Njeriu është i përbërë nga dy aspekte, ai racional (Pra që mund të studiohet racionalisht si Trupi, organet etj.) dhe ai iracional (Besimi, frikërat, dëshirat, emocionet, etj.). Duke qenë kështu, në mënyrë që të ndihet i plotë, ai duhet të kënaqë edhe racionalen edhe iracionalen e tij njëkohësisht. Në shkencat ekzakte, ekzistojnë parime rigorozisht racionale, aq sa mund të krijohet iluzioni se gjithçka mund të zgjidhet brenda për brenda racionales. Mirëpo i gjithë racionaliteti i shkencave ekzakte ngrihet në fakt mbi aksioma. Aksiomat në vetvetë janë pohime pa vërtetim si përshembull “dy pika çfarëdo në hapësirë i përkasin një drejtëze”, apo “numrat vazhdojnë të riten deri në pafundësi”. Për shkak se mungon vërtetimi, njëriut këto i ofrohen që thjesht t’i besojë. Pra me anë të shkencave ekzakte njëriu mund ta kënaqë sa të dojë anën e tij racionale, por nuk mund ta shmangë edhe sikur të dojë iracionalen. Në shkencat sociale aksimat quhen dogma. Dogma është një pohim i cili nuk vërtetohet por shpreson që të pranohet nga iracionalja si përshembull “Zoti ekziston”, pohim i cili thërret që të besohet pa u vërtetuar, pra iracionalisht, apo “njeriu nga gjendja e natyrës ndërtoi kontratën sociale dhe formoi shtetitn”. Këto pohime vijnë tek ne si të vërteta për shkak të arsyetimeve të cilat i pasojnë, por sidoqoftë ne nuk mund të ndërtojmë mbi këto pohime asnjë teori, nëse fillimisht nuk kemi disponimin e mjaftueshëm racional dhe iracional bashkë.
Marrëdhënia ia e njeriut me të vërtetën ka qenë konfuze gjatë gjithë historisë. Në shoqërinë tradicionale, e vërteta ishte një e vetme, transhendentale dhe objektive. Pra dogmatike plus racionale. Në këtë mënyrë të gjitha konfliktet zgjidheshin duke iu referuar të njejtës të vërtete. Përfaqësuesit e të vërtetës ishin klerikët të cilët zotëronin dijet më të mëdha si në shkencat ekzakte ashtu edhe në ato sociale. Kjo do të thotë që nëse një klerik gjykonte një konflikt e shqyrtonte çështjen racionalisht, duke marrë parasysh argumentet dhe evidencat por edhe lutej dhe mbështetej tek intuita. Verdikti pranohej nga të gjithë pikërisht për shkak se besohej tek drejtësia e vendosur kësisoj. Kjo pasi njerëzit e pranonin dogmën krahas arsyes racionale.
Me shkatërrimin e kësaj shoqërie nga iluministët, nisi epoka moderne. Iluministët, si Volteri, Rusoi, Kanti, Hegeli etj. Synonin ta riedukonin shoqërinë. Ky riedukim sipas tyre do të sillte prosperitet të madh duke mundësuar që njeriu të arrinte të ishte njëqindpërqind racional. Iluministët deklaruan se nëse njeriu brendësohet me dije gjithnjë e më tepër, duke u mbështetur vetëm tek arsyeja dhe racionalja si e vetmja provë e vërtetueshme, atëherë do të mundë të çlirohet nga zinxhirët e dogmës dhe të arrijë prosperitetin. Kështu iluministët deklaronin se njeriu do ta zotëronte të gjithë të vërtetën mjaft që ta braktiste dogmën pak e nga pak. Në këtë epokë, nuk merreshin parasysh ndjesitë, intuita, parandjenja, besimi etj. Pasi gjithçka që arsyeja duhet të merrte në konsideratë ishin argumentat logjike dhe faktet empirike. Kështu bëhej edhe gjykimi mbi përplasjet, mosmarrëveshjet dhe çdo konflikt tjetër.
. Brenda këtij sistemi kishte edhe disidentë. Këto disidentë ishin romantikët. Romantikët ishin një rrymë e cila u konsolidua në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Kjo rymë arriti të depërtonte natyrshëm në shoqëri për shkak se heroi i romantizmit ishte njeriu i cili nuk mbështetej vetëm tek racionalja, por ndiqte edhe ndjenjat e veta, pasionet, emocionet ndjesite, intuitën, besimin etj. Ky hero u portretizua në letërsi, pikturë, teatër, muzikë etj. Duke dhënë kështu një impuls iracional brenda një sistemi i cili e luftonte këtë. Epoka moderne nuk ia doli që ta arrinte qëllimin e saj. Duke u mbrujtur me këtë doktrinë, e gjithë epoka katërqind vjeçare e modernes, u krodh në tentativën për tu racionalizuar në mënyrë komplete mirëpo siç e vërtetoi dhe koha njeriu nuk mundi ta zotërojë të vërtetën plotësisht pasi e vërteta nuk qenka e gjitha racionale. Mirëpo në vend që njeriu ta kuptonte se duhet të rimodelonte të shkuarën për ta aplikuar në të ardhmen sikurse këshillon Edmund Burke, ai shkoi edhe më larg. Me Friedrich Nietzsche (në shqip Niçe) iracionalja mori një hov të ri, aq sa e kaloi balancën. Sipas Niçes arsyeja, shtylla e racionales u shpik nga njerëzit e pafuqishëm si hile ndaj njerëzve të mëdhënj. Ai thoshte se e vërteta nuk ngrihet mbi argumenta e evidenca, sikurse proklamonte modernja, por vetëm mbi interpretime. Kështu, njeriu do të duhej të hiqte dorë nga arsyeja dhe të vepronte njëqindpërqind iraciopnalisht. Kjo doktrinë u bë baza për epokën pasuese, atë postmoderne. Shoqëria brenda së cilës jemi edhe ne të gjithë.
Në shoqërinë postmoderne e vërteta nuk është më transhendentale dhe objektive sikurse në shoqërinë tradicionale, as njëqindpërqind objektive si në shoqërinë moderne por njëqindpërqind subjektive. Kjo do të thotë që secili të ketë të vërtetën e tij personale, të cilin nuk duhet ta ndyjë me të vërtetat e tjetrit. Scili e zotëron të vërtetën së brendshmi për aq kohë sa nuk ka fakte të pranuara bashkarisht por vetëm interpretime subjektive. Në postmoderne ne të gjithë duhet t’i shërbejmë vetëm të vërtetës tonë personale dhe të sillemi medoemos iracionalisht në mënyrë që të përputhemi me vizionin e sistemit. Kjo do të thotë që të gjithë ne duhet të respektojmë tjetrin ashtu siç është, pa e gjykuar, madje duke e lavdëruar për çdo veprim të tij i cilësdo forme qoftë ai duke e justifikuar me sloganin “ashtu e ndjente, ashtu veproi”.
Kjo situatë e tmerrshme në fakt ende nuk i ka lëshuar filizat e para pasi kemi ende mbetje të modernes si përshembull shkolla (e cila ofron dije objektive dhe racionale) apo institucionet si administrata, gjykata, etj. Ne jemi duke jetuar vetëm fazën e parë të shoqërisë postmoderne. Fazë e cila na lejon ende të gjykojmë për të drejtën dhe të gabuarën, për të vërtetën dhe të pavërtetën. Sot ne mundet ende të themi se kemi fakte të cilat tregojnë që i pandehuri ka kryer krimin, por shumë shpejt do të vijë koha kur krimineli do të mund të thotë “ky është mendimi juaj, është mënyra se si ju i shihni gjërat, unë kam këndvështrimin dhe mendimin tim dhe do të duhet ta respektoni këtë”.
Gjurmët e para të një katastrofe të tillë janë pikërisht sjellje si kundërvënia dhe largimi si qasje ndaj konfliktit. Këto dy sjellje janë të përputhshme tipikisht me fjalinë e mësipërme “ky është mendimi juaj, është mënyra se si ju i shihni gjërat, unë kam këndvështrimin dhe mendimin tim dhe do të duhet ta respektoni këtë”. Në rastin e parë, sjellja ndaj konfliktit do të thotë të mos pranosh faktet racionale por t’i kundërvihesh në mënyrë iracionale. Duke i dhënë kështu kënaqësi të pamasë Niçes. Po ashtu edhe në rastin e dytë largimi apo shmangja ndaj konfliktit i shërben ndjesive personale dhe dëshirës subjektive për të mos u marrë me të vërtetën dhe faktet e saj por për tu larguar drejt vetkënaqjes së iracionales brenda teje. Gjithnjë e më tepër sistemi na inkurajon të mos i pranojmë faktet dhe të sillemi sa më pak të mundemi objektivisht. Shpesh aq sa të mos pranojmë fare se ka një konflikt por të sillemi duke perjetuar momentin dhe duke mos arsyetuar rreth të shkuarës dhe të ardhmes.
Sjella shume pak e aplikuar është sjellja asertive. Kjo sjellje jo vetëm që është e huaj për epokën postmoderne por madje edhe për atë moderne. Sjellja asertive të ushqen që të marrësh në konsideratë të gjitha faktet dhe arsyetimet e mundshme deri në maksimum. Mirëpo siç kemi provuar më sipër iracionalja nuk mund të pushkatohet. Sjellja asertive na shtyn që pas proçesit të gjatë racional, të hidhemi edhe në një përjetim iracional. Të vendosim veten në vendin e tjetrit, të kuptojmë ndjesitë e tij veç argumenteve, të shohim pastërtinë e qëllimeve të tij, të dëgjojmë ndërgjegjien etj, pra të dalim jashtë kufinjve të iracionales por duke mos i kthyer kurrizin asaj. Kështu sjellja asertive na harmonizon aspektin tonë të jashtëm me atë të brenshëm, racionalen dhe iracionalen, të dukshmen dhe të padukshmen, të kuptuarit dhe të ndjerit e kështu e me radhë.
Sidoqoftë të sillemi asertivisht do të thotë të veshim rrobat e shoqërisë tradicionale e cila pranonte edhe arsyen edhe dogmën, gjë që epoka në të cilën jetojmë e çinkurajon shumë fort. Kjo epokë na ushqen që të mbahemi fort vetëm pas përjetimeve tona momentale, na ushqen që të sillemi iracionalisht dhe të kërkojmë më ngulm që të tjerët të na respektojnë, dhe na ushqen që të ndjekim përfitimin tonë maksimal. Pikërisht në këtë moment të fundit postmodernja gjenedhe forcën e saj ripërtëritëse. Shpesh, na thotë ajo, do të duhet të sillemi edhe si racionalë, por kjo vetëm për hir të përfitimit tonë momental, i cili do të na mundësonte që ta shijojmë ekzistencën tonë edhe më gjatë. Ajo po kështu thotë, do të duhet që të respektojmë çdo mendim, arsyetim apo fakt, sepse vetëm kështu do të mund të bashkëjetojmë si të barabartë. Me anë të këtij mekanizmi, postmodernja e përfshin edhe racionalen brenda vetes duke e quajtur në fakt një prej mënyrave të interpretimit subjektiv. Kështu që armikja më e madhe e postmodernes, arsyeja, kthehet në një mjet ose instrument i cili e legjitimon postmodernen sa herë që shfaqet. Kështu edhe kur një njeri shumë racional arsyeton në mënyrë ezauruese, përgjigjia e postmodernes do të ishte si ajo e kriminelit të mësipërm ““ky është mendimi yt, është mënyra se si ti i sheh gjërat, unë kam këndvështrimin dhe mendimin tim dhe do të duhet ta respektosh këtë ashtu sikurse unë bëj reciprokisht”.