Shumëkush ka kuptuar se në një farë menyre, për qeverisjen e Edi Ramës, tërmeti i 26 nëntorit ishte si nje komardare shpetimi në një det të mbushur me mbeturinat e keqqeverisjes. Per fatin tone te keq, mjerimi qe pasoi termetin e 26 nentorit i sherbeu vetem nje njeriu. Atij qe ne fakt do të duhej të na qeveriste dhe drejtonte me përgjegjshmëri, por që në të vërtetë, fatkeqsine e bashkekombesve te tij e përdor. Sikunder ndodhi dhe nje dite perpara termetit, kur Edi Rama e kaloi ne heshtje dhe raportin trondites me shifra të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

KLSH publikoi konstatimin se vetëm për 9-muajt e parë të vitit, dëmi ekonomik arriti në 24.5 miliardë Lekë apo rreth 196 milionë Euro. Shifër e barabartë me 7.2% të buxhetit të  shtetit. Këto abuzime zbulohen në raportin e fundit të KLSH bazuar mbi 122 auditime në institucione të ndryshme shtetërore.

Kjo gropë e zezë, ishte fshehur nga qeveria shqiptare, përmes propagandës së rritjes ekonomike. Ndërkohë që logjika të çon të mendosh, se vetë qeveria, dhe vetë kryeministri në mbyllje të qeverisjes së tij me dy mandate, nuk i ka mbetur më asnjë plan dhe asnjë vizion, as social, as politik dhe aq më pak ekonomik. Sjellja e Edi Ramës, pas tërmetit, dhe çlirimi i tij i madh psikologjik pas konferencës së donatorëve të BE-së, të çon të mendosh se Rama brenda vetes e falenderon tërmetin si indianët e veriut adhuronin shiun. Tërmeti për Ramën, njësoj si në tragjeditë greke, ishte një “Deus-ex-machina”. Një zgjidhje e papritur për të shpëtuar një një situatë të pashpresë. Vetëm se në këtë tragjedi shqiptare, lumturia e Ramës, në ditët pas donacioneve, nuk mund të mbulohet me makiazhin e hidhërimit që kërkoi të paraqiste në ditët e kërkim-shpëtimit.

Raporti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ngre alarmin legjitim se pas 90 ditësh, ende 32 mijë familjarë jetojnë në çadra ose në qiell të hapur.  Mjafton të dëgjosh se çfarë lëngate lëshojnë banorët në mikrofonët e gazetarëve për të kuptuar se përveç vizitave me kamera, Rama dhe kjo qeveri e tij, nuk ka lëvizur asnjë gisht për t’ia lehtësuar hallin qytetarëve të prekur. Ende nuk ekziston një raport i zyrtar i qeverisë i cili të ketë vlerësuar numrin e saktë të banorëve të prekur, kategorizimin e tyre sipas urgjencës që paraqesin, dëmet e banesave, apartamenteve dhe nevojat bazike të atyre njerëzve.

Pavarësisht postimeve në rrjete, me shprehje nga Bibla e Kurani, kushdo që është pjesë e rrethit të ngushtë të kryeministrit, e dinë se ateizmi i tij është agresiv. Por nga shfaqet e tij pas tërmetit duket sikur ka nisur të besojë në eter. Duket se kërcimi i shiut i ka funksionuar Edi Ramës, lutja e tij shamanike e bën atë të besojë se tërmeti ishte i vetmi shpëtim që populli shqiptar të mos e kuptojë dramën ekonomike, që populli shqiptar të mos e kuptojë se sa thellë në xhepat e tyre ka hyrë dora e korruptuar e qeverisë, që populli të mos e kuptojë se përtej propagandës prej kartoni qëndron vetëm manekini lakuriq i qeverisjes më të keqe që ka përjetuar vendi. Biznese që mbyllen, azilantë që arratisen, shëndetësi që të sëmur, fshatra duarkryq.

Ahmetaj në “Opinion” dhe vetë Rama në “Real Story”, e treguan diku me një fjalë e diku me një mimikë, se ishin tashmë shumë të lehtësuar nga donacionet, dhe shpesh e përsëritën, se këto donacione në fakt do të përdoren për t’u hedhur në ekonomi, dhe rindërtimi do të jetë efekt anësor. Por këto borxhe që do të marrë Shqipëria sjellin ndërmend një shprehje tjetër e indianëve të veriut që thotë “Borxhet janë forma më e keqe e varfërisë”. Kjo është mënyra sesi qeveria e ka kuptuar konferencën e donatorëve. Po t’i kthehemi shifrave të KLSH, kushdo mund të kuptojë se përveç dhuratës humanitare që popujt e botës i bënë shqiptarëve, sot do të kishim në buxhet edhe njëherë aq, nëse paraja publike do të ishte administruar nga një qeveri e përgjegshme.