0013729e477111f4201333Në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, koncepti i fuqisë, është një element themelor që karakterizon të gjithë sistemin e politikës ndërkombëtare. Kjo, sidomos, për qasjen realiste, e cila e sheh fuqinë si bazën e mjeteve dhe qëllimeve. Mund ta ilustrojmë qartë këtë konceptim përmes E.H. Carr i cili e sheh thelbin e marrëdhënieve midis shteteve si marrëdhënien mes të fortit dhe të dobëtit (Versioni elektronik PDF). Gjithsesi, edhe pse shumë studiues të Marrëdhënieve Ndërkombëtare e kanë konsideruar elementin e fuqisë siç konsideronte Aristoteli dikur ‘lëvizësin e palëvizshëm’, sërish mungon një përkufizim i qartë se çfarë do të thotë fuqi. Për ta kuptuar më mirë këtë koncept, na duhet që të ndalemi në tre momente kryesore:

Sociologu gjerman Max Weber na e ka sqaruar me kohë përgjigjen për pyetjen e parë. Ai e ndan konceptin në Macht (Fuqia në përgjithësi) dhe Herrshaft (pushteti imponues), (Guzzini, 2007:16). Në këtë këndvështrim sociologjik, do të shohim se fuqia si koncept nuk është unitare, por mund të dikotomizohet. Mirëpo për ta afruar analizën tonë me disiplinën e Marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe për t’i dhënë përgjigje pyetjes së dytë, na duhet që të konsiderojmë edhe përcaktimet që i bën fuqisë Karl W. Deutsch. Sipas tij, fuqia nuk përcaktohet vetëm nga armatimet dhe sasia e tyre, por edhe prej territorit, njerëzve, njohurive dhe burimeve në përgjithësi (Deutsch, 1978). Kështu, koncepti i fuqisë nuk është më dy, por shumë. Kjo e bën fuqinë që njëfarësoj të konceptohet edhe si “monedha e politikës”. Tek punimi i tij rreth fuqisë së butë (Soft Power), Joseph Nye kërkon të hetojë se si, pas përfundimit të luftës së ftohtë, sistemi po ndryshon drejt një organizimi shumëpalësh dhe të ndërvarur dhe se si fuqia po e ndryshon politikën botërore (Nye, 1990). Duhet të kuptojmë se duke përdorur fjalën ndryshim Nye e merr si të mirëqenë faktin se fuqia nuk është një koncept i dhënë njëherë e përgjithmonë në këtë disiplinë, por në fakt me dinamizmin e vet, ky koncept arrin të depërtojë deri në strukturën më të thellë të sistemit ndërkombëtar. Sipas këtij autori, këto ndryshime që kanë ndodhur me kohën në përcaktimin e fuqisë janë shkaktuar prej këtyre faktorëve (Nye, 1990) :

Prej këtyre premisave, mund të deduktojmë se koncepti i fuqisë përmban disa struktura të ndryshme që vijnë prej sferave të ndryshme te politikës botërore. Praktikisht, e kemi ndarë konceptin fillestar në dimensionet e a) lëvizjes së lirë; b) ekonomisë; c) sigurisë; dhe d) teknologjisë. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Nye nuk e merr në konsideratë fuqinë në aspektin ushtarak, mirëpo sikurse edhe ai vetë e thekson në punimin e vet të 1990-ës, ka lindur nevoja që konceptin ta mbushim me të dhëna të reja që na sjell ndërvarësia ndërkombëtare. Edhe pse duhet thënë se këtë ide nuk e gjejmë të shkruar në punim fjalë për fjalë, mënyra e tij e të arsyetuarit na çon vetë në këtë analizë. Më tej ai na paralajmëron se në analizën e tij, ka një diversitet të gjerë çështjesh, dhe për rrjedhojë hierarkia nuk është statike. Për ta mbështetur këtë argument Nye na sjell ndërmend se në qoftë se Japonia, do të ndërtonte pa shumë kosto një bombë bërthamore (duke qenë se teknologjinë e ka), asaj do t’i duhej të përballej si me problemet e brendshme, ashtu edhe me komunitetin politik ndërkombëtar.

Megjithatë, në tezën e tij shkencore, Nye nuk e shkurajon përdorimin e fuqisë ushtarake. Fuqi të cilën më pas do ta përcaktonte si “Fuqi e fortë” (hard power). Ai në fakt sjell argumente se fuqia ushtarake, nuk është më e aftë që ta mbushë të gjithë sferën e fuqisë së një shteti. Pasi na përshkruan sesi fuqia ka ndryshuar në kontekstin e politikës botërore, ai na tregon pesë faktorë të cilët në bindjen e tij ndikojnë në shpërndarjen e fuqisë:

Nëse këto pesë faktorë i krahasojmë me ato që kemi përmendur më sipër, mund të shohim se këto faktorë janë shumë të lidhur me shpjegimin e fenomeneve të ndryshimit të kuptimit të fuqisë. Ky është pikërisht mesazhi që kërkon të shtjellojë autori. Kur Ai thotë se fuqia është një marrëdhënie, ai për rrjedhojë implikon se ekziston edhe një kontekst. Ndër pesë faktorët e sipërpërmendur, duket se më i rëndësishmi është ai i fundit. Ndryshueshmëria e çështjeve ndërkombëtare. Tek kjo vepër, ai thekson se shumë prej çështjeve aktuale të ndërvarësisë midis shteteve kanë nevojë për veprime të përbashkëta dhe bashkëpunim ndërkombëtar (aty përmend Çernobilin dhe tregun e kokainës në Peru). Kapaciteti për komunikim ndërkombëtar efektiv, si dhe zhvillimi i institucioneve shumëpalëshe do të jenë gjithnjë e më të rëndësishme në kontekstin që na jep sistemi ndërkombëtar i pas luftës së ftohtë.

Pasi na ka treguar se si këto pesë faktorë ndikojnë mbi frymën e përgjithshme të sistemit, se si ndryshimet në informacion sjellin edhe ndryshim të formës së fuqisë ushtarake, Nye na sugjeron një lloj të dytë të ushtrimit të fuqisë: Fuqinë e Butë. Me termin fuqi e butë, autori nënkupton një situatë politiko – strategjike “që ndodh kur një vend e shtyn vendin tjetër që të dojë atë gjë që do vendi i parë” (Nye, 1990:16). Kësisoj, Fuqia e Butë bën kontrast me Fuqinë e Fortë pasi kjo e fundit do të thotë që një vend ta urdhërojë një vend tjetër që të bëjë atë që ai do. Nye, duke bërë këtë ndarje, realizon me nocione politike atë që Weber bëri me nocionet sociologjike: ai dallon Macht-in (Fuqinë e Fortë) me Herrshaft-in (Fuqinë e Butë). Nëse mund ta tregojmë me fjalë të tjera, Fuqia e Fortë përdor presionin dhe kërcënimin, ndërkohë që Fuqia e Butë, përdor nxitjen dhe joshjen. E para punon përmes parave, armëve dhe fuqisë ushtarake. E dyta punon përmes ideologjisë, kulturës dhe institucioneve (Nye, 1990:267).

Kështu mund ta kuptojmë më thjeshtë që Fuqia e Butë rrjedh pikërisht prej kulturës së të jetuarit, tek politika e jashtme, tek shfaqja e aftësive intelektuale apo artistike, dhe deri tek joshja politike. Mbi këtë premisë mund të themi se sa më tërheqëse të jetë Fuqia e Butë, aq më shpejt dhe aq më shumë do të arrihen rezultatet e kërkuara. Sipas vetë Nye-t, “Fuqia e Butë është aftësia për të marrë atë që kërkon përmes tërheqjes si për shembull kur politikat e tua shihen si legjitime në sytë e të tjerëve. Atëherë zmadhohet Fuqia jote e Butë” (Carnegiecoungil.org).

Tani që kemi shtjelluar se si Fuqia e Butë është aftësia e një vendi për ta strukturuar situatën në mënyrë të atillë që edhe shteti tjetër të punojë me dëshirë për interesin tënd, na duhet që të vëzhgojmë gjithashtu se cili është burimi i kësaj Fuqie, dhe cilat janë mjetet e nevojshme për ta vënë në jetë. “…tërheqja kulturore dhe ideologjike, rregullat, institucione të regjimit ndërkombëtar, emigrantët, filmat (hollivudjanë), korporatat ndërkombëtare, studentët e huaj, librat, muzika, faqet web në internet, fituesit e çmimit Nobel apo arritje të ndryshme shkencore, janë që të gjitha burime të joshjes dhe influencimit”( Carnegiecoungil.org). Në fjalët e vetë Nye-t, mund të gjejmë po ashtu edhe specifikimin e aftësive (që sipas tij janë tre):

Në pjesën e dytë të studimit të tij, autori përmend edhe raste të tjera të Fuqive të Buta të Amerikës si për shembull: pranimin e emigrantëve; respektin për demokracinë; të drejtat e njeriut; dominimin në komunikimin publik, etj. Për kritikët e neoliberalizmit të Joseph Nye-t, Fuqia e Butë konsiderohet shpesh si një element i pamatshëm dhe për rrjedhojë edhe i pakontrollueshëm në politikë të jashtme, por nga ana tjetër është vënë re se kjo lloj Fuqie, “është indirekte, sjell rezultate nëse ushqehet për një kohë të gjatë dhe vepron përmes këmbënguljes në vend të forcës” (Baylis dhe Grite, 2005). Është thënë gjithashtu se kjo Fuqi “është plotësisht e varur prej vullnetit dhe disponimit të vendit pritës, nuk ka synime të qarta dhe madje se terrorizmi gjithashtu mund ta përdorë” (Pleschova, 2008). Mirëpo në kuadër të studimit në këtë disiplinë na duhet të themi se elementi i Fuqisë së Butë është një përshkrim konteksti, sikurse e kemi cilësuar që në fillim të esesë, dhe jo një doktrinë normative që ofrohet si recetë suksesi. Na duhet të pranojmë që aplikimi i saj mund të jetë pozitiv ose negativ, varet ngushtë prej kulturës që e përdor dhe kulturës mbi të cilën përdoret.

Në përmbyllje të tezës së tij, Nye hamendëson se si administratat e ardhshme që do ta qeverisin Amerikën (duke implikuar kështu aplikimin edhe për shtete të tjera), mund ta përdorin Fuqinë e Butë. Ai përpiqet të argumentojë se mënyra më e mirë e përdorimit të kësaj Fuqie, është duke e vendosur atë në balancë me Fuqinë e Fortë (fuqinë klasike). Një prej evidencave që ai sjell, është se në vitin 2003 “Donald Rumsfeld nuk e “njihte” fare konceptin e Fuqisë së Butë dhe sipas sondazheve të Gallup-it në 29 vende të ndryshme të botës tregonin se politikat e Washingtonit kishin patur një efekt negativ në imazhin e tyre për Shtetet e Bashkuara” (Nye, 2004).

BIBLIOGRAFIA