Ka nevojë për fare pak informacion për të kujtuar se diplomacia nisi si një sistem korrierësh mes qytet-shteteve greke për të përçuar një mesazh të caktuar. U pa me rëndësi që prej asaj kohe që të ruahej me rigorozitet siguria e korrierëve dhe kjo traditë është ruajtur e sanksionuar edhe sot përmes Konventës së Vienës mbi Marrëdhëniet Diplomatike (1961). Është fare e qartë pra se treni që mbërriti para pak ditësh prej Serbisë në Kosovë, përcolli një mesazh, pra ishte një korrier jo frymor. Si pasojë, ky tren nuk mund të gëzojë privilegjet e konventës së Vjenës, për shkak se nuk është një korrier, por në tërësi, një gjest.
“Treni nacionalist serb shkakton tensione në kufi të Kosovës”, shkruan Associated Press. BBC ka shkruar: “Treni serb nxit përshkallëzimin e tensioneve me Kosovën”. Ndërsa Reuters shkruan: “Kosova bllokon hyrjen e trenit ‘provokativ’ nga Serbia”. Për të mos përmendur më tej pasqyrimet dhe analizat nga mediat në rajon. Duhet të kuptojmë fillimisht se çfarë do të thotë ky pasqyrim, e më pas do të ndalemi tek analiza e gjestit.
Hedley Bull konsiderohet si një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të Shkollës Angleze, si një prej shkollave më të rëndësishme në disiplinën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në veprën e tij “Shoqëria Anarkike”, ai analizon se në mungesë të një autoriteti politik konsensual botëror, në kohët tona, njerëzimi është përpjekur të organizohet në shtet-kombe dhe institucione ndërqeveritare. Ai parashikon se nga sistemi ndërkombëtar ne po kalojmë në shoqërinë ndërkombëtare dhe më pas do të kalojmë në shoqërinë botërore. Për të folur më thjeshtë, nënkuptohet kalimi nga sistemi i anarkisë ndërkombëtare i të gjithë shteteve kundër të gjithëve, tek shoqëria e shteteve përmes grumbullimit të tyre në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunimi i tyre do të sillte shoqërinë botërore ku të gjitha problemet i përkasin të gjithëve.
Duke marrë shkas nga rasti i trenit serb në Kosovë, vlen sqarimi i mësipërm për të kuptuar se si përmes mediave ndërkombëtare CNN, AP, BBC World, Al-Jazeera, etj, njerëzit në të gjithë botën shqetësohen për të njëjtin problem. Kësisoj, kapitalizmi i shtypit, sikurse thotë Benedict Anderson, që ndihmoi dikur në krijimin e konceptit të kombit, po ndihmon sot në krijimin e konceptit të shoqërisë botërore.
Nëse kthehemi tek gjesti, për të na ndihmuar në analizë do të shqyrtojmë shkurt tri shkollat kryesore të studimit në disiplinën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare: Realizmi, Liberalizmi, dhe Konstruktivizmi. Të tria qasjet e konsiderojnë arenën ndërkombëtare një sistem anarkik, dhe për këtë ka një dakordësi të gjithanshme.
Realistët thonë se në një sistem anarkik, qëllimi i vetëm i shtetit është të sigurojë mbijetesën (të maksimizojë fuqinë, dhe mbrojtjen). Kjo do të thotë se secili mjet është i justifikuar (Lexo: Tukididi, Makiaveli, Hobbes, Morgenthau).
Liberalistët besojnë se shteti nuk është i vetmi aktor në marrëdhëniet ndërkombëtare, madje aktori më i rëndësishëm janë organizatat ndërkombëtare të cilat mundësojnë bashkëpunimin midis shteteve (lexo: Locke, Kant). Sepse, sipas analizës kosto-përfitim, në Dilemën e të Burgosurit, kostoja e mosbashkëpunimit është më e lartë sesa kostoja e bashkëpunimit.
Konstruktivistët, me një qasje jokonvencionale besojnë se anarkinë e bëjnë vetë shtetet (lexo: Alexander Wendt, Katzenstein, Onuf, Ole Wæver). Që do të thotë se realiteti ndërkombëtar është konstruksion social, prandaj ata fokusohen më shumë tek studimi i identitetit, ligjërimit, medias, elitave, sesa tek fuqia ushtarake apo ekonomike.
Shumica e vëzhguesve do të gjykonin menjëherë si realistë se treni serb është një shpalosje e fuqisë së shtetit, pra shteti sulmon, sepse mundet dhe është më i fortë se shteti tjetër. Mirëpo nëse shkojmë edhe më thellë, do të kujtojmë se marrëdhëniet Serbi-Kosovë, janë ngushtësisht të strukturuara prej institucioneve ndërkombëtare si Gjykat Ndërkombëtare (që vendosi për pavarësinë e Kosovës prej Serbisë), NATO (që ndërhyri ushtarakisht në Serbi), BE (që i kushtëzon Serbisë integrimin me dorëlëshimin ndaj Kosovës) etj. Në këtë nivel analize operuan edhe liderët politikë kosovarë dhe ambasadorët e “Quintit” në Prishtinë. Në deklaratat e tyre iu bëhej referencë këtyre institucioneve dhe proceseve ndërqeveritare Serbi – Kosovë. Pra elita e sheh gjestin me syzet e Liberalistëve.
Një analizë edhe më e thellë, edhe më e komplikuar, na mundëson të kuptojmë arsyen e vërtetë të dërgimit të trenit. Për konstruktivistët, gjesti nuk kërkonte të përcilltë asnjë mesazh, gjesti është vetë mesazhi. Treni pra, nuk është as agresion fizik, as shkelje e marrëveshjeve bilaterale. Treni është propagandë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka shqetësim, përkundrazi, propaganda është shumë më e dëmshme sesa dhuna. Madje më e dëmshme për popullin serb nga vetë elita serbe sesa për kosovarët.