256700_390820661004020_869861904_oCilado ofertë politike, përmban direkt ose indirekt edhe ofertën për të lëvizur në një bosht horizontal më afër lirisë apo më afër përgjegjësisë. Në këtë bosht, sa më shumë i afrohemi njërit skaj, si p.sh. atij të lirisë, aq më shumë i largohemi tjetrit. Shumë prej ofertave politike nuk e gjejnë dot balancën midis të dyjave. Shpesh, liberalizmi si një segment i njohur për tolerancë, i fton individët që të zgjedhin lirinë, sa më shumë që të jetë e mundur dhe me këtë indoktrinim i nxisin individët që të zgjedhin lirinë përpara gjithçkaje tjetër. Nëse një individ zgjedh lirinë duke u larguar kështu prej përgjegjësisë gjithmonë e më shume, përfundimi do të jetë edhe i paleverdisshëm, edhe i padrejtë. Po të flasim më konkretisht, nëse një individ zgjedh lirinë, pa kushte dhe le të themi sfidon gravitetin, zgjedhja e tij e çon atë drejt lirisë absolute, ai mund të hidhet prej një ndërtese të lartë dhe ta shijojë lirinë e tij ndaj gravitetit për disa sekonda. Mirëpo kjo pa dyshim do ta çonte atë drejt humbjes së lirisë së madhe. E bëj këtë hyrje për të ritheksuar nevojën që t’ia vetëkufizojmë lirinë vetes sonë ashtu sikurse në natyrë gjejmë shembullin më të mirë se kur liria është e kufizuar, ajo shijohet më gjatë.

 

 

 

Po ta përkthejmë të gjithë këtë në ofertën politike në shqipëri, mund të kuptojmë se kemi dy oferta lirie përballë nesh. E para na fton të paguajmë taksa që të gjithë në raport të barabartë me mundësinë tonë reale. E dyta na fton që të paguajmë sa më pak dhe barrën tonë të të jetuarit në të njejtin shtet do ta marrin përsipër një grup shumë i vogël njerëzish. Pra ftesat janë “Taksë e Sheshtë” apo “Taksë progresive”. Taksimi i sheshtë është një sistem taksimi i përdorur gjerësisht që në fillesat e konceptit të taksës në shoqëri. Për shumë kohë taksimi i sheshtë ishte i lidhur edhe me traditën religjioze të popujve. Nëse shohim historinë do të kuptojmë se që në Mesopotami, më pas në Egjipt, në qytet-shtetet helene, në perandorinë Romake, në perandorinë Britanike dhe së fundmi në Amerikë, taksimi është realizuar gjithëkohësisht me aftësinë e individit për të kontribuar në shoqëri. Pra ai që ka më shumë mundësi, kontribuon më shumë por në raport të barabartë. Ky taksim, është ai i drejti. Për ta argumentuar këtë, më mjafton të thërras në ndihmë të gjithë librat e shenjtë të traditave religjioze prej nga kanë lindur edhe qytetërimet më të mëdha. Nga ana tjetër, taksimi progresiv është një ftesë për të paguar gjithnjë e më pak taksa. Parimi mbi të cilin funksionon taksimi progresiv, është i tillë: sa më shumë të ardhura të ketë individi aq më shumë duhet të paguajë por kjo pagesë nuk realizohet më në raport të barabartë me individë që paguajnë më pak, por pjesën tënde plus pjesën e papaguar prej tjetrit. Ky system taksimi sjell në thelb karakterin barazimtar në shoqëri. Kjo do të thotë se përtej meritës apo pameritës, individët nuk mund të krijojnë me njëri-tjetrin ndonjë distancë të madhe pasurore. Kështu, ne përballemi me një ofertë e cila kërkon barazi duke imponuar pabarazi.

 

 

 

Përgjithësisht, kjo dikotomi është pjesë e pandashme e dualitetit politik e djathtë, e majtë. Në traditën politike njihet se praktikisht sindikatat e punëtorëve janë të majta dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë të drejta për punëtorët dhe në filozofinë e të majtës rishpërndarje të pasurisë midis individëve. Pra sindikatat kërkojnë që punëtorët të paguajnë sa më pak taksa dhe pronarët e pot ë njejtëve punëtorë të paguajnë  progresivisht më shumë se ata. Kështu shteti i merr edhe më shumë pjesë të tortës së pronarit dhe i lejon punëtorëve të gëzojnë më shumë nga kjo tortë. Kjo padrejtësi pa dyshim që i nxit gjithnjë e më shumë më të pasurit që të punojnë gjithnjë e më pak ngase e dinë se sa më shumë që të punojnë, aq më shumë do t’iu merret prej futeve të punës së tyre. Ajo që është më e keqja e këtij sistemi është se edhe të varfrit do të jenë të pamotivuar për të punuar duke dashur që të gëzojnë më shumë, ato më pak të ardhura që kanë. Që nga fundi i viteve ’60 të shekullit XX, në Sh.B.A, lëvizjet punëtore u vetëdijësuan se një sistem i majtë, vërtetë godet më shumë të pasurit dhe pronarët në mënyrë direkte, por gjithashtu godet edhe punëtorët në mënyrë indirekte. Kjo ndodhte sepse shumë pronarë zgjidhnin më mirë të hiqnin dorë fare nga incentive e tyre sesa t’i jepnin shtetit pjesën më të madhe të fitimeve të tyre. Kështu që në fund të ditës ishin punëtorët ata që e pësonin sepse në rradhë të parë do ta humbnin edhe atë punë që u siguronte jetesën dhe në rradhë të dytë shteti do të kishte gjithnjë e më pak të ardhura për tu shpërndarë atyre si formë e asistencës sociale për të papunët. Ky vetëdijësim ndriçues i ka bërë sindikatat amerikane të punëtorëve një rast të jashtëzakonshëm të një shoqrie racionale dhe largpamëse.

 

 

 

Duke patur tani një vizion më të qartë, mund të kuptojmë më mirë se cilat janë ofertat që na vihen përballë. Oferta për një zhvillim të mëtejshëm të qendrueshëm edhe pse me problemet e mëdha të një vendi në tranzicion, ndërsa nga ana tjetër, një eksperiment i ri, me mjete që imponojnë pabarazi në emër të barazisë. Nëse kthehemi aty ku e nisëm, mund të  themi me bindje të plotë se liria e papërgjegjshme është rrugë në humbje dhe rruga edhe e drejtë edhe e leverdisshme, është ajo më e përgjegjshmja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *