Të kuptosh Rudinën

Në skenën politike shqiptare, e sidomos në sallën e parlamentit, janë shfaqur kohë pas kohe personazhe që dukshëm nuk përkasin aty. Vitet e fundit, me largimin, për shkak të dekriminalizimit, të shumë deputetëve (e famshme lista e PS në qarkun Lezhë), pritej që të mos përfshiheshin më në listat për kandidatë persona të dënuar apo me të shkuar të dyshimtë. Jo vetëm kaq, por në analizat politike të shtypit të shkruar dhe mediave vizive, kohë pas kohe kritikohej edhe futja në parlament e individëve me nivel të dyshimtë të njohurive mbi ligjin, institucionet, shtetin e politikën. Mirëpo plani shkoi teposhtë.

Me djegien e mandateve të përfaqësimit të popullit, prej opozitës (shkurt 2019), në tapetin e kuq të sallës plenare u shfaqën personazhet më të diskutueshme politike, për sa i takon problemit tw dytw për sa shtruam më sipër. Duke kaluar nga të inkriminuarit tek qesharakët me mustaqe, ish-kaçurrela dhe gabime gramatikore. Ndër to, personazhi më pak komik ishte Znj. Rudina Hajdari, e cila mori përsipër fillimisht edhe drejtimin e një grupi parlamentar në emër të PD.

Për shumicën e shqiptarëve, pavarësisht se njihet si e bija e Azem Hajdarit, ajo është shfaqur duke folur, fillimisht në një intervistë në “Opinion” në vitin 2008 krah nënës së saj. Në 2017, pasi u shfaq në “Takimin me të Rinjtë” në shkurt, Rudina Hajdari u bë personazh në Çadrën e Lirisë, ndoshta për shkak të vështirësive të saj me gjuhën shqipe. Pas kandidimit në një vend “të sigurtë” në listën e kandidatëve të PD, për Tiranën, ajo përfundoi në karrigen e deputetit në mënyrën më të rehatshme për një kandidat, pa u investuar për të fituar elektorat të sajin, pa u njohur dhe sprovuar publikisht e mediatikisht si një përfaqësuese e zellshme e popullit shqiptar dhe guxoj të them pa u njohur se ç’ishte prej strukturave të PD e aq më pak prej votuesve të PD.

Ky historik i shkurtër na nevojitet për të kuptuar se çfarë nuk kuptojmë tek personazhi politik Rudina Hajdari. Bazuar në studimet bashkëkohore mbi lidershipin politik, përmbledhur tek vepra “Studying Political Leadership” – Robert Elgie, do të shohim aspektet kryesore që duhet të përmbushë një individ i angazhuar në politikë për ta prodhuar veten si kandidat e më pas si deputet. Për efekt të shkrimit, do t’i shqyrtojmë karakteristikat bazike duke u përqendruar tek Rudina Hajdari.

Strategjia: Ajo nuk shfaqi dhe as realizoi ndonjë strategji, ajo u shënua menjëherë si emër me lapsin e kryetarit në listën e famshme të vitit 2017. Komunikimi në Media: Ajo nuk krijoi ndonjë marrëdhënie me mediat aq më pak me emisionet kryesore të debatit politik në vend. E folura në Publik: Me probleme të mëdha në secilën fjali që ligjëron. Debatimi: I paprovuar ndokund. Planifikimi i Fushatës: i ofruar i gatshëm nga PD dhe sidomos nga kandidatët që gjendeshin në limitet e votuara të listës për Tiranën. Kauzat publike: Të paqarta deri në vitin 2019. Lufta ndaj kundërshtarit politik: E padallueshme deri në vitin 2019.

Për të mos shkuar më thellë, nga testi i mësipërm, nuk themi dot gjë tjetër veçse Rudina Hajdari nuk ishte produkt i vetvetes, por produkt i një dashamirësie.

Më tej. Duke gjykuar ligjërimin e saj publik, është e pashmangshme të mos bindesh se Rudina nuk ka asnjë bashkëprerje me Të Djathtën. Në bindjet e saj, ajo beson si feministe se femrat diskriminohen dhe nuk gëzojnë barazi. Ajo beson si postmoderniste se individi mund ta jetojë jetën si të dojë dhe askush nuk duhet ta gjykojë. Ajo beson tek të drejtat e homoseksualëve. Ajo beson se shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi. Rudina beson se të varfrit duhet t’i ndihmojë shteti. Ajo mendon se biznesmenët kanë krijuar hendek të madh ekonomik dhe se ata duhet të taksohen më shumë se të tjerët. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo përbuz vende të djathta konservatore si Truqia që i quan të rrezikshme për të drejtat e njeriut, shfaqet si Europianiste e flaktë, por kërkon të projektojë me çdo kusht se ajo është e përzgjedhura e “Amerikanëve”, pavarësisht se presidentin Trump e ka cilësuar si “…vdekjen e politikës së moralshme amerikane” (2018 D. Welle) dhe pastaj ka VETËDEKLARUAR një vit më pas, se ekipi i presidentit Trump dhe familja e tij, ishin të mahnitur nga “Sinqeriteti dhe motivet demokratike të shtruara me shumë profesionalizëm” dhe për këtë shkak Rudina do të qendronte më gjatë në SHBA për të diskutuar me ta.

Për t’u kthyer; me një guxim që nuk mund të injorohet, ajo sfidoi thirrjen e kryetarit të saj z. Basha për të braktisur mandatet në momentin kur u faktua me të gjitha mënyrat se zgjedhjet e 2017-ës ishin manipuluar, zgjedhje të cilat prodhuan edhe vetë Rudinën në parlament. Ajo e kapi momentin dhe nisi ta projektojë personazhin e saj si një lidere e politikës së re. Madje, në fjalimin e para një viti, me të cilin me siguri do të kishte marrë votën time në konkursin e hartimit të gjimnazit, Rudina Hajdari e barazoi Ramën (Gjeneralin Hije të Ushtrisë së Mpirë) me Bashën (Kryetarin në Tentativë të Legjionit të Shpërbërë), si dy të padenjë për të qeverisur shqiptarët, duke aluduar, se në fakt Rudina, ishte alternativa e re dhe e duhur ndaj tyre.

Gjatë rrugëtimit të saj, (në aspektin personal besoj jo i lehtë), ajo siguroi simpatinë e pashembullt të Ambasadores Yuri Kim, duke e riprojektuar veten si një beniamine të “Amerikanëve”. Kështu, Rudina Hajdari, siguroi një ulëse në këshillin politik të tryezës zgjedhore. Pavarësisht, se në mes të procesit, ajo u zëvendësua nga kolegët e saj, si kryetare grupi parlamentar, ajo nuk hoqi dorë, nga ulësja në tryezë. Një konfirmim edhe një herë, për mua si votues, se znj. Hajdari i ka të shtrenjta ulëset që ze, njëlloj si ata që akuzon se “…duan më shumë karrigen se Shqipërinë” njëlloj si deputetët që kanë jetuar tri dekada të ndryshme në atë parlament, dhe aspak sikurse kërkon të prezantohet, si një alternativë e politikës së re dhe ndryshimit.

Rudina Hajdari gjatë këshillit politik, ka mbrojtur me fanatizëm propozimin për një sistem elektoral me lista të hapura. E respektueshme për këmbënguljen e saj, mbetet e pakuptueshme Pse-ja. Është e sigurtë, që Rudina Hajdari nuk i përfaqësoi dot Demokratët, përkundrazi, ka fituar antipatinëe e tyre me daljen nga rreshti dhe ata nuk besohet se do ta votonin më për deputete, aq më pak besohet se do ta kandidonte kryetari i partisë. Pra, edhe me lista të hapura, Rudina nuk do ta fitonte dot vendin e saj as prej mbështetjes së anëtarëve e as të kryetarit. E pamundur duket që ajo të hidhet për të marrë një vend në listën e ndonjë partie tjetër. Gjithashtu e pakuptueshme është skenari kur Znj. Hajdari do të krijonte një parti politike të sajën, do ta humbte dhe atë seriozitet që mund t’i ketë mbetur. Nëse do të ndodhë ky skenar, pyetja mbetet ç’ i duhen listat e hapura kur prapë ajo do ishte vetvetiu më e votuara e partisë së saj. E pakuptueshme njësoj është sjellja e znj. Hajdari duke pasur parasysh që si me lista të hapura si me lista të mbyllura ajo njësoj do të votohej nga shqiptarët me partinë e saj të re. Ndoshta ajo mendon se shqiptarët do ta vlerësojnë shumë lart energjinë që ajo shpenzoi për të hapur listat apo se shqiptarët u prekën emocionalisht kur Ambasadorja Kim e mbështeti Rudinën. Nuk u kuptua dot deri më sot, se “pse?” Rudina Hajdari sulmoi të vetmin sistem zgjedhor që do ta prodhonte atë vetë si deputete.

E vetmja gjë që do të përbënte kuptim brenda luftës së Rudina Hajdarit do të kishte qenë nëse ajo do ta kishte paramenduar aq mirë skemën politike, sa që të kërkonte lista të hapura në mënyrë që ta mundte Bashën dhe këdo tjetër, brenda për brenda PD, dhe tani që PD po zhvillon primaret brenda partisë, mund të shohim një kandidim të Rudinës aty brenda. Megjithëse kjo duket tepër e pagjasë. Ndoshta znj. Hajdari e ka kuptuar veten e saj si një personazh politik e cila nuk duhet të kuptohet por vetëm të votohet dhe se i mvishet më mirë logjika e tifozëve të Romës, “La Roma non si discute, si ama!”