Një popull për tallje

Image result for cadra e opozites"Ekonomisti amerikan i taksimit, Mancur Olson, na kujton në një prej eseve të tij, një barsoletë të hershme që qarkullon mes ekonomistëve. Barsoleta thotë se një student ekonomie dhe profesori i tij ishin duke shëtitur, teksa shohin në trotuarin përballë një kartëmonedhë njëqind dollarëshe përtokë. Studenti bën të kalojë rrugën por profesori e ndalon duke i thënë se kartëmonedha në fakt nuk është aty, pasi nëse do të ishte përtokë tashmë do ta kishte marrë dikush tjetër. Nëse e lexojmë disa herë këtë metaforë, do të na nxisë të mendojmë çdo herë për një element të ndryshëm të saj, mirëpo ndër mësimet kryesore që nxjerrim këtu është se ekonomistët priren t’i shohin njerëzit mbi të gjitha si homoeconomicus.
Po kështu edhe shkencëtarët politikë priren t’i shohin njerëzit si homopoliticus, agronomët si homoagricola, e kështu me radhë. Pra secila fushë e studimit përpiqet ta minimizojë njeriun në një karakteristikë të vetme përcaktuese. Mirëpo sigurisht që njeriu është njeri për shkak tëtotalitetit të qenies së tij dhe jo të karakteristikave partikulare, ndaj kjo qasje, në secilën fushë studimi, është veçse një induksion i paradështuar.
Po kaq i paradështuar është edhe induksioni që qeveria kërkon të realizojë mbi çadrën e protestës teksa e quan një bunker prej letre të përkohshëm. Për kryeministrin Rama, çadra e opozitës është një blof, pasi në sytë e tij, një parti politike, nëse ekziston, ekziston për të marrë pjesë në zgjedhje. Njëlloj si në metaforën e kartëmonedhës që ekziston vetëm nëse njerëzit e përvetësojnë. Mirëpo kryeministri bën të njëjtin gabim në logjikimin e tij, sikurse bën profesori i ekonomisë në metaforë. Njerëzit nuk janë vetëm homo economicus, dhe partitë nuk janë vetëm të etura për pjesëmarrje në zgjedhje.
Ky alogjikim i kryeministrit duket më shumë si një arrogancë politike dhe aspak një vlerësim i shqyrtuar i situatës në vend. Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë nisur në një rrugë pa kthim të bojkotit të zgjedhjeve me kushtet aktuale apo rregullat aktuale të lojës. Të mos e kuptosh këtë është amatorizëm. Lideri i PD Basha, e ka shprehur jo vetëm çdo ditë që prej 18 shkurtit, por madje disa herë në ditë se opozita do t’i bojkotojë zgjedhjet që duken në horizont. Aleatët e PD-së e kanë qartësuar gjithherë qëndrimin e tyre në krah të këtij bojkoti. Të mos e kuptosh këtë është amatorizëm. Opozita e ka shndërruar në fakt bojkotin, përmes protestës, bojkotit të parlamentit, mosregjistrimit për zgjedhjet lokale në Kavajë, dhe mosregjistrimit për zgjedhjet e përgjithshme. Të mos e kuptosh një veprim kaq të dukshëm është amatorizëm i pastër, dhe shpresë e verbër se problemet do të zhduken nëse ti i merr me shaka.
Një tjetër element që e bën protestën serioze dhe jo thjesht një blof politik, është fakti se opozita ka hequr dorë në një farë mase nga aspekti i vet partiak. Opozita është shndërruar në shoqëri civile. Kauza që opozita po nre përmes çadrës është ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kërkesa e garancisë për këtë kulturë zgjedhore është një veprim që në çdo vend tjetër të botës demokratike do të duhet t’i takonte për nga natyra një organizate të shoqërisë civile. Mirëpo në një vend ku OJF-të dhe OJQ-të janë ose të parëndësishme ose të blera dhe komanduara prej qeverisë, (nga OSFA – Fondacioni për një Shoqëri të Hapur nga SOROS; Olof Palme Centre; USAID etj.) i mbetet partive të këmbejnë uniformën dhe të dalin në rrugë.
Prandaj qartësia se kjo protestë nuk është një blof politik, është e dyfishtë. Të mos e kuptosh këtë është ose amatorizëm ose arrogancë. Ndoshta shqiptarët nuk e kanë problem në shumicë të kenë në krye një kryeministër arrogant, që nuk mban premtimet, dhe që sillet me karrigen si mbreti me fronin, mirëpo mundësia që shqiptarët ta tregojnë mençurinë ose pamençurinë e tyre me votë, duhet garantuar me çdo kusht. Deri sa kjo të realizohet, çadra duket se do të qëndrojë më këmbë si domosdoshmëri dhe kurrsesi si blof.