Ligjshmëria dhe legjitimiteti në
ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare
Në mënyrë që të përcaktohet ligjshmëria e një ndërhyrjeje ndërkombëtare, mjafton t’i hedhim një sy (qoftë edhe të shkujdesur) Të Drejtës Ndërkombëtare, dhe mund të kuptojmë ligjshmërinë ose paligjshmërinë e një aksioni të tillë. Çështja ndryshon kur provojmë të flasim për legjitimitetin. Legjitimiteti është pranimi në masë i domosdoshmërisë së një aksioni, duke e bërë këtë aksion moralisht dhe politikisht korrekt. Pa dyshim, duhet të thërrasim në ndihmë intuitën teksa flasim për një argument moral. Por në të njejtën kohë nduhet mbajtur një kufi deri tek logjika e pranuar gjerësisht. Problemet e sotme ndërkombëtare praktike, kanë qenë ekuacione teorike të kryeveprave botërore historike të mendimit botëror. Shkollat e mendimit ndahen që prej konceptit të së ‘drejtës natyrore’. Edhe në arenën e sotme ndërkombëtare mendjet përplasen vazhdimisht tek e drejta dhe detyra e eksporitmit të demokracisë (nxitur që prej ‘Pax Perpetua’ e Kant-it) apo për ruajtjen e sovranitetit të shtetit (si predikim i Thomas Hobbes-it). Kështu që dilema “thjeshtohet”: Të imponohet demokracia apo të lejohet sovraniteti i plotë çdo shteti-komb?
Shpesh ideja e reformimit të një regjimi nuk realizohet paqësisht, ky moment i jep mundësinë ‘të huajve’ të ndërhyjnë me qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e demokracisë, lirisë etj. Ndërhyrja nga jashtë konceptohet si një sipërmarrje për të maksimizuar repektimin e të drejtave dhe lirive kështu që na kërkohet që në emër të këtyre parimeve të suftojmë çdo “luftë të drejtë”. Për të qendruar racionalë, në kufinjtë e cënimit të sovranitetit të çdo populli, duhet thënë se ndërhyrjet humanitare janë të duhura vetëm kur dhunimi i të drejtave është masiv. Kjo për dy arsye kryesore: së pari, është normale të jetë e pamundur për ata që janë jashtë, që të gjykojnë nëse një qeveri e përfaqeson apo jo komunitetin e saj, kështu që çdo mangësi në përfaqësim duhet të jetë rigorozisht e dukshme përpara se të ndërhyhet nga jashtë në mënyrë të njëanshme; dhe së
dyti, ideja e ‘përfaqësimit’ shpreh një nocion metaforik të një pranimi ose ‘kontrate’ (në linjën e leksikut të Russoe-it dhe Hobbes-it). Edhe qeveritë joliberaleapo jodemokratike duhen prezumuar se gëzojnë pëlqimin e një kontrate sociale.Ta injorosh një pëlqim të tillë do të thotë të imponohesh dhe të diktosh. Gjë që praktikisht prish demokracinë në arenën ndërkombëtare për hir të demokracisë së një vendi të caktuar. Kështu që ligji ndërkombëtar i cili përfaqëson objektivitetin nuk përputhet me vendimet e herëpashershme që kërkojnë legjitimitet dhe përfaqësojnë subjektivitet pragmatist.
Dilema tjetër në ligjin ndërkombëtar është serish e lidhur me konceptin e sovranitetit. Pyetja është: Cilat janë më të rëndësishme, të drejtat politike të një regjimi apo të drejtat njerëzore të një populli? Çështja tani bëhet sa filozofike aq edhe konkrete. Duhet të vendoset një kriter legjitimiteti, sepse kushtet e vetvendosjes politike garantohen prej mosndërhyrjes së ‘të tjerëve’.[1] Nga ana tjetër, vetëvendosja kolektive kërkon zgjedhje individuale. Sepse individi është tashmë njësia përbërëse e komunitetit. Kështu që është individi i cili zgjedh nëse vetëvendosja duhet arritur me çdo mjet apo racionalisht duhet parë nëse kostoja e veprimit e kalon përfitimin e dëshiruar.
Mundësia e ndërhyrjeve ushtarake ndërkombëtare është e limituar jo vetëm prej të drejtave të ndryshme por prej maturisë dhe zgjuarsisë në aktet e përdorimit të forcës, dhe kufizohet prej marrjes në konsideratë të stabilitetit dhe drejtësisë ndërkombëtare. Ndërhyrjet mund të legjitimohen në rastin kur mbështetet plotësisht nga komuniteti. Kur ky i fundit është i ndarë, kërkohet neutralitet për shkak se e drejta politike për vetëvendosje duhet ruajtur në të dyja kahet. Nëse ilegjitimiteti i brendshëm i një regjimi lidhet me ilegjimitetin në arenën ndërkombëtare, kjo varet edhe nga forma e polaritetit ndërkombëtar.
Ligji ndërkombëtar përpara se të vihet në zbatim, duhet të pajiset pa dyshim me dëshirën e komunitetit përkatës për t’u ndihmuar të realizojë synimin e vet drejt sovranitetit. Ky është konkluzioni përfundimtar.
[1] Për aq kohë sa shtetet e tjera në arenën ndërkombëtare nuk veprojnë kundër një qeverisjeje të caktuar, kjo qeverisje ka garanci për të vepruar brenda regjimit të saj.