Politika ështe veprimtari e gjerë njerëzore. Ndoshta jo aq e gjerë sa të pohojmë se gjithçka është politikë, apo siç thoshte Aristoteli se njeriu prej natyre është një kafshë politike. Ama nëse pranojmë si përkufizim se politika është ajo sferë e jetës njerëzore në të cilën përplasen dhe verpojnë agjentë dhe ide në kërkim të një zgjidhjeje për çështjet e përbashkëta/publike, atëhere mund të kuptojmë se jo gjithçka është politike, dhe njeriu nuk është fare kafshë politike për aq sa nuk preket nga çështjet publike, apo nuk merr pjesë në to.
Sot, politika e ka tejkaluar këtë përkufizim, për shkak se të paktën që prej gjysmë shekulli, edhe çështjet private konsiderohen të një rëndësie publike. Për të vijuar më tej, duhet përmbledhtazi të themi se politika është një koncept dhe veprimtari moderne. Në epokën arkaike dhe atë tradicionale të historisë së njerëzimit, nuk mund të ketë politikë, në arkaike, për shkak se nuk ka çështje publike dhe në tradicionale për shkak se çështjet publike i zgjithte monarku apo perandori, apo kryefisniku, apo cilido udhëheqës me urdhrin e tij. Në postmoderne, nuk mund të ketë politikë, për shkak se të ggjithë kanë ë drejtë për gjithçka. E bërë më praktike, në postmoderne, duke pasur secili të vërtetën e vet idiosinkratike, nuk ka nevojë për të pasur çështje publike për shkak se secili ka jetën e vet njëkohësisht private dhe publike dhe tërësisht të panegociueshme dhe të pa ndërkëmbyeshme me jetën e tjetrit. Mirëpo, teksa sot jetojmë në fillesat e epokës postmoderne, duhet të pranojmë se publikja, me tërësinë e insitucioneve dhe dukurive të veta, ende nuk është zhdukur plotësisht. Mirëpo me siguri që elementet e postmodernes e i kanë gërryer në palcë dukuritë e mbetura modërne. Politika është një prej këtyre dukurive të gërryera.
Sot, politika nuk përbëhet më prej çështjeve kryesore si: ndarja e pushteteve, marrëdhënia mes qeverisë dhe të qeverisurve, niveli i ulët apo i lartë i taksave, kur shkohet në luftë dhe kur bëhet paqe, si ndëshkohet një kriminel, si bëhet tregti, si shkollohen njerëzit, e kështu me radhë. Sot politika përbëhet gjithnjë e më shumë prej çështjeve private si – sa paguan kur e ndërton shtepinë tënde, si i kursen paratë e tua, si i investon paratë e tua, sa paguan kur e shet shtëpinë tënde, si e rrit fëmijën tënd dhe si e edukon atë, si e trajton gruan tënde, çfarë është seksi, aborti, çfarë është jotja dhe kur shteti mund të ta marrë, si dhe kur e thua fjalën tënde dhe çfarë thua, e kështu me radhë.
Ky ndryshim ka ardhur prej dy dukurive që eleminojnë dhe fuqizojnë njera-tjetrën njëkohësisht: bjerrja dhe zbehja e epokës moderne nga njëra anë, e cila kërkon të gllabërojë me vete sa më shumë gjëra që të jetë e mundur, dhe ngritja e një epoke të re, asaj postmoderne, e cila kërkon të ndërfusë, në strukturën shoqërore ekzistuese, sa më shumë prej lëndës së vet. Shumë shpejt, ndoshta brenda një shekullim ndoshta brenda pak dekadave, shumësia e të vërtetave individuale subjektive të gjithsecilit, do ta ketë zëvendësuar përfundimisht të vërtetën e përbashkët unike objektive.
Sot politika ende ngitet prej aktorëve (vepruesve) të saj kryesorë që janë partitë politike. Partitë politike duhen kuptuar si grupime njerëzish, të cilat garojnë me njëra-tjetrën për të përcaktuar se kush do ta qeverisë popullin, për t’i zgjidhur dhe drejtuar çështjet publike. Partitë politike përbëhen prej njerëzve dhe idieve. Në literaturë përkufizimi i një partie politike mund të ndeshet si grupim njerëzish me ideale dhe interesa të njejta. Giovani Sartori, i shton këtij përkufizimi edhe faktin se partitë, nga vetë fjala, nuk mund ta përfshijnë kurrë gjithë popullin pasi ato janë vetëm pjesëza.
Partitë politike, përgjithësisht janë të ndara sipas një skeme piramidale që nis me kryetarin e partisë. Kryetari është figura udhëheqëse e partisë. Shpesh edhe themeluesi i partisë, por në të shumtën e rasteve dhe sidomos në vende demokratike, individi më i mbështetur prej anëtarëve të partisë. Më pas vijon kryesia e partisë, grupi i individëve më të pushtetshëm dhe më të rëndësishëm. Më pas vijon me strukturat e partisë, që janë e gjithë anëtarësia e partisë e ndarë në funksione dhe detyra. Jashtë partisë, por ama pjesë qenësore e sajm janë mbështetësit e partisë, dhe më pas votuesit e saj. Pa dyshim që edhe pjesa tjetër e popullit që nuk është pjesë as e partisë dhe as e votuesve të partisë është e rëndësihme për partinë pasi populli është edhe tokë pjellore për mbështetës dhe anëtarë të partisë në të ardhmen, por edhe e kufizon partinë, pra shërben që partia të njjohë perimetrin e vet. Mirëpo partitë politike dallohen prej njëra tjetrës, për shkak të vizionit të tyre mbi botën dhe gjërat. Parimet që udhëheqin secilën parti përbëjnë një set idesh që i lidh koherenca duke formuar një idieologji.
U morëm me përcaktimin e partive politike, për shkak se ato bartin brenda vetes një element të fundit, më të rëndësishmin dhe të pamatshëm, pikërisht ideologjinë. Ideologjia është set i ideve përmes të cilave një grup njerëzish synon të sjellë mirëqenien e vet dhe optimalisht, mirëqenien e të gjithëve. Ideologjitë politike, synojnë të udhërrëfejnë të gjitha rrethanat dhe mënyrat me të cilat duhet qeverisur. Prandaj ideologjia është l’esprit i një parite politike. Përmes ideologjisë që përdorin, partitë politike mund të dallohen si të majta a të djathta. Ideologjia bën të mundur 1- Përcaktimin e parimeve themelore me të cilat duhet gjykuar politikisht; 2- diagnostikimin se çfarë ka shkuar përkundër këtyre parimeve themelore; 3- Orientimin e sjelljes në kuadër të parimeve themelore, përballë çështjeve politike; 4- Ofrimin e recetës për zgjidhjen çështjeve politike bazuar në vizionin e dhënë nga parimet themelore.
Spektri i ideologjive politike nis nga qendra me pragmatistët, vijon në të dyja krahët me liberalët, vijon me konservatorët në të djathtë dhe socialistët në të majtë, vijon me nacionalizmin në të djathtë dhe etatizmin në të majtë dhe mbyllet me ekstremet – nazizmi, fashizmi nga njëra anë dhe komunizmi nga ana tjetër. Ky është spektri klasik i ideologjive. Për një përshkrim të shkurtër, do të marrim me radhë elementin më thelbësor të secilës ideologji duke u hedhur sa djathtas, majtas.
Për pragmatizmin me frymëzues Jeremy Bentham, 33illiam James e të tjerë, qeverisja është zjgidhja e çështjeve me koston më të vogël për më të mirën e shumicës së njerëzve. Për liberalët e djathtë me frymëzues Adam Smith, Lud32ig von Misses e të tjerë, me rëndësi është një shtet me ndërhyrje sa më të vogël në ekonominë e tregut të lirë dhe thuajse të mos ekzistojë përtej një agjenti që garanton sigurinë e përbashkët. Për liberalët e majtë të frymëzuar prej iluministëve francezë, shteti duhet të luajë vazhdimisht rolin e rregullatorit për të garantuar sa më shumë të drejta për njerëzit dhe sidomos më shumë të drejta për minoritetet dhe grupet e paprivilegjuara. Për Konservatorët, përshkruar më mirë nga Frederic Bastiat, Edmund Burke apo de Tocqueville, shteti duhet të jetë jo më shumë sesa një garant i të rregullave të përbashkëta, por ama rregullat e sjelljes, të tregtisë, të fjalës së lirë dhe moralit, i përcaktojnë vetë njerëzit që jetojnë në komunitete dhe frymëzohen prej parimeve të shkrimeve të shenjta të zbritura prej Zotit. Socialistëtm të frymëzuar prej Zhan Zhak Rusoit, Charles Fourier, Thomas Paine, e të tjerëve besojnë se shteti mund t’i rregullojë më së miri jetët e njerëzve, pasi ata ia kanë dorëzuar shtetit zotësinë e tyre politike përmes një kontrate sociale për të jetuar sëbashku. Nacionalistët, të frymëzuar prej Johann Gottfried Herder, Vuk Karadžić, e të tjerë, besojnë se kombi, i njehësuar me shtetin ne territorin etnik, me popullin homogjen që flet vetëm një gjuhë, prevalon mbi çdo çështje tjetër shoqerore, dhe drejt këtij synimi duhet të punojnë të gjithë. Etatistët të frymëzuar nga Thomas Hobbes, Jean Bodin etj., besojnë se për hir të ngadhënjimit të shtetit, i cili ka monopolinm e deleguar të dhunës, duhet të sakrifikohet çdo liri, dhe të gjithë duhet të jenë të gatshëm t’i ofrojnë shtetit gjithçka në çdo kohë. Fashistët, që u shfaqën më dukshëm në Itali me Mussolinin, në Spanjë me Frankon, dhe në Kili me Pinochetin, frymëzohen prej besimit se vendi dhe populli i tyre janë madhështorë, dhe janë vijimësi e historisë, për fashistët, të cilët e marrin dhe mbajnë pushtetin politik përmes forcës ushtarake ose paraushtarake, çdo gjë i përket shtetit dhe popullit, por në fakt populli është kurdoherë i sakrifikueshëm për hir të shtetit. Nazistët, që u shfaqën më dukshëm nën udhëheqjen e Adolf Hitlerit në gjermaninë e viteve 1925-45, të frymëzuar nga autorë si Niçe, Alfred Baeumler, apo Heidegger, me besimin se populli dhe vendi i tyre janë të përzgjedhur nga providenca për të sunduar me supremaci dhe epërsi gjithë botën, ndërtuan një shtet total ku partia-shteti-populli ishin një dhe ku edukimi-ekonomia-prodhimi-shkenca ishin në shërbim të tyre. Së fundi, komunizmi, i frymëzuar nga veprat e Karl Marksit, Leninit apo Trockyt mbi historinë njerëzore si fenomen i shfrytëzimit të punëtorisë prej pronarëve për hir të ekonomisë, synon të ndërtojë një regjim autoritar ku gjithcka, nën diktatin e partisë i përket të gjithëve dhe askush nuk zotëron asgjë.
Pavarësisht se dikush mund të kërkojë që në spektrin e ideologjive politike nga e majta në të djathtë të fusim brenda edhe ideologji si ekologjizmi, anarkizmi, utopizmi etj., u fokusuam tek ato ideologji që tashmë janë shfaqur dhe aplikuar në historinë e njerëzimit. Në përshkrimin e mësipërm të spektrit, duhen vënë re dy gjëra, e para se si ekstremizmi i djathtë, nëse vjen në pushtet, gjithnjë shkon drejt aplikimit të metodave të ekstremit të majtë etatisto-komuniste, e dyta se secila ideologji, e majtë apo e djathtë, frymëzohet në thelb prej filozofisë. Filozofia pra është l’esprit i ideologjisë politike. Filozofia, ka lindur jo vetëm si nevojë e njeriut për të përsiatur mendjen rreth përgjigjeve të mëdha mbi njeriun, jetën, vdekjen, luftën, botën, etj., por edhe për shkak të mundësisë qenësore nga vetë brenda njeriut për të përsiatur mbi këto çështje. Kjo është arsyeja origjinare pse lindi filozofia e hershme, ajo që për qytetërimin tonë nis me Sokratin, Platonin e Aristotelin.
Pas filozofëve të greqisë së lashtë, filozofia u shfaq sërish në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Por kësaj radhe, filozofia nuk ishte më në gjendjen e lirë të të përsiaturit të natyrshëm, tanimë filozofia ishte e kushtëzuar nga historia prej vitit 0 e në vazhdim. Kishte ndodhur mesjeta, kishte ndodhur krishtërimi, kishte ndodhur bibla, kishte ndodhur Jezu Krishti. Teksa autoriteti i kishës ishte bjerrë dhe zbehur për shkak të zbulimeve të mëdha gjeografike që kishte rrëzuar të vërtetën e kishës mbi Tokën e sheshtë, për shkak të zbulimit të Kopernikut se sistemi diellor është heliocentrik, për shkak të rigjetjes së filozofëve të lashtësisë greke me komentime nga Ibn Sinai dhe Ibn Rushdiu në Andaluzi, dhe për shkak të reformës protestante me 95 tezat e Luterit, tanimë, njerëzit kishin kuptuar se Kisha nuk mund t’ia u ofronte më atyre të vërtetën e madhe pasi i kishte gënjyer për të shumë të vërteta të vogla. Prandaj dhe filozofët nisin të përsiatnin për ta zbuluar vetë të vërtetën, tanimë njëriu ishte një maratonomak që rendte drejt trofeut, përmes filozofisë. Fillimisht Francis Bacon dhe Rene Descartes, më pas empiristët britanikë, e më tej iluministët francezë, përmbysën dogmën dhe kërkuan të shkonin tek e vërteta përmes metodës, arsyes, perceptimit, sofistikimit, etj., filozofia frymëzoi përmbysjen e regjimeve të vjetra monarkike në Europë dhe rrëzoi autoritetin papal.
Këtu lindi për herë të parë e majta dhe e djathta fillestare. E majta ishin progresistët që kërkonin risi dhe përparim edhe me koston e çrrënjosjes së strukturës aktuale shoqërore (sidomos me çrrenjosje). Frymëzuar nga Rusoi e Volteri dhe aplikuar nga Jakobinët, ata ndërtuan edhe një sistem të ri konvencionesh duke kaluar nga sistemi perandorak i matjes më këmbë dhe paund, tek ai iluminist me metër e kilogramë. Përballë tyre u vendosën me dhjetra njerëz të mençur që kërkonin të ruanin strukturën aktuale shoqërore të ndërtuar mbi moralin e shkrimeve të shenjta dhe zhvillimin merkantilist të ekonomisë, mes tyre u shquan filozofi, politikani dhe oratori britanik Edmund Burke, prifti katolik francez Joseph de Maistre, babai i sociologjisë franceze Louis de Bonald, e të tjerë.
Përplasja e filozofëve pro dhe kundër një revolucioni si ai francez, i ndante qartaz filozofët dhe filozofitë. Ndarja ishte e qartë për shkak të parimeve themelore mbi të cilat secila palë ngrente filozofinë e vet. Nga njëra anë ishin ata që besonin se njeriu është produkt i natyrës dhe për të shmangur gjendjen e anarkisë primitive, bëhet e nevojshme që mes njerëzve të nënshkruhet kontrata sociale që njerëzit të jetojnë të barabartë, dhe një autoritet qendror si shteti të kujdeset për sigurinë dhe mirëqenien e tyre. Nga ana tjetër ishin ata që besonin se njeriu është krijuar nga Zoti si mëkëmbës i Tiji në Tokë, dhe se rendi social mund të qendrojë në këmbë vetëm nëse rregullat e përbashkëta shkruhen bazuar në moralin që vjen nga fjala e Zotit, dhe ku ata e trajtojnë njëri-tjetrin si bashkëkrijesa që rrjedhin prej së njejtës origjinë. Për konservatorët, mbi këtë bazë do të ndërtohej sistemi i edukimit, tregtisë, hierarkia sociale dhe çdo çështje tjetër publike/politike.
Thjesht, gjeneza e së majtës dhe së djathtës lindi pikërisht këtu. A është apo jo njeriu krijesë e Zotit. Pa këtë dilemë nuk do të kishte të majtë e të djahtë në politikë. Ndoshta as ideologji politike, me siguri as parti politike, ndoshta edhe politika do të ishte diçka e tkurrur atje tej.