“E vërteta do t’ju çlirojë” tha Jezu Krishti. Njeriu ka një marrëdhënie të trazuar me të vërtetën. Historikisht. Për hir të përtypjes do të bëjmë një kompresim të skajshëm në pak rreshta mbi këtë pohim. Prej sa mban mend njerëzimi, e deri me ardhjen e Krishtërimit, historia qendrore e njerëzimit na dëshmon se mes njeriut dhe të Vërtetës, kishte një marrëdhënie konfuze. Besohej se e Vërteta është transhendente, pra se zbret, dhe njeriu duhet t’i nënshtrohej. Mirëpo kishte paqartësi se kush e zbriste të vërtetën dhe nga ku. Shpirti, nga bota e ideve? Zoti diell Ra? Shiu dhe Era? Lumi? Yjet? Po të mendojmë ç’ dimë kolektivisht për Egjiptin e lashtë, do të përfytyrojmë lutjet dreëjtuar zotavem ku edhe faraonët bënin pjesë. Në këtë komunitet imagjinaro – të dukshëm ku brendkishte edhe fantazi edhe realitet. Trashëgimi që Greqia e lashtë e konturoi, thjeshtëzoi, kategorizoi, matematicizoi, por duke ruajtur mistikën e pyetjeve pse, si, çfarë dhe për ç’ qëllim është e vërteta. Epistemologjia, Gnoseologjia, Ontologjia dhe Teleologjiam lindën këtu. Me ardhjen e Të Vajisurit, konfuzioni u sqarua. Nga epoka antike hidhemi në tradicionale. E vërteta është e vetme. si Zoti, ajo zbret prej Tij, si dhuratë për njeriun, mëkëmbësin e Tijm në Tokë. Shekuj të keqleximeve, keqintepretimeve dhe keqpërdorimeve të asaj që vetë të Krishterët besonin si fjala e Zotit, Bibla e kishte humbur autoritetin për faj të vetë atyre që duhet ta sakralizonin pa ndarë. Rrëzimi i të vërtetave të Kishës mori me vete edhe të Vërtetën e Librit. Ashtu nisi epoka moderne, u rizgjua Helenizmi përmes Renesansës. Tashmë duhej ta zbulonte njeriu të Vërtetën. Ajo paskish qenë e pushtueshme njësoj si Kontinenti i Ri, njësoj si rruzulli që nuk kishte qenë vërtetë i sheshtë. Mendimtarët ia rinisën edhe njëherë garës drejto trofeut, të Vërtetës, njësoj si garës për kolonizime. Nga empirizmi te racionalizmi te iluminizmi, me thyerje nga idealizmi e romantizmi. Me katapult në ideologji tek komunizmi e nazizmi. E Vërteta në këtë rikonfuzim, duhet të shquhej. Provushmëria përmes metodës shkencore të eksperimentit, do të ishte kriteri i ri për të derdhur njeriu besimin e vet, diku. Luftrat Botërore e komplikuan në përmbysje marrëdhënien e njeriut me të Vërtetën. Ngjarjet dhe pasojat e gjysmës së parë të shekullit, kishin vërtetuar me eksperiment një të vërtetë tjetër: nuk ia vlente të kishte një të vërtetë, e aq më pak një garë drejt zotërimit të saj. Revolucioni seksual, marshimet për të drejtat civile, apo protestat studentore, kishin shënuar ardhjen e epokës postmoderne. Profeti i mëhershëm i kësaj epoke, është pa dyshim Friedrich Nietzsche me veprën e tij, e sidomos me postulatin “… nuk ekzistojnë faktet por vetëm interpretimet”. Tanimë secili mund të kishte të vërtetën e vet. Pa asnjë nevojë për ta garuar me dikënd. Pa asnjë nevojë për ta vërtetuar. Mjaft duke besuar se ka një të vërtetë dhe ajo ishte aty. Si pluhuri i Tringëllimës së Piter Pan-it. Çdo njeri mund të fluturojë drejt Kurrkundit. Ai ka të Vërtetën e vet.
Në historinë e njerëzimit, gjithëkahera ka ekzistuar propaganda. Nevoja për të bindur të tjerët mbi një të vërtetë alternative prej realitetit, apo një kënd shikimi që ndërfut përfytyrimin në gjykimin e realitetit. Propaganda është përdorur dhe përdoret në mënyra të ndryshme në shumë sfera të jetës. Në luftë, në biznes, në kulturë, në diplomaci, në media, dhe më së shumti në politikë. Sa për shembull, vepra e Tit Livit për historinë e Romës, është një shembull i glorifikimit propagandues të historisë së Romës.
Sun Tzu strategu ushtarak kinez i shekullit VI, filozof, dhe ndoshta mendimtari më i madh i ështjeve të srategjisë, na thotë në veprën e tij “Arti i Luftës”: “Luftëbërja bazohet tek hutimi. Kështu që kur kemi mundësinë të sulmojmë, duhet të dukemi sit ë pamundur; kur përdorim forcën tonë, duhet të dukemi sit ë paaftë; kur jemi afër, duhet ta bëjmë armikun të besojë se jemi larg; kur jemi larg dduhet ta bëjmë të besojë se jemi shumë larg”. Mësimet e tij e kanë kaluar testin e kohës!
Në biznes dhe tregëti, propaganda ka marrë me kohën formën e marketingut. Tregu, i cili për definicion është i lirë, e ka mundësuar zhvillimin e propagandës, si formë për të thënë të vërtetën e leverdisshme por pa mashtruar. Faza tranzitore mes propagandës dhe marketingut mund të shihet tek posterat e luftërave të shekullit të XX-të. Sidomos posterat britanikë, sovjetikë apo amerikanë, ku ndër më të famshmit janë femra e fortë amerikane me mëngët përveshur në punë që tregon muskujt apo burri me kapele cilindër i njohur si personifikimi i amerikës, “Uncle Sam” i cili drejton gishtin tek lexuesi dhe i thotë “Të dua ty në ushtri!”. Mirëpo marketingu, me detyrimin e tregut dhe konkurrencës, u pastrua prej elementeve të drejtpërdrejtë të propagandës. Për këtë temë, ai që njihet si Babai i Propagandës, Edward Bernays, bën këtë dallim: “Propagandisti i shkollës së vjetër i cili përdor kryesisht fjalën e shkruar, përpiqej ta joshte konsumatorin drejt blerjes së një artikulli në mënyrë të menjëhershme. Kjo qasje mund të përfaqësohet prej posterave reklamues që konsideroheshin dikur ideale për efikasitetin: “TI, bli këpucë me taka gome nga O’Leary TANI.” Ndërsa tregëtari i ri e ka gjetur mundësinë që të mbërrijë tek klientët përmes kategorizimit të tyre në grupe sociale, e të realizojë kontrollin e rrjedhave psikologjike dhe emocionale të tyre, dhe t’i drejtojë ata kah qëllimi i tij. Ai, në vend që t’i sulmojë konsumatorët përballë, krijon rrethanat që ata të shkojnë e të blejnë produktin e tij.”
Në kulturë, propaganda ka mundësuar përçimin e mesazhit subliminal. Edhe në shërbim të politikës ose biznesit. Këtu nuk do të ndalemi tek letërsia, si një formë e epërme e përçimit të mesazheve subliminale, pasi të folurit për letërsinë do ta gllabërontë brenda vetes gjithë artikullin. Arti ekziston vetëm për hir të artit. Shijimi estetik që i bën njeriu artit, është vetë telosi i artit.
Në vitin 9141, në një transmetim në radio BBC, George Orwell mbajti një ligjëratë mbi kufinjtë mes artit dhe propagandës. Ai u fokusua kryesisht tek propaganda e dekadës së kaluar. Për shkrimtarin e madh, që prej viteve 1890, arti e kishte humbur kuptimin e artit për hir të artit. Deri në vitet ‘20, artistët ende i jepnin rëndësi teknikës estetike, mirëpo me ardhjen e viteve ‘30, nazizmi dhe depresioni ekonomik global, e bënte të pamundur ruajtjen e distancës estetike të nevojshme të artit prej sferave të tjera të jetës. Çdo artist duhet të mbante anë. Orwell kishte pavendosmëri lidhur me këtë fenomen. Nga njëra anë ai ishte i lumtur se ideja që letërsia nuk mund të shkëputej prej politikës, po vërtetohej, e nga ana tjetër ishte i shqetësuar se nëse letërsinë e vinte nën zotërim propaganda, atëhere mendjet e dhjetra shkrimtarëve të rinj do të binin pre e përjetshme e ideologjive si marksizmi e nazizmi, të cilat e bëjnë të pamundur ndershmërinë mendore. Orwell, i cili luftoi edhe kundër fashizmit në Spanjë, kishte shkruar në ditarin e tij “E gjithë propaganda është gënjeshtër, edhe kur përdoret për të thënë të vërtetën”.
Në filma, shembullin më të mirë të përdorimit të artit për propagandë mund ta japim përmes industrisë së filmave “Hollywood”. Që nga filmat që mbështësin luftrat e amerikanëve dhe përçojnë mesazhin se kush merr pjesë në luftë kthehet hero në atdhe si “The Longest Day”, “Patton”, “Citizen Kane”, e deri tek filmat si “Platoon”, “Apocalypse Now” apo “The Deer Hunter”, që dënojnë luftën dhe demoskojnë propagandën pro saj. Këto filma, mesazhet propagandistike i lëshojnë kryesisht përmes dialogut apo narrativës së përgjithshme të filmit, pork a filma, si ato të kompanisë Disney, që prej vitesh akuzohen se përmes filmave vizatimorë, përçojnë mesazhe të fshehura seksuale, subliminale, për të mbërritur tek e pandërgjegjshmja e fëmijëve, me qëllimin që brezat e rinj të rriten edhe më të çliruar dhe pranues seksualisht. Një shembull të fundit do ta japim lidhur me fillesat e filmave, pra në fillesat e shekullit të kaluar. Truri i njeriut është llogaritur se percepton përmes syrit, 10-12 imazhe për sekondë, çdo frekuencë më të lartë se kaq, e percepton si lëvizje. Kështu, frekuenca e lartë e fototve që kalojnë njëra-pas tjetrës na bëjnë të mendojmë se po shohim lëvizje. Në vitet ’20-’30, në tranzicionin nga filmi pa zë në atë me zë, kompani të mëdha si Coca-Cola, me ndihmën e ekspertëve të propagandës, provuan një eksperiment. Duke qenë se filmat e kohës, prodhoheshin me 24 foto për sekondë, ata blenë hapësirën për një foto / 24, për çdo disa minuta. Kështu, në filmin prej 30 minutash, nje foto e logos Coca-Cola do të shfaqej në film. Sigurisht që truri nuk do ta perceptonte, mirëpo e pandërgjegjshmja e shikuesit do ta përjetonte. Bazuar në studimet tashmë të konsoliduara të Sigmund Freud mbi të pandërgjegjshmen, ky eksperiment pati sukses. Kompani të fuqishme e përdorën disi fshehtas këtë teknikë propaganda, derisa qeveria amerikane e ndaloi përdorimin e mesazheve subliminale në filma në vitet ‘70.
Në media, propaganda jeton thellë në zemër. Si mjeti i komunikimit masiv, media, që nga kapitalizmi i shtypit (siç e quan Benedict Anderson, lindjen e shtypshkronjës së Gutenbergut) e deri më sot, është përdorur prej propagandës dhe e ka përdorur propagandën në atë masë sa është e vështirë t’i ndash qoftë edhe për t’i dalluar. Propaganda në media, sipas literaturës së fushës mund të ndahet në 10 hapa: 1) Ideologjia dhe qëllimi i fushatës propagandistike; 2) konteksti në të cilin do të mbillet propaganda; 3) identifikimi i propagandistit; 4) struktura e organizimit të poropagandës; 5 Audienca e synuar; 6) teknikat e përdorimit të medias; 7) teknika të përdorimit të mesazhit; 8) matja e reagimeve të audiencës; 9) kundër-propaganda; 10) vlerësimi i impaktit. (Jowett dhe O’Donnell, 2013). Masmedia është përdorur gjithnjë prej pushtetit. Radioja është përdorur thelbësisht gjatë luftës së parë e të dytë botërore për të përhapur mesazhe për popullin, mbi luftën. Televizioni, është përdorur më pas për luftë propagandistike kryesisht gjatë luftës së ftohtë. Në demokraci, përdorimi i televizionit për qëllime politike ka nisur në fushatën presidencialetëe vitit 1960 Nixon-Kennedy. Ndërsa televizioni politik lindi një dekadë me vonë. Sot, televizioni politik, (shembulli më i mirë janë Fox News, CNN, RT, etj.) nuk është më përçues i propagandës por është vetë propaganda.
Së fundmi, do të shohim shkurtimisht propagandën si mushkëri të politikës. Pierre Bourdieu thotë: “Rreziqet politike që janë inherente në përdorimin e përditshëm të televizionit, kanë të bëjnë me faktin se imazhi ka një veçori, aim und të prodhojë atë që kritikët letrarë e quajnë Efekti i Reales. Pra mund të të bëjë të përfytyrosh, dhe të besosh atë që përfytyron. Kjo fuqi evokuese, ka efekte mobilizuese.”. Për politikën, përhapja e mesazhit është jetike. Dikur me tellallin, më pas me traktet, gazetat e shtypura, radio, televizioni, e tani media sociale. Zhvillimi i mjeteve për përhapjen e mesazhit, e ka zhvilluar edhe teknikën e propagandimit të mesazhit. Politikani ka nevojë për propagandën në dy momente, në fushatë, dhe në pushtet. Përjashtim bën Komunizmi, dhe nazizmi, që e konsiderojnë edhe pushtetin, fushatë.
Në fushatë, propaganda ndahet në këto faza:
- Misioni: Mirëpërcaktimi i qartë i misionit të politikanit, si shërbyes i popullit. Kjo fazë duhet të ndërtohet me teknika për të bindur publikun, se qëllimi se PSE politikani është në fushatë, është një qëllim legjitim, dhe se misioni për të cilin politikani lufton, duhet mbështetur.
- Research: Kërkimi i fakteve. Kjo fazë duhet të zbatohet nga profesionistë të kërkimit të fakteve. Grupi i kërkuesve do të jetë thelbësor në ndërtimin e propagandës së fushatës. Kërkimi i fakteve shtrihet si baza ku mbështetet çdo fazë tjetër.
- Imazhi: Ndërtimi i figurës së politikanit. Imazhi i politikanit në fushatë nis që me kurimin e të kaluarës së politikanit. Duke theksuar sukseset dhe duke fshehur dështimet e karrierës së tij por edhe jetës personale nga fëmijëria e deri në atë moment. Më tej imazhi duhet të mbështetet fort tek gjuha e trupit dhe kominikimi i politikanit. Sërish, profesionistë të këtyre aftësive duhet të punojnë në detaje me politikanin, pasi mirëndërtimi i komunikimit ka dobi të përjetshme. Imazhi i politikanit gjithashtu duhet të prezantohet si shumëdisiplinor, dhe kjo na çon në fazën tjetër.
- Asocimi: Lidhja e kandidatit me popullin. Narrativa e politikanit, identiteti i tij, karakteri dhe aftësitë e tij, duhet të latohen në mënyrë të tillë, që publiku i synuar ta asociojë veten vazhdimisht me politikanin. Teknikat e ndërtimit të asocimit, duhet të mundësojnë që çdo votues t’i përqaset politikanit si projektim të rrethanave të veta, aftësive, shpresave, synimeve, apo ëndrrave të veta. Nëse kandidati është baba, atëhere duhet përdorur kjo për të ngjasuar me gjithë votuesit baballarë, nëse ka qenë emigrant, kjo duhet t’i bëjë apel gjithë familjeve të emigrantëve, nëse e ka nisur karrierën si punëtor i thjeshtë, duhet të frymëzojë drejt idesë së suksesit gjithë punëtorët që takon, e kështu me radhë.
- Media: Përdorimi i medias për propagandë. Për të kuptuar më mirë këtë fazë, do të sjellim një shembull prej SHBA-vem vendit që e ka studiuar dhe me siguri e aplikon më mirë propagandën në fushata politike. Në vitin 1976, më shumë se dhjetë kandidatë garonin për nominimin e partisë Demokrate për të kandiduar për presidencën, mirëpo media mbuloi fushatën e Jimmy Carter-it shumë më tepër sesa ato të kandidatëve të tjerë. Kjo bëri të mundur, që Carte, ish-guvernatori jo shumë i njohur i shtetit të Georgia-sm të merrte 30% të votave në primaret e shtetit New Hampshire. Gazetari i NBC-së, Tom Pettit, menjëherë shkruajti se Carter ishte kryekandidati. Revista TIME e konsideroi fushatën e Carter si e vetmja me potencialin dhe mundësitë reale për të fituarm dhe e vendosën foton e tij në kopertinë. Kështu edhe revista Newsweek. Bashkë me foton e kopertinës në TIME, për Carter-in u shkruajt edhe një artikull me 2 630 rreshtam ndërkohë që për gjithë kandidatët e tjerë mjaftuan 300 rreashta. Në fund Carter fitoi primaret, e më tej presidencën.
- Fushata negative: Goditja e kundërshtarit. Megjithëse shumë politikanë preferojnë që të mos e ndërmarrin fare këtë fazë, shumica e fushatave e përdorin këtë fazë të propagandës masivisht. Shpesh konsiderohet se goditja dhe rrënimi i kundërshtarit është gjysma e punës. Një shembull i suksesit të kësaj faze mund të konsiderohet fushata e G.H.W. Bush, ndaj Michael Dukakis në vitin ’88.
Këto janë teknikat kryesore standard të cilat sipas kontekstit mund të shoqërohen edhe me po kaq teknika të tjera propaganduese. Edhe më shumë se kaq, do të duhet të përdoren teknika propaganduese për të mbajtur pushtetin. Një pasqyrim më të mirë të metodave propaganduese të cilat ndihmojnë politikanët dhe diktatorët për mbajtjen e pushtetit, mund të gjenden në libra si: Manual për Diktatorë – B.B. de Mesquita, A. Smith; Goebbels’ Principles of Propaganda – L. Doob; Psikologjia e popujve dhe Turmave – G. le Bon; Nga Diktatura në Demokraci – G. Sharp; Propaganda – Edward Bernays; Masa dhe Pushteti – E. Canetti; apo edhe Princi – N. Machiavelli. Disa prej teknikave standard janë këto:
- Bashkimi: Populli dhe lideri bëhen një. Për të gdhendur më fort bindjen se vetëm unë meritoj të mbaj këtë pushtet, liderët përdorin metoda që populli të besojë se jo vetëm që nuk duhet ta kritikojmë liderin, porn ë fakt duhet të bashkohemi tek ai për t’u bërë më të fortë. Kjo metodë ka efekt nëse propagandohet fort një armik i jashtëm. Në filmin “Wag the Dog”, prezantohet ideja se si populli priret të votojë të njejtin lider në kohë lufte, kësisoj, presidenti që do të rikandidonte, punëson një producent dhe regjisor filmash (D. Hoffman; R. de Niro) për të prodhuar pamje filmike nga lufta e amerikës për çlirimin e Shqipërisë nga diktatura agresore.
- Kulti: Lideri i të gjitha talenteve. Shpesh liderët politikë në pushtet, shfaqen në popull dhe e zhveshin xhaketën për të treguar se ata janë në fakt në gji të popullit. Luajnë basketboll me fëmijët, ndajnë ushqim në një mencë azili, mbjellin pemë bashkë me popullin, shtynë një invalid në karrocë, pjekin një pica, ngrenë në krahë fëmijë të lumtur, marrin autobusin publik, përqafojnë pleq, e kështu me radhë. Këto veprime i japin publikut të kuptojë se lideri ka shumë talented he aftësi dhe ai në fakt është lideri total që mund të bëjë gjithçka, prandaj meriton besimin tonë të plotë.
- Projetkimi i fuqisë: Lideri supermen. Shpesh do të shihni në TV, se sa madhështore duken parakalimet ushtarake. Më madhështor se vetë parakalimi duket në fakt lideri që nderojnë të gjithë ushtarët, oficerët dhe gjeneralët. Për mendjen e publikut, të shohësh gjithë atë fuqi ushtarake është e frikshme dhe siguruese në të njejtën kohë, dhe të shohësh se si e gjithë ajo fuqi nderon dhe i nënshtrohet liderit në pushtet, të bën të mendosh me rregull treshi, se edhe ti duhet ta nderosh dhe nënshtrohesh liderit tënd. Projektimi i fuqisë realizohet shpesh edhe përmes takimit të figurave politike të shteteve superfuqi në arenën ndërkombëtare.
- Informimi: Prodhimi i informacionit. E çfarë funksioni më thelbësor do të kishte përdorimi i propagandës, në rast se politikani në pushtet nuk do të prodhonte versionin e tij të së vërtetës. Prodhimi i informacionit alternativ është propagandë në formën e vet më të pastër, në varësi të kontekstit dhe karakterit të politikanit, mund të ngrihet një zyrë ose një ushtri e tërë me propagandues që prodhojnë versionin alternative për cdo ngjarje, në mënyrë që lideri të marrë gjithmonë lavdinë e (pa)merituar. Shembuj të kohëve të fundit për këtë mund të përmendim deklaratën e Kellyanne Conëay, Këshilltare e Lartë e Presidentit në administratën Trump, e cila në një luftë propagandistike për interpretimin e fakteve deklaroi se “… nuk ishte një gënjeshtër, ishte thjesht prezantimi i disa fakteve alternative…” ndërsa për publikun shqiptar mund të kujtojmë, ndër të tjera, publikimin nga qeveria të portalit transparenca.al në vitin 2015.
Rreshtat e artikullit të mësipërm, duhet të shërbejnë për çdo lexues, si një reflektim se sa e rëndësishme është të njohësh teknikat e propagandës, mbi të gjitha për të mbrojtur mendjen prej saj, njësoj sikurse duhen njohur ligjet për t’u mbrojtur ligjërisht, religjioni për t’u mbrojtur shpirtërisht apo artet marciale për t’u mbrojtur fizikisht. Mësimi i teknikave të propagandës do t’i mundësonte një shoqërie, të rritej përmbi manipulimin që kërkon t’i bëjë pushtetit. Bertrand de Juvenal thotë “Një shoqëri delesh, me kalimin e kohës zgjedh një qeveri ujqërish”.