Emrat e përveçëm të njerëzve, kanë gjithmonë domethënie. Madje edhe XÆA-12, emri që Elon Musk i vendosi njërit prej fëijëve të tij, ka po aq domethënie. Këtë domethënie emrit ia vendos (përgjithësisht) prindi, bazuar në kontekstin social që e rrethon. Emrat e njerëzve e bartin këtë domethënie të paracaktuar, e nuk vendoset një emër si kallëp që pritet të mbushet me domethënie me kalimin e kohës.

Kur themelohet një grupim, organizatë, iniciativë apo qoftë edhe vetë shtet-kombet, çështja e emrit nuk është lëvizja alfa, por me siguri vendimi për emërtimin ka peshë madhore, për shkak se tek një fjalë a togfjalësh duhet distiluar e gjithë esenca e mesazhit që qëndron në thelb të identitetit me të cilin entiteti duhet t’ia shpallë veten botës. Ky është një moment i vështirë edhe për partitë politike. Kur vendos emrin e vet, partia politike duhet që të kompresojë brenda një fjale, përveç domethënies apo mesazhit, edhe një bosht të identitetit të vet ideologjik, por edhe një element përbashkues të kolektivitetit të anëtarëve të saj. Prandaj shpesh çështja bëhet e rëndësishme e gati thelbësore.

Që prej shekullit të nëntëmbëdhjetë, me Saussure e më pas me post-strukturalistë si Derrida e Laclau, semiotika analizoi përdorimin linguistik të “Shenjuesve Bosh” (apo shenjuesit pluskues). Thënë thjesht, shenjuesi bosh, është një emërtim i pa lidhur ekskluzivisht me një të emërtuar destinatar. Thënë edhe më thjeshtë, nëse emërtimet karrige, zebra, krehër, laptop, etj., kanë një marrëdhënie ekskluzive me objektin që emërtojnë, ndryshe ndodh me emërtimet si: interes publik; zhvillim; ndjesi pozitive; mirëqenie; integrim; ndërkombëtarët, etj. Këto koncepte mund të mbushen e zbrazen në varësi të përdoruesit dhe kontekstit. (Për nevoja të këtij shkrimi nuk do të shkojmë më tej tek Kant, Niçe apo Vitgenshtajn për marrëdhënien mes kategorive, koncepteve, arketipit dhe objektit të mëvetshëm)

Partitë post-komuniste në Shqipëri i vendosën emrat e tyre në mënyrë thuajse totalisht klishe. Partia Republikane, Demokratike, Socialiste, Agrare, etj. Këto parti u themeluan dhe drejtuan nga gjenerata e lindur dhe e mbrujtur në komunizëm dhe domethënia e emërtimeve ishte dhe është sipërfaqësore. Domethënia e emërtimeve shërbente vetëm simbolikisht; si formë e jo si përmbajtje; si titull e jo si ‘Brand’; e mbi të gjitha si dëshmi e perëndimorizimit të dëshiruar.

Emërtimet e këtyre partive, sigurisht që ishin shënjues bosh, por, përgjatë dekadave ato u mbushën me domethënie prej ligjërimit dhe ngjarjeve nëpër të cilat kaluan. Ndërkohë në dekadën e fundit, në Shqipëri janë themeluar parti të reja, të drejtuara dhe milituara nga një brez tjetër i njohur si milenialët. Këta individë që pretendojnë se janë më kreativë dhe bashkëkohorë, nuk zgjodhën të emërtojnë partitë e reja duke u dhënë domethënie a qëllimshmëri por ranë në grackën e shënjuesve bosh. I vetmi ndryshim nga partitë e vjetra, në këto emërtime, është se ky brez ka ndjeshmëri më të lartë mbi “Brand-in” dhe për rrjedhojë përpiqet të përcjellë një mesazh. Mesazh aspirues, por gjithsesi eterik, pra bosh.

Objekti i kësaj analize janë pikërisht partitë: Thurje; Vetëvendosje; Bashkë; Shqipëria Bëhet; Mundësia; apo së fundmi Euroatlantikët. Le t’i marrim me radhë këto njësi politike, për të kuptuar vlerën e këtyre emërtimeve me synimin për të kuptuar domethënien reale të këtyre entiteteve.

Nisma Thurje u themelua nën skenografinë mes një balloje me maska të tipit “Eyes Wide Shut” dhe një kopjeje të lëvizjes “Occupy-anonimous” si për të theksuar se qytetarët po ngrihen kundër sistemit. Sot e drejtuar nga një djalë i doktoruar në “Oxford” si Endrit Shabani, kjo parti është marketuar si një grupim i profesionistëve të rinj, por që në vend të ekspertizës mbi politikat publike, e vetmja gjë që ofron (në traditën klasike marksiste) janë diagnozat mbi çfarë shkon keq.

Vetëvendosje, është partia që për hir të së vërtetës ka një thelb ideologjik. Një parti neo-marksiste, e kamufluar në opozitë me patriotizëm që me të marrë pushtetin në Kosovë u kthye në pragmatiste nën sloganin e padeklaruar se “meqenëse qëllimet  dhe premtimet nuk i arrijmë dot, do të zbatojmë ato politika që funksionojnë brenda shumë kufizimeve që kemi”. E që mbi të gjitha, e tradhtoi shenjuesin e vet bosh, emërtimin, duke bërë diametralisht të kundërtën e vetëvendosjes, negociatat me Serbinë. Sot thuajse e shpërbërë në Shqipëri ndoshta për shkak edhe të mungesës së liderit të tyre Kurti në terrenin vendas.

Lëvizja Bashkë, është ndoshta më e rrezikshmja në hapësirën politike për shkak se është themeluar dhe mbushur me neo-komunistë të betuar, të rekrutuar kryesisht nga pedagogu Arlind Qori. Të thuash bashkë, do duhet të përcaktosh, kush do të jetë bashkë me kë. E në një parti politike ku sipas përkufizimit, individët pjesëmarrës dhe votuesit i bashkojnë parimet, idealet, ose interesat, me lëvizjen bashkë mund të bashkohet vetëm komunistët e rinj, ose votuesit aksidentalë që votojnë nën vellon e injorancës, mungesës së informacionit apo protestës ndaj partive të tjera. E në fakt velloja është pikërisht emërtimi ‘Bashkë’ i një grupimi të izoluar brenda shoqërisë shqiptare. Pastaj të thuash bashkë dhe të jesh kundër të gjithëve, pa pranuar aleanca, (pra bashkim) është paradoks më vete.

Shqipëria Bëhet, nuk ka treguar deri më sot asnjë mënyrë se si bëhet Shqipëria. Aq më pak se çfarë duhet të bëhet. E përbërë prej aktivistësh dhe profesionistësh të talentuar, kjo lëvizje politike ende nuk ka dalë nga metoda e diagnozës denoncuese, për të ofruar një identitet të qartë. Ende nuk ka deklaruar as ideologjinë motivuese dhe as zgjidhjet politike konkrete që e bëjnë Shqipërinë atë që sot nuk është. Adriatik Lapaj do duhet fillimisht të përcaktojë se kush do të bëhet vetë, për të kuptuar votuesit se çfarë do të bëjë kjo parti.

Mundësia është dukshëm një parti e cila pretendon të kalërojë vota të elektoratit të djathtë të zhgënjyer. Noshta e themeluar nga Agron Shehaj si një frymëzim prej modeleve botërore të biznesmenëve politikanë, ‘Mundësia’, në ngjarjen e vet themeluese dëgjoi nga drejtuesit e vet, po aq boshllëk retorik-patetik sa edhe vetë emri që i shpallën.

Euroatlantikët janë rasti më flagrant, e në kufijtë e qesharakes për sa u takon shënjuesve boshë si emër partie. Ky koncept, që dyshoj se përdoret politikisht tjetërkund veç Shqipërisë, është i denjë vetëm për ndonjë kompani fluturimesh ose në rastet e parashikimit të motit. Drejtuar nga një ish-kandidat për kryeministër si Lulzim Basha, euroatlantikët nuk kanë asnjë mundësi për domethënie.

Do kishte mjaftuar që brenda këtyre partive të vogla të kishte besimtarë të zëshëm të cilët nuk do të lejonin formë pa përmbajtje, ligjërim pa domethënie dhe emërtim pa kuptim qenësor. Ngase në Shkrimet e Shenjta, Zoti përcakton njeriun si dominuesin e të gjitha sendeve dhe gjallesave, dhe si emërtuesin bashkëekskluziv të gjithçkaje mbi Tokë. “Dhe Perëndia formoi nga dheu të gjitha kafshët e tokës e të gjithë shpendët e qiellit. I solli para njeriut, për të parë sesi do t’i quante. Çfarëdo emri që njeriu do t’u vinte, ai do të ishte emri i tyre.Bibla 2:19 si dhe “E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve), pastaj ato ua parashtroi engjëjve dhe u tha: “Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara), nëse jeni të dijshëm?Kuran 2:31. Pra njeriu është ai, që me bekimin e Zotit lidh emërtimin, me konceptin dhe domethënien. Çdo metodë tjetër është boshe, për të mos shkuar më tej.

E rëndësishme është të kuptohet se përse ekzistojnë këto emërtime për këto parti. Shkencat politike na vijnë në ndihmë kur shpjegojnë partitë e tipologjisë “Parti me strehë të gjerë” (Big Tent) apo “Kap ç’të kapësh” (Catch-all). Kjo tipologji përshkruan dhe përmban partitë të cilat për hir të masivizimit dhe maksimizimit të votave që duan të fusin në thesin e tyre, janë të gatshme të mos përfaqësojnë asnjë ideologji klasike dhe të prezantojnë politika publike të përziera me qëllimin që të mbërrijnë asocimin me lloje sa më të ndryshme dhe sa më të gjera të elektoratit. Të gjitha këto parti me emërtime boshe kërkojnë një elektorat me vota bosh. Nën iluzionin e pluralizmit, në emër të ndryshimit, për hir të demokracisë. Zhytur në shënjues bosh, pa kuptime, domethënie dhe as esencë. Ajo që u mbetet këtyre partive është ose të korrigjojnë koherencën formë-përmbajtje / emërtim-domethënie, ose të presin 30 vjet sa të mbushet emërtimi me domethënien që i japin ngjarjet dhe ligjërimet politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *