“Duhen filozofë…” tha Adam Smith. “Filozofët”, detyra e të cilëve është të mos bëjnë asgjë, por të vëzhgojnë gjithçka: një skllav i mjerë që bluan misrin midis dy gurëve – shtoi “babai i ekonomisë” – mund të gjejë një mënyrë për ta kthyer gurin lart rreth një boshti të vetëm; por për të gjetur një mënyrë për ta bërë atë të qarkullojë me ujë duhet një filozof. Në kuptimin që i dha Adam Smith, “filozofët” ishin ata që kishin kohë për të reflektuar dhe studiuar, pa u brutalizuar nga puna fizike. Por intuita e tij shpie në një merak që vazhdon të jetë i vërtetë, në kuptimin që sistemi arsimor është një nga përcaktuesit më të mëdhenj të “pasurisë së kombeve”.

Ekonomia Shqiptare, ndër të tjera, ka dy probleme të mëdha: nga njëra anë nuk rritet, (përtej shifrave prej tigrash e luanësh, kjo ka vazhduar prej vitesh) dhe Recesioni i Madh nga i cili ende nuk kemi dalë, i ndjekur nga sëmundja kronike e krizës së borxhit publik. Krizat e të gjitha llojeve janë dukuri komplekse dhe nuk i atribuohen një shkaku të vetëm, por nuk është gabim të mendohet se sistemi arsimor është një nga shkaqet kryesore që kontribuojnë në performancën qesharake të Shqipërisë: A thua se këtu ose nuk ka filozofë, ose këtu për filozof mbahet skllavi i mullinjve. Një sistem arsimor i cili, pasi e ka nis mire edukimin në arsimin fillor, gradualisht humb rrugën drejt arsimit të mesëm dhe aq më tepër në arsimin universitar. Ekziston një problem si sasior: përqindja e “punëtorëve të krahut“ me diplomë të arsimit të lartë; dhe cilësor: universiteti nuk shpërblen në mënyrë adekuate meritën.

Projektet me donacione të huaja që paguajnë para për të kuptuar lidhjen e arsimit me tregun e punës në Shqipëri, dalin në të njejtin përfundim nëpër konferencat me kondicioner dhe kufje përkthimi: ka një mospërputhje midis aftësive për të cilat ka nevojë ekonomia e prodhimit dhe sistemit arsimor të gjimnazeve që prodhojnë mbi-ekselentë me mesatare mbi 10.00 apo universiteteve që nuk diplomojnë asnjë zanatci, asnjë profesionist por plot emigrantë. Vec rasteve sporadike nuk ka mjaftueshëm bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet kompanive private dhe qendrave universitare, ku dominon ende dëshira për punë të rehatshme “në shtet”.

Përvec korrupsionit qeveritar, informalitetit të lartë në ekonomi, ja pra që ky faktor i pafajshëm njollos performancën tonë si vend në cdo raport ndërkombëtar mbi ekonominë dhe, për fat të keq, përbën një handikap që është i destinuar të zgjasë, duke qenë se progresi për përmirësimin e sistemit arsimor, është dëshpërimisht i pashpresë.

Megjithatë, ekziston një aspekt i veçantë i problemeve tona arsimore që ka të bëjë më shumë me jetën e përditshme: vëmendja e pamjaftueshme që sistemi arsimor i kushton mësimit të ekonomisë si mendim. Ky nuk është vetëm një problem shqiptar. Bota i ka gjithnjë e më të pakët filozofët në cdo fushë dhe gjithnjë e më të shumtë talented e spektaklit në cdo rrjet social por në çdo rast, njohuritë e ekonomisë dhe financave janë të dobishme për të gjithë dhe do të jenë në cdo kohë.

Sot ekonomia është për shumë njerëz është një subjekt misterioz: shpesh nuk dimë pse paguhemi kaq për këtë punë, pse paguajmë aq taksa, nuk dimë pse ka recesion, nuk dimë nëse është mirë apo keq që kinezët të konkurrojnë me amerikën, nuk e dimë pse shteti nuk ka para dhe ku i gjen pastaj … etj.

Na duhen mendimtarë të ekonomisë? Një lexues cinik mund të kundërshtojë p.sh. nëse jam i papunë, mjaft halle kam, tani duhet të vras mendjen edhe duhet ta di pse jam? Po, duhet! Të dish pse bën të mundur njohjen e gjendjes dhe për rrjedhojë hapat drejt ndryshimit të saj. Sepse shumicën e kohës, nëse je i papunë, nëse nuk të ecën biznesi apo nëse nuk ke më shumë para, me siguri është faji yt, por vitet e fundit, shteti nuk po na lë që të gabojmë të vetëm.

Dhe këtu kemi ardhur në një pikë themelore. Kundër fatkeqësive natyrore, ne nuk mund të bëjmë asgjë: tërmetet dhe uraganet janë jashtë kontrollit tonë. Por ekonomia nuk është jashtë kontrollit tonë. “Fati ynë ekonomik” është në duart tona. Të paktën në kuptimin që ne mund t’i njohim dhe analizojmë problemet, ne mund t’i kuptojmë ato dhe të gjejmë zgjidhje. Mirëpo në një vend ku gjysma e njerzve na dilkan analfabetë funksionalë, do të thotë që secili i dyti prej nesh “nuk merr vesh”, që gjysma e qeverisë “nuk merr vesh”, atëhere, kujt i ngarkohet mbi shpatulla shkëmbi i Sizifit? Mendimtarëve, filozofëve më së pari. Pyetja që duhet të bëjmë është: ku janë ata dhe pse s’i dëgjon njeri?

Studimi i ekonomisë dhe edukimi financiar i popullsisë është në thelb kjo: rifitimi i dinjitetit të ndërgjegjshëm të qytetarëve dhe refuzimi i pafuqisë së injorancës. Një lutje e bukur thotë: “Zot, më ndihmo të ndryshoj atë që mund të ndryshoj dhe të pranoj atë që nuk mund ta ndryshoj”. Natyrisht, kufiri midis asaj që dikush mund të ndryshojë dhe asaj që nuk mund të ndryshojë nuk është i dhënë një herë e përgjithmonë; ne e kalojmë gjithë jetën tonë duke u përpjekur të kuptojmë se çfarë mund të ndryshojmë dhe çfarë nuk mund të ndryshojmë. Por në çdo rast, njohuritë e ekonomisë na ndihmojnë të mos mbetemi skllevër që vetëm dinë të lëvizin gurin e mullirit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *