Shkenca politike greke studionte kushtetutat e deriatëhershme dhe përgjithësonte marrëdhëniet mes natyrës njerëzore dhe veprimit politik. Ndoshta instrument ii tyre më i fuqishëm ishte teoria e cikleve politike. Ajo thotë se mbretëritë priren të degjenerojnë në tirani, tiranitë përmbysen nga aristokracitë, të cilat degjenerojnë në oligarki dhe shfrytëzojnë popullin e të cilat rrëzohen nga demokracitë që në vetvete degjenerojnë në paqendrueshmëri të patolerueshme të sundimit të masave prej nga ku del një lider i fuqishëm i cili vetëvendoset si mbret e kështu cikli ia nis nga e para.
Nëse e aplikojmë bruto këtë përshkrim mbi boshtin kronologjik të shtetit shqiptar, shkon me vend përputhja. Nga mbreti tek tirania e diktaturës komuniste, tek aristokracia e themeluesve të partive pluraliste, tek oligarkia e sotme e parisë politikane-kriminele-pasunare. Kjo rastësi na bën të mendojmë nëse vërtetë pasi kemi hequr gjithë të zezat, a ka ardhur koha për demokraci? Kjo është ajo që lideri i opozitës Lulzim Bash apo kërkon të proklamojë nga çadra e protestës përpara kryeministrisë.
Robert Dahl, në Democracy and its critcs, na kujton se në Greqinë e lashtë, qeveria nuk shihej e ndarë prej polisit si dy ente të ndryshme. Pra për grekët polisi ishte qeveria dhe qeveria ishte polisi. Një vete e shprehur në dy forma. Sikurse një individ ka jetë publike dhe private. Dahl shkon më tej dhe na përshkruan se ky parim ngrihej mbi idenë se jeta politike është vazhdim i asaj private të bashkuara tek vetja në mënyrë harmonike. Ku vlerat nuk janë të fragmentuara, por koherente: lumturia është e lidhur me virtytin, virtyti me drejtësinë dhe drejtësia me lumturinë.
Prej brenda çadrës Basha gjithashtu na ka rrëfyer se ardhja në pushtet nesër e opozitës së sotme do të përbënte themelimin e një “Republike të re”. Një republikë e re demokratike, ku siç thotë ai ditë pas dite, do të mbretërojë ndershmëria, virtyti dhe meritokracia. Mirëpo që ta besojmë se vërtetë jemi në prag të një fenomeni kaq të rëndësishëm politik, do të duhet që më parë të bindemi se ky vizion ka një bazë të njëmendtë evidencash të cilat janë aq kokëforta sa nuk të lejojnë tjetër rrugë por se të besosh se, po, …ardhja në pushtet e opozitës do ta sillte këtë republikë të re. Me ta kuptuar këtë, duhet të pranojmë se Bashës i mbetet barra e parashtrimit të këtyre evidencave.
Deri më tani, kemi dëgjuar disa premtime të dobëta e të përgjithshme si ato për pensionet e pleqërisë dhe taksën e sheshtë. Të cilat aq sa . Të cilat aq sa ç’ duken specifike, aq janë edhe të përgjithshme. Do të duhej në fakt një program i tërë qeverisës në mënyrë që së pari të bindemi se opozita e sotme nuk do të jetë nesër si qeveria që kërkon të rrëzojë. Në fakt jo vetëm një program qeverisës, por do të na duhej “Programi Qeverisës”. Ai, i vetmi që mund ta bëjë këtë kapërcim nga oligarkia në demokraci. 5 premtime këtu dhe dy fjalime atje nuk janë strategjia e denjë për të sjellë Republikën e Re.
Themelimi i Republikës së Re, Meriton shumë më shumë se kaq. Meriton një rishikim të regjimit në vetvete duke marrë parasysh që guri i themelit të regjimit aktual, kushtetuta, shkelet dhe baltoset kaq shpesh dhe kaq shumë. Meriton një vision të ri për sistemin, që do të thotë se duhet të rikthejmë zbatimin real të ndarjes së pushteteve tek përkufizimi i letrave të federalistit. Meriton pastaj atë që sot Partia Demokratike nuk e ka, një program për të qeverisur në republikën e re. Një kontratë të re me shqiptarët.
Që të blesh një shtëpi të re kur nuk ke para, do të duhet të marrësh kredi. Mirëpo që të marrësh kredi duhet të kesh aftësi shlyese për bankën. Kjo do të thotë se duhet të punosh për të fituar mjaftueshëm të ardhura mujore. Ndaj, këshilla më e mirë për opozitën ndoshta do të ishte që, përpara se të themelojë republikën e re, t’i futet punës prej vërteti dhe ndër të tjera, të ndërtojë një program prej vërteti. Vetëm kështu qytetarët nuk do të jenë vetëm votues por do të bashkohen si pjesëmarrës në misionin e ndërtimit të republikës së re.