të këtij viti akademik, për të studiuar medoemos në UET.

                   Besoj se edhe ju i keni ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit që lidhen me problemet e diplomimit në sektorin e arsimit privat në Shqipëri. Megjithatë unë dua t’iu tregoj se prindërit e mi (besoj edhe të shumë studentëve të tjerë) i kanë ndjekur këto zhvillime edhe më nga afër se ju. Duke nisur që me zbulimin e diplomës “së dyshimtë” të lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë, privat në Shqipëri, në llogari të një shtetasi italian, e deri tek nisja e hetimeve për të zbardhur këtë “dyshim”. Zoti ministër, në kontekstin e këtyre ditëve, unë kam përjetuar një nga pyetjet më të vështira dhe të dhimbshme që më janë drejtuar ndonjëherë. Pyetja e drejtuar nga vetë prindërit e mi: Po tek UET-i a ka të tilla raste? Kjo është pyetja që më ka indinjuar në masë të lartë gjatë të gjithë këtij muaji.

                 Dua të cilësoj se ndërgjegjia ime është shumë e pastër ndërkohë që studimet e mia bëhen çdo ditë e më të ngarkuara dhe çdo ditë e më kërkuese. Pa dyshim se iu jam përgjigjur të gjitha rasteve që kam hasur përballë, të cilat i fusin të gjitha universitetet private në të njejtin thes. Pa dyshim se jam ngjirur teksa tentoja të kundërshtoja me ftesa për vizitë të gjithë personat që kanë krijuar mëdyshje së fundmi rreth UET-it. Por… ja që kjo nuk mjafton! E pra ja prova faktike se ‘commune sense’ është më i fortë sesa një njeri i vetëm apo një grup i vogël njerëzish.

Ajo për të cilën unë kam nevojë, (dhe besoj të gjithë studentët e tjerë të universiteteve ‘të mira’ private në këtë vend) është që zyrtarissht të mund të nxirren nga thesi i ‘namit të keq’universitete të tilla si ai ku unë studioj. Unë kam nevojë të dëgjoj nga goja juaj paragrafin publik i cili do të vlerësojë ata që punojnë vërtetë, ata që derdhin durim, djersë dhe lot tek diplomat e tyre. Pa tjetër që nuk ju kërkoj të risillni para publikut ligjet dhe nenet e liçensimit dhe akreditimit të diplomës sime. Tashmë të gjithë e dinë se ajo është e ligjshme. E gjithë çështja zoti ministër është që kjo diplomë të legjitimohet. Nevoja e të gjithë studentëve, pedagogëve, stafit të UET por edhe prindërve që u besojnë këtij universiteti edukimin e fëmijëve të tyre të nisin e të flenë të qetë. Të flenë të qetë se diploma e UET mban brenda dije dhe jo pazare, mban brenda prestigj dhe jo nepotizëm, përmban vlerë dhe jo para.

                Ajo që unë modestisht dhe përulësisht do të sugjeroja është monitorimi, mbikqyrka dhe vëzhgimi i vazhdueshëm i të gjitha universiteteve në Shqipëri. Sot zoti ministër është koha që të vërtetoni se “Shqipëria po ndryshon”. Sot është koha të vërtetoni se në Shqipëri meritokracia funksionon. Dua t’ju ftoj miqësisht të vini e të më testoni për të verifikuar çdo notë që kam marrë në UET, të verifikoni cilësinë e cilitdo pedagogu, ju lutem bëni krahasimet e nevojshme dhe tregojini opinionit publik, prej të cilit çdo ditë unë dhe bashkëstudentët e tjerë të universiteteve private serioze, po vuajmë etiketimin. Atë etiketim i cili demotivon studentët e mirë, çrregullon tregun e punës dhe targeton (margjinalizon në rastin më të keq) një grup njerëzish si blerës diplomash.

                 Ju jeni përfaqësues i nje grupimi politik i cili pozicionohet djathtas në spektrin politik. Me sa më kanë mësuar (edhe) në UET, ideologjia e djathtë mbron pronën private, e pra studimet e mia dhe të mijëra studentëve të tjerë janë prona jonë private dhe kjo po cënohet. Më kanë mësuar se e djathta mbron tregun e punës dhe hierarkinë meritokratike, në mënyrë evidente diploma jonë po zhvlerësohet në këtë kontekst. Më kanë mësuar edhe se e djathta (por jo vetëm) promovon vlerat familjes, punës, lirisë …. Dua të ndaloj këtu, sepse besoj tek ju. Besoj se nuk do të qëndroni duarkryq dhe gojëmbyllur. Besoj mbi të gjitha se do ta konsideroni të paktën për ta lexuar letrën e një student i cili nuk po bën asgjë tjetër veçse të kërkojë drejtësi. Dua të mbroj të ardhmen time pa luftuar por duke punuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *