Më 30 shtator të vitit 2005, gazeta daneze Jyllands-Posten publikoi 12 karikatura editoriale të profetit Muhamed, themeluesit të Islamit. Gazeta asokohe deklaroi se ky veprim ishte kryer me qëllim kontributin në debatin rreth islamit dhe vetë-censurimit që ai obligon. Prej këtij veprimi, organizata muslimane, shtete islame por sidomos besimtarë në të gjithë botën u ngritën në protesta që zgjatën përgjatë gjithë vitit 2006.U raportuan më shumë se 200 të vdekur prej dhunës që u përshkallëzua gjatë protestave dhe sulmeve në ambasada daneze dhe europiane.Në korrik të vitit 2012 në internet publikohet një video-film i titulluar Pafajsia e muslimanëve (The Innocence of Muslims). Filmi e përshkruante profetin Muhamed si një person të thjeshtë që mashtronte në emër të Zotit për favore monetare dhe seksuale. Prej shtatorit të 2012 nisën një valë protestash në të gjitha vendet ku ka besimtarë muslimanë, pikërisht kundër këtij filmi. Vdekjet si pasojë e dhunës shkuan deri në 50 ku tragjikisht u vra edhe ambasadori amerikan në Benghazi, Christopher Stevens. Presidenti pakistanez i kohës ofroi edhe një shpërblim për vrasësin e producentit të filmit që ishte një ish i burgosur për mashtrim në amerikë por me origjinë egjiptiane. Më 7 janar 2015 dy terroristë u futën në zyrat e gazetës franceze Charlie Hebdo duke vrarë 12 pjesëtare të stafit të gazetës. Kjo pasi gazeta kishte publikuar herë pas here karikatura të profetit Muhamed, dhe së fundmi edhe nudo.
Këto janë tre rastet e fundit kur besimtarët muslimanë i janë përgjigjur si kundërreaksion provokimeve që ofendojnë dhe poshtërojnë besimin dhe figurat e besimit të tyre. Në kuran ka rreth 109 ajete ku sanksionohet dhuna. Dhunë në fakt e stilit të Moisiut “sy për sy e dhëmb për dhëmb”. Pra në njëfarë sensi dhunë vetëm për motive kundërpërgjigjieje. Mirëpo edhe pse personalisht mendoj që edhe në rast vetmbrojtjeje dhuna duhet të jetë me sa më pak pasoja, ema e dhunës në kuran është një moment që kërkon jo vetëm njohje të mirë të teologjisë, por sidomos mbushje shpirtërore, ndaj është mirë që të mos trajtohet nga masat (perfshi ketu edhe mua). Sidoqoftë në një kontekst historik vlen të analizojmë shkaqet e rasteve kur kjo dhunë është shfaqur. Në një shkrim të botuar në vitin 2012 në gazetën Panorama, Rudian Zekthi, një dijetar vendas, trajton temën e shenjtërisë dhe elementeve të tjera të besimit tek komunitetet jo-vetëm-fetare. Themi jo-vetëm-fetare sepse në histori mund të kujtojmë mijëra raste kur grupe, komunitete, shtete apo popuj janë ngritur në kundërreaksion ndaj cënimit të asaj që ata mbajnë si të shenjtë. Edhe pse shpesh viteve të fundit flitet për terrorizëm islamik, duket sikur eshte harruar terrorizmi katolik në Irlandë, terrorizmi evangjelist ndaj zezakëve në amerikë, terrorizmi anti-multikulturalist i Anders Breivikut, e shume shume raste te tjera. Esencën e tezës së vet Rudian Zekthi e shtrydh në dy paragrafë që po i citoj.
“10. Në të kundërt, libra si “Vargjet satanike” të S. Rushdies, karikaturat daneze apo franceze, filmat holandezë apo koptë, në mos si shpallje e gjendjes së luftës janë konsideruar si shpallje e hiperfuqisë poshtëruese. Nga sa thamë më lart, kjo vjen ngaqë duke qenë vepra arti (pavarësisht nga cilësia) ato janë jokonceptuale, shprehje e nevojës së papërballueshme për të shfaqur jashtë ekzaltimin e brendshëm që është e vetmja provë e përkthyeshme e inferioritetit të së shenjtës së tjetrit.
11. S’është e vërtetë (të paktën s’është e saktë) mbrojtja që u bëhet nga qarqe të caktuara politike apo kulturore në Perëndim këtyre shprehjeve agresive të hiperfuqisë, duke i legjitimuar në emër të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit. S’është e saktë se këto janë shprehje e lirisë së shprehjes, sepse liria e shprehjes nuk përfshin në asnjë rast lirinë për ta poshtëruar tjetrin. Dhe s’është e saktë se janë pjesë e lirisë së shtypit: shtypi në thelb është vend ekspozimi informacioni dhe opinionesh, dhe jo veprash arti. Dhe opinionet kundër myslimanëve nuk kanë shkaktuar ndonjëherë gjendje stresi dhe trazirash në botën islame. Ekspozimi i veprave të artit është një aksesor i shtypit dhe jo funksioni i tij kryesor. Dhe vepra e artit duke qenë një atakim jokonceptual i së shenjtës vjen nga thellësia i të qenit të atyre që e kryejnë këtë cenim, duke kryer kështu një theksim brutal të papërkthyeshmërisë së qytetërimeve te njëri-tjetri dhe një tendosje të rrezikshme të kufijve të puthitur midis tyre“.
Në këtë kornizë mund të kuptojmë më mirë se si ndodh që një komunitet, tenton t’i imponohet të shenjtës së një komuniteti tjetër. Për shumë studiues por edhe analistë në këto raste vlen të lexohet si Përplasja e qytetërimeve” e Samuel Huntington, si “Identiteti dhe dhuna” i Amartaya Sen, si “Vetëperceptimet e qytetërimeve” e Ahmet Davutogllu, Benedict Anderson, Johan Galltung, ashtu edhe shumë studime, teza dhe autorë të tjerë. Në cilindo rast vlen të përmendet natyra paqësore e të gjitha religjioneve të cilat synojnë ta shtyjnë njeriun dhe njerëzimin drejt asketizmit ndaj çështjeve të kësaj bote (inferiore) dhe fokusimin te çështjet shpirtërore (që i takojnë botës së ardhshme).
Sikurse në gjithë botën edhe në shqipëri sulmi ndaj Charlie Hebdo nxiti përveçse mbi-solidarizimin histerik #JeSuixCharli edhe analiza, komente, opinione dhe polemika që gjithmonë e më shumë në epokën postmoderne synojnë spektaklin në vend të informimit, qoftë kjo edhe me kosto disinformimin. Shumica e këtyre disinformimeve, sidomos ato në vende si Shqipëria, janë totalisht të pavlera dhe shpesh të dëmshme. Rruga e vetme drejt dijes dhe njohjes së gjërave e po ashtu natyrës së tyre gjenden vetëm tek librat që transmetojnë fjalët e mendimtarëve më të mëdhenj të njerëzimit, gjenden gjithashtu tek të gjitha tekstet e pretenduara të shenjta që sigurisht kanë sadopak frymëzim prej një tjetër bote. Rruga drejt dijes nuk mund të gjendet kurrsesi tek show, e aq më pak ai i shëmtuari shqiptar. Morali i fabulës? Ligji i tretë i Newton-it vlen edhe për faktet sociale veç fakteve natyrore. Kësisoj është më mirë të urtësohesh në dije sesa të ekzaltohesh në injorancë dhe nemitje.