Qysh në shekullin e shtatëmbëdhjetë, (1625), Hugo Grotius, i pranuar prej studiuesve si “babai i të drejtës ndërkombëtare”, fliste kundër përdorimit të urisë si armë lufte. Grotius theksoi rëndësinë e dallimit midis luftëtarëve dhe joluftëtarëve. Ai argumentoi se jo-luftëtarët, që sot njihen në zhargon si ‘popullsia civile’ duhet të kursehen nga makabritetet e luftës sa më shumë që të jetë e mundur. Në veprën e tij “De Jure Belli ac Pacis” Grotius shqyrton legjitimitetin e shtetrrethimeve dhe bllokadave, duke pranuar se historikisht ndërprerja e furnizimeve për një qytet të rrethuar ishte një taktikë e zakonshme. Megjithatë, ai theksoi gjithashtu përgjegjësinë morale për të minimizuar vuajtjet, veçanërisht për ata që nuk marrin pjesë aktivisht në luftë.
Në Librin III, Kapitulli 12, Grotius prek trajtimin e qyteteve të rrethuara dhe rëndësinë e mëshirës humane. Ai flet për detyrimet morale të atyre që kryejnë një rrethim, duke treguar se ndërsa është e lejueshme të bllokohet një qytet, duhet të bëhen përpjekje për të lejuar që joluftëtarët të largohen, duke zvogëluar kështu vuajtjet e panevojshme. Për Grotius, shpërthimi në kundërmësymje i një popullsie civile kundër pushtuesit që i vdes urie, është një veprim i justifikuar në kushtet e vetë-mbrojtjes së jetës, të drejtës më të shenjtë që ekziston.
Historikisht, uria është përdorur si armë luftë që prej antikitetit e fatkeqësisht deri më sot. Një nga shembujt më të hershëm ndodhi në rrethimin spartan ndaj Athinës që i dha fund Luftërave të Peloponezit (431–404 p.k.). Rrethimi ishte i paefektshëm për sa kohë Athina mund të merrte ushqime në rrugë detare. Vetëm duke u bashkuar Sparta me Persinë dhe duke shkatërruar marinën athinase, spartanët mundën t’i nënshtronin kundërshtarët e tyre përmes urisë. Apo një rast tjetër gjatë Luftës së Tretë Punike midis viteve 149 dhe 146 para Krishtit, kur Roma më në fund mundi rivalin e saj kryesor, Kartagjenën, me të cilin kishte luftuar për më shumë se 100 vjet. Në një kohë kur moraliteti human ishte ende konfuz, pesë shekuj më parë se kuftrat punike, filozoi dhe strategu kinez i luftës Sun Tzu, e këshillonte urinë, si një strategji që çon në fitore. Ai thekson: pengimin e linjave të furnizimit të armikut; Përdorimin e burimeve të armikut për të mbështetur trupat e veta; Shtrëngimin e armikut në pozicione të pafavorshme duke i mohuar aksesin në furnizimet e nevojshme. Megjithë se Sun Tzu nuk mbron në mënyrë eksplicite shkaktimin e urisë dhe përdorimin si armë, strategjitë e tij njohin qartë ndikimin e rëndësishëm në luftë të privimit të burimeve, duke përfshirë ushqimin.
Më tej në historinë moderne mund të përmendim rastet e njohura të përdorimit të urisë si armë lufte si për shembull: Gjatë Luftës Civile Amerikane, kur ushtarët e Konfederatës ndotën furnizimin me ujë të forcave të Unionit me kafshë të ngordhura. Apo në luftën e dytë botërore rreth 1.5 milionë rusë vlerësohet se vdiqën urie gjatë rrethimit 500 ditor te Leningradit prej nazistëve.
Nëse shohim ligjin ndërkombëtar mbi këtë cështje, duhet të konsiderojmë zhvillimin modern të konceptit të urisë si armë luftë në konventat kryesore si:
Konventat e Hagës (1899 dhe 1907):
Këto dy konventa fokusohen në ligjet e luftës, ato nuk trajtojnë në mënyrë eksplicite përdorimin e urisë si armë. Megjithatë, hodhën bazat për të drejtën e mëvonshme ndërkombëtare humanitare.
Konventa e Gjenevës (1949):
Konventa e Katërt e Gjenevës në lidhje me Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte trajton në mënyrë eksplicite mbrojtjen e civilëve, duke përfshirë dispozitat që lidhen me vdekjen e civilëve nga uria.
Neni 23: Detyron palët të lejojnë kalimin pa pagesë të ngarkesave të ushqimeve dhe furnizimeve të tjera thelbësore të destinuara për fëmijët nën pesëmbëdhjetë vjeç, nënat shtatzëna dhe rastet e lehonisë.
Neni 54 (Protokolli Shtesë I, 1977): Ndalon shprehimisht vdekjen e civilëve nga uria si metodë lufte dhe shkatërrimin e objekteve të domosdoshme për mbijetesën e popullatës civile, si ushqimet, zonat bujqësore, të mbjellat, bagëtitë, instalimet e ujit të pijshëm, dhe furnizime.
Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (1998):
Statuti i Romës, i cili themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare (International Criminal Court ICC), e përfshin posaçërisht urinë si një krim lufte.
Neni 7: Krim kundër njerëzimit me synim shfarosjen përfshin “shkatërrim të qëllimshëm të kushteve të jetës, ndër të tjera privimin e aksesit në ushqim dhe medikamente, të llogaritura për të shkaktuar shkatërrimin e një pjese të një popullsie“.
Neni 8(2)(b)(xxv): Liston “përdorimin e qëllimshëm të urisë së civilëve si një metodë lufte” si një krim lufte në konfliktet e armatosura ndërkombëtare.
Resoluta 2417 e Këshillit të Sigurisë OKB (2018):
“Duke theksuar se përdorimi i urisë së civilëve si metodë lufte përbën drejtpërdrejt krim lufte”
Madje edhe Sh.B.A, që sot e mbështet pa kushte Izraelin, ka miratuar vetëm disa muaj më herët se të niste lufta e Izraelit në Gaza, rezolutën e mëposhtme:
Rezoluta e Kongresit Amerikan (2022)
“Kjo rezolutë dënon përdorimin e urisë së civilëve si një armë lufte. Gjithashtu i bën thirrje qeverisë së SHBA që t’i japë përparësi përpjekjeve diplomatike për të thirrur dhe trajtuar raste kur uria dhe privimi i qëllimshëm i ushqimit po përdoret si armë lufte, duke përfshirë përpjekjet për të garantuar që operacionet e sigurisë të mos dëmtojnë jetesën e popullatës lokale për të minimizuar dëmet tek civilët.
Sot në Gaza nuk ka zi buke të shkaktuar nga uraganet, përmbytjet apo thatësirat. Jo, është rezultat i një politike izraelite të mbylljes së synuar. Pavarësisht paralajmërimeve urgjente nga organizatat ndërkombëtare të humanitare, numri i kamionëve që sjellin ndihma në Gaza ka rënë në mënyrë drastike që nga shkurti. Një nga arsyet për këtë është se entiteti pushtues izraelit përmes COGAT po kontrollon gjithashtu autokolonat e ndihmave në pikën kufitare egjiptiane Rafah dhe po i vonojnë ndihmat duke e kufizuar në mënyrë arbitrare kalimin brenda qyteteve palestineze. Përveç kësaj, dërgesat e pakta të ndihmave përmes pikave kufitare izraelite pengohen vazhdimisht nga veprimet e kolonëve izraelitë ekstremistë.
Në Gaza, ne jemi dëshmitarë të miliona njerëzve të kufizuar në një enklavë, nënshtruar një rrethimi total, me kufizime në dërgimin e ndihmave, mungesës së ushqimit dhe krizës së urisë që prek civilët, veçanërisht gratë dhe fëmijët. E drejta ndërkombëtare ndalon në mënyrë eksplicite “sulmimin, shkatërrimin, e mjeteve thelbësore të jetesës për mbijetesën e popullatës civile, të tilla si ushqimi, tokat bujqësore, të korrat, bagëtitë dhe infrastrukturës së ujit të pijshëm“. Megjithatë, autoriteti pushtues izraelit, vetëm se i injoron të gjitha këto rregulla lufte pa asnjë ndëshkim.
Kufizimet për ushqimin që hyn në Rripin e Gazës nuk janë fatkeqësia e vetme që po shpaloset. Dukshëm ka shkatërrim të furnizimit me ujë të pijshëm, dhe të mbjellave. Nëntëdhjetë përqind e popullsisë së Gazës nuk ka asnjë shans për të siguruar jetesën; ata vazhdojnë të lëvizin nga veriu në jug në kërkim të ushqimit dhe strehës. Përpjekja e tyre për mbijetesë pengohet më tej nga një infrastrukturë rrugore dhe urbane e shkatërruar, duke përfshirë spitale të shumta të shkrumbuara që dikur shpëtonin jetë.
Organizata “Human Rights Ëatch” raporton se “Izraeli vazhdon të pengojë ofrimin e shërbimeve bazë dhe hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmave për shpëtimin e jetës në Gaza“. Hapur, në sytë e gjithë botës, kjo organizatë vërteton se:
Qeveria izraelite po përdor urinë e civilëve si një metodë lufte në Rripin e Gazës, çka është një krim lufte.
Zyrtarët izraelitë kanë bërë deklarata publike duke shprehur qëllimin e tyre për të privuar civilët në Gaza nga ushqimi, uji dhe karburanti – deklarata të pasqyruara në operacionet ushtarake të forcave izraelite.
Qeveria izraelite nuk duhet të sulmojë objektet e nevojshme për mbijetesën e popullatës civile, të heqë bllokadën e saj ndaj Rripit të Gazës dhe të rivendosë energjinë elektrike dhe ujin.
Studiuesit e popullsive në vështirësi urie thonë se ky është privimi më i keq i ushqimit që ata kanë vërejtur në kohë lufte që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe sipas ligjit ndërkombëtar, vdekja e qëllimshme nga uria e një popullsie është një krim lufte. Sipas organizatës ndërkombëtare IPC (The Integrated Food Security Phase Classification), e gjithë popullsia në Rripin e Gazës (2.23 milionë) po përballet me nivele të larta të nevojës akute ushqimore. Kjo përfshin gjysmën e popullsisë dhe përkon me “Faza 5” (Katastrofë), ka mbërritur në 92 përqind të popullsisë totale.
Kamionët e ndihmave të destinuara për në Gaza janë ende duke u penguar nga entiteti izraelit të hyjnë. Me qindra kamionë që presin në radhë në vendkalimin kufitar Rafah po përballen me kontrolle arbitrare të sigurisë. Edhe pse ka një mungesë të madhe të aksesit në ushqim në Gazën jugore, situata në Gazën veriore është shumë më e keqe. Nga 5 shkurti deri më 5 mars 2024, vetëm 10-15 kamionë ushqimorë u lejuan në Gazën veriore për të ushqyer më shumë se 300 000 njerëz. I njëjti raport mbi urinë i ICP dëshmon se furnizimet ishin mesatarisht më pak se një kilogram ushqim për person për një muaj, një pjesë e papërfillshme e asaj që nevojitet vetëm për mbijetesë. Propozimet si p.sh. fluturimet ajrore dhe portet hyrëse shtesë nuk janë zgjidhje realiste ose të qëndrueshme dhe nuk mund të sigurojnë sasinë e asistencës që mund të transportohet nga toka.
Në reportazhet e mediave ndërkombëtare po shohim gjithashtu që palestinezë të dëshpëruar për të gjetur ushqim, sulmohen nga forcat izraelite kur përpiqen të marrin ushqim për familjet e tyre prej këtyre ndihmave humanitare. E njëjta gjë vlen edhe për punonjësit e mjekësisë dhe të ndihmës, të cilët e kanë gjetur veten të rrezikuar nga agresioni ushtarak izraelit pa dallim, dhe ndonjëherë edhe në shënjestër,. Çdo ditë, ekipet humanitare në Gaza dhe punonjës të tjerë të ndihmës mjekësore po rrezikojnë jetën e tyre për të ofruar mbështetje jetike për ata që kanë nevojë. Një ekipi mjekësor i urgjencës me mjekë ishte objektivi i një sulmi ajror në janar. Gjithashtu stafi i “Kuzhinës Qendrore Botërore” u vra nga një sulm ajror izraelit më 1 prill 2024, pavarësisht se kishte koordinuar lëvizjet e tyre me ushtrinë izraelite. Më shumë se 200 punonjës të ndihmave janë vrarë prej sulmeveizraelite në Gaza që nga tetori, sipas bazës së të dhënave të “Aid Ëorker Security” të financuar nga SHBA, e cila regjistron incidente të mëdha të dhunës kundër personelit të ndihmës.
Shkatërrimi i spitaleve si al-Shifa, kufizimi i furnizimeve mjekësore, ndalimi dhe vrasja e personelit mjekësor, dhe kufizimi i shërbimeve thelbësore si uji dhe kanalizimet nga Izraeli po shkatërrojnë sistemin e kujdesit shëndetësor në Gaza dhe e kanë thelluar krizën e urisë aty ku nuk mban më. Kjo zvogëlon aftësinë e sistemit të kujdesit shëndetësor për të trajtuar pacientët të cilët janë të kequshqyer dhe do të thotë që pacientët e tjerë që trajtohen për lëndime dhe sëmundje janë gjithashtu në rrezik të kequshqyerjes gati si të dënuar me vdekje, ende në të gjallë.
Fëmijët palestinezë në Gaza përballen me kequshqyerjen dhe mungesën e aksesit në kujdesin shëndetësor, me pasoja afatgjata për shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Shumë tashmë kanë vdekur nga uria. Shkatërrimi i mjedisit dhe i burimeve natyrore – duke përfshirë përdorimin e bombave me fosfor të bardhë – do të ketë efekte të qëndrueshme në brezat e ardhshëm, duke përjetësuar varfërinë ndër breza.
Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi historike dhe duhet të veprojë menjëherë për të siguruar një armëpushim të përhershëm në Gaza. Sanksionet dhe embargot e armëve duhet të përdoren për t’i bërë presion Izraelit që t’i japë fund masakrës më të pashpirt të historisë moderne. Një shembull fillestar është qëndrimi i përbashkët i disa vendeve si Bangladeshi, Vendet e Gjirit Persik, Turqia, Luksenburgu, dhe Brazili në sesionin e 55-të të OKB, ku shprehen se Izraeli po përdor urinë si një armë lufte.
Drejtësia do të ishte asgjë me pak sesa fundi i agresionit izraelit mbi Gaza, çmontimi i aparatit të shtypjes sistemike, fundi i rrethimit të Gazës dhe fundi i pushtimit kolonial, aparteidal dhe genocidial të izraelit mbi Palestinën.