Brenton-Kotorri-300x269Studenti në nivelin master për Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universitetit Europian të Tiranës, është aktualisht drejtues i APPA dhe përfaqësues i Shqipërisë në Asamblenë Rinore në Këshillin e Europës

Nga Erjon Uka

Ai ka filluar angazhimin e tij që në moshën 15-vjeçare, fillimisht si pjesë e disa organizatave joqeveritare e më pas në Parlamentin Rinor. Është ky rasti i Brenton Kotorrit, i cili ka zgjedhur angazhimin në shoqërinë civile për të kontribuar në zhvillimin e politikave rinore, por jo vetëm. “Nuk ishte vetëm ambicia për të pasur rrjet të gjerë njohjesh dhe CV të pasur; këto gjëra nuk mund t’i mendosh kur je në atë moshë. Ishte në fakt koncepti, ndoshta edhe i pavetëdijshëm, se mund të kërkosh drejtësi edhe në forma publike dhe mund të kërkosh edhe për të tjerët, se një ditë do të vijë koha kur të tjerët do ta kërkojnë drejtësinë për ty. Duke qenë se vendlindja ime është Elbasani, fillimet i pata aty, me lëvizjen ‘Mjaft!’, me Parlamentin Rinor, me një NGO timen, me vullnetarizëm etj. Pas një semestri studimesh jashtë, u ktheva në Shqipëri duke u instaluar në Tiranë, ku nisa edhe studimet në UET. Pjesëmarrja në aksione civile dhe projekte sociale u rrit disafish. Tri vitet e Bachelor-it kanë qenë mjaft dinamike, dhe jam i lumtur që kam pasur mundësinë ta përfaqësoj UET-in kudo, si një mënyrë mirënjohjeje ndaj bursës së lidershipit që më është akorduar për çdo vit”, – shprehet ai.

Aktualisht Brentoni është drejtues i “Albanian Platform for Policy Advocacy”, e njohur gjerësisht si APPA. Ky është një think-tank që synon monitorimin e politikave të qeverisë për llogari të qytetarëve shqiptarë. Së bashku me Brentonin punojnë edhe 10 profesionistë të rinj, që mbikëqyrin punën e ministrive duke hartuar edhe raporte periodike për çdo muaj. Duke sqaruar më tej, Brentoni tregon se “të udhëhequr nga fryma e drejtësisë sociale dhe e dialogut, ne hetojmë aftësinë e institucioneve publike për t’u shërbyer dhe zgjidhur nevojat qytetarëve të vet. Ne monitorojmë qeverinë dhe aktivitetin e institucioneve publike e më pas përzgjedhim dhe analizojmë të gjithë informacionin zyrtar që mundemi të grumbullojmë prej burimeve publike dhe të ligjshme. Mjetet tona kryesore të komunikimit janë televizionet, radio, gazetat, e mbi të gjitha mediat sociale dhe website-i ynë zyrtar: appatank.org”.

Por përtej angazhimit në këtë detyrë, ai ka një pasion të gjerë për degën në të cilën studion, marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe gjithashtu për filozofinë, politikën dhe historinë. Shkrimet e tij janë një analizë e thellë e problemeve shoqërore dhe politike duke paraqitur rastin shqiptar nga një këndvështrim global. “Duke lexuar filozofi, politikë apo histori, ti kupton se shoqëria botërore ka një dije të akumuluar të jashtëzakonshme, që të tejkalon jo vetëm ty si individ, por edhe gjithë brezin e njerëzve që jetojnë me ty. Kësisoj, kupton se dija e jashtme është pafund herë më e rëndësishme sesa këndvështrimi yt personal për gjërat. Kjo ta shton oreksin gjithnjë e më shumë. Në rrugëtim e sipër në këto lexime, kam arritur edhe të kuptoj se ku aderoj unë në botën e ideve. Filozofia që më shërben si bosht, frymëzohet prej traditës religjioze botërore, për rrjedhojë edhe politikisht jam një konservator i djathtë. Në këtë frymë, edhe të gjitha shkrimet dhe veprimtaria ime janë në shërbim të asaj që konsideroj si rruga e mbarë për të edukuar jo vetëm veten, por edhe të afërtit me mua në vizion”, – thotë ai. Në këtë kuadër, Brentoni ka sjellë në shqip edhe dy libra që kontribuojnë në shtimin e literaturës në gjuhën shqipe. I pari është “Komunitete Imagjinare”, nga studiuesi Benedict Anderson, që trajton çështjet e nacionalizmit ndërsa libri i dytë është pamfleti politik, i cili mendohet të ketë nxitur revolucionin amerikan të shekullit të tetëmbëdhjetë, i titulluar “Fryma e përgjithshme”, nga Thomas Paine.

Përsa i përket trajnimeve ndërkombëtare, në CV-në e tij numërohen shumë të tilla, saqë e quan veten “gjuetar trajnimesh”. Ndër pjesëmarrjet e shumta, veçon Asamblenë Rinore të Këshillit të Europës në Strasburg, pjesëmarrjen në Forumin e Parë Botëror të Demokracisë, si dhe pjesëmarrjen në OKB, në Ditën e Rinisë 2013. Por sa kanë mundësi studentët e shkencave shoqërore të gjejnë vend në tregun e punës sot? Brentoni mendon se vështirësitë ekzistojnë, por nuk është e pamundur. “Ata studentë që duan t’i praktikojnë dijet akademike si profesion praktik, e kanë gjithnjë të mundur ta bëjnë këtë. Sigurisht që nuk është e lehtë, nuk është e thjeshtë, nuk është e pamundur ama. Ka disa mundësi për ta praktikuar profesionin tënd. Mund të jesh një profesionist e mund të mos punosh në një institucion, por mund të punosh më vete. Mund të jesh një profesionist që punon për një institucion, por nuk paguhesh. Mund të jesh një profesionist që paguhesh, por punon freelance, mund të jesh profesionist që paguhesh mirë në një institucion, ose shumë mirë duke punuar më vete. Të gjitha këto ‘mund’, janë mundësi. Është fakt ama, se shumica e personave e kanë të vështirë të punojnë, të fitojnë, dhe të kenë pasion të njëjtin profesion, për të tria këto”, përfundon ai.