cameria1Që prej kohës kur u stabilizuan te shpërndara nëpër qytetet e Shqipërisë, familjet çame kanë humbur shumë prej sjelljeve dhe zakoneve të tyre të përditshme. Shumë prej të moshuarve çamë shpesh kujtojnë ditët e zakonshme te jetesës në trevat e tyre të mëparshme teksa u flasin nipërve të tyre. Një nga karakteristikat të cilat fatmirësisht nuk është humbur pas gjithë këtij tranzicioni kulturor, është kultura e bashkimit rreth tryezës. Familja çame gjithnjë i ka kushtuar një moment gati solemn vakteve të ushqimit, sidomos drekës dhe darkës. Teksa jetonin në një mjedis blegtoral, bulmeti, mishi dhe bimët ushqimore ishin me tepri rreth shtëpive të tyre të dikurshme. Të mbushura me këtë bekim, tryezat çame ishin përherë me bollëk dhe kjo jo vetëm tek dyert e pasura të krahinës por kudo.

 

 

Edhe sot mund të shohësh shumë familje të cilat tentojnë të ruajnë traditën e hershme të kësaj krahine. Disa syresh madje, kontribuojnë edhe në industrinë e shërbimit me restorante të cilat servirin për cilindo vizitor pjata të një drake a darke tradicionale. Teksa e shtyja gjyshen të më merrte me vete në retrospektivën e kujtimeve të saj, më dukej se i kisha para syve të mij ato vende. Ajo nisi të më fliste pikërisht se si të gjithë e respektonin natyrën duke e zbërthyer në ushqime dhe gjellëra të papërsëritshme. Në familjet tradicionale çame, meshkujt merreshim me gjueti, tregëti, peshkim, bujqësi, zejtari por edhe politikë. Kështu zonjat e shtëpisë kishin shansin unik për tu përfshirë në artin e shërbimit të ushqimit, që prej gatimit dhe deri tek shtrimi i tryezës.

 

 

Edhe pse ushqimet që gjyshja më përshkruante të ishin tradicionale çame, mund të them se i gjej të jenë tradicionale edhe për shumë vende të tjera të ballkanit mesdhetar. Ajo nisi të më përshkruante gatimin e “çorbës”, pjata e parë. Çorba është një version i lehtë i supës me mish. Gatuhet me pak oriz, piper të zi, limon dhe mish të grirë me dorë. Pjata e parë ishte gjithnjë e lehtë pasi dreka shërbente jo vetëm si proçes i të ngrënit por edhe si koha e kuvendimit të punëve dhe aktivitetit të ditës. Çorba pasohej nga një pjatë e madhe e cila përgjithësisht vendosej në mes të tryezës e quajtur ‘Mish Çomblek’.

 

 

Mishi supozohej të jepte mjaftueshëm “fuqi” për të punuar gjatë ditës. Çombleku gatuhej kryesisht me mish qengji. Në fillim skuqen qepë të prera shumë, dhe hudhra të cilat gjatë skuqjes përzihen me mishin. Menjëherë pas skuqjes të gjitha futen të ziehen. Pasi zonjat arrinin ta njihnin fundin e këtij proçesi nëpërmjet aromës, e ndanin ushqimin në disa tava balte të cilat ruanin nxehtësinë dhe aromën e fortë të mishit. Në pjata anësore servirej bashkë me çomblekun edhe “Qahia”. Qahia gatuhej me petë të mbytura në gjalpë mbi të cilat shtrihej vezë e rrahur dhe thërrime djathi të kripur. Këto peta piqeshin në furrën me dru e apo oxhakun që nuk i mungonin shtëpive të gjera, me pak dhoma (2 ose 3) por me shumë hapësirë.

 

 

Patjetër se pas këtyre pjatave të “nxehta” mesdhetare, do të duhej pak qetësim me ndonjë ëmbëlsirë. Për këtë shërbente “Përvëlaku”. Përvëlaku ishte ëmbëlsira më e gatuar në çdo qytet të krahinës së çamërisë. Edhe pse ndoshta e ngopur, tryeza ende e priste përvëlakun. Kjo ëmbëlsirë përgatitej me miell të përzier me vezë e gjalp të rrahur. Pasi masa merrte formë vinte moment i prekjes finale. Drutë e djegura në oxhak, tashmë të bëra hi, grumbulloheshin dhe futeshin në ndonjë enë metalike (bakri). Uji që hiri lëshonte quhej “Alsivë”. Alsiva ishte një veçori tipike e përvëlakut. Uji i hirit i hidhej sipër masës së miellit, vezëve fhe gjalpit. Përvëlaku servirej edhe në moment pause të ndryshme apo për festa popullore.

 

 

Patjetër që një vend aq pjellor sa ç’është Çamëria ka pafund fruta. Frutat përdoreshin gjithnjë për të mbyllur ushqimin e çdo vakti. Pemët frutore në këtë krahinë janë jo vetëm të shumëllojshme por edhe tejet pjellore. Kjo sepse bashkohen disa elementë si toka e punueshme dhe pjellore; klima që i përmbante të katër stinët dhe mbi të gjitha, Mesdheu. Deti i cili e përcakton tokën që lag si pjesën më të lakmuar të planetit. E pra Çamëria është vend tipik mesdhetar, në shumë karakteristika por veçorisht në gatimet tryezës.

Shumë prej gjyshërve tanë kanë lindur në Çamëri, ata ende e mbajnë mend mirë jetesën atje. Zakonet e tyre dhe elementet e të jetuarit që i mbanin origjinalë. Shpesh në tregimet e tyre, por mbi të gjitha në sytë e tyre shoh frikën se gjithçka që ata dashuronin prej tokës së tyre magjike mund të humbë. Shpresa e tyre është që tradita do të jetojë edhe pse brezat do të kalojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *