Çfarë është nacionalizmi, patriotizmi, atdhetarizmi? Çfarë është kombi? Në veprën e tij “Çfarë është kombi”, Ernest Renan argumenton se kombi është ‘një princip shpirtëror’ si dhe plebishit i përditshëm, një konvencion artificial të cilin ne e pranojmë si real me anë të pjesmarrjes në sistemin politik botëror. Ideja se kombet janë trillime apo komunitete politike imagjinare u zhvillua prej Benedict Anderson-it tek vepra e tij “Komunitete imagjinare”. Pjestar i po të njëjtës analizë është edhe Ernest Gellner i cili pohon se “nacionalizmi i shpik kombet”. Për t’i dhënë një formë më të prekshme idesë së nacionalizmit unë do ta përkufizoja si ‘tifozeria ndaj kombit’(kur kombi është nocioni që përmbledh përkatësinë etnike-gjuhësore).

Dhe ja një nakatosje llojesh nisi,
E ajo gjë Heterogjene, Anglezi:
Tortura të etura, dhe të pashuara ndezi,
I dyzuar mes një Britani dhe një Skocezi:
Pjella e se cilit shpejt të përulej mësoi,
Dhe qetë e veta nën parmendën Romake i çoi:
Që prej se një bastard racëpërzier erdhi atje,
Bashkë me Emrin dhe Kombin, Famën dhe fjalime,
Në Venat e të cilit gjaku i përzier shpejtë, rrodhi,
U mbush i dyzuar mes një Danezi dhe një Saksoni.
Teksa Bijat e tyre të Ngritura, përballë prindërve në fjalë,
Mirëpritën të gjitha Kombet me epsh imoral.
Kjo bluarje e neveritshme përmbante drejtëpërsëdrejti
Gjakun e mirë-përzgjedhur, atë të një Anglezi …
– Nga Daniel Defoe, Anglezi Autentik

Me këto vargje mund të kuptojmë qartë se kombi Anglez, i mbajtur me aq bujë si një nga kombet më të vjetra, rezulton të jetë një krijesë me kontribut të kohëpaskohshëm të shumë prej popullsive të tjera europiane. Kjo mund të thuhet edhe për të gjitha popullsitë e tjera në botën e sotme të qytetëruar, të cilat pretendojnë se janë kombe homogjene. E para sepse në kohët paramoderne pra antike dhe mesjetare, (epokë prej së cilës  kombet e sotme pretendojnë të trashëgojnë fillesat e veta) nuk ekzistonin shtete, por maksimumi perandori, të cilat edhe kufijtë e territoreve të sundimit nuk i kishin rigorozisht penguese për njerëzit e thjeshtë, apo kufizuese për popullsi të tëra që të lëviznin. Kjo situatë i lejonte popullsitë që të kryqëzoheshin, ndërthureshin dhe përziheshin pashmangshmërisht me njëra-tjetrën. Pra nuk mund të flitet për kombe të cilat vijnë në skenën e sotme të historisë si entitete të palëkundura qindra apo mijëra vjeçare (siç edhe pretendojnë sot shumica e kombeve). Së dyti që prej fillesave të ekzistencës së të ashtuquajturave sot shtete, e deri më tani nuk ka asnjë evidencë të një shteti-komb kompakt në popullsi (racë). Pra këto dy argumente hedhin poshtë ndonjë pretendim se kombi është një komunitet që e trashëgojmë nga paraardhësit tanë të cilët kanë jetuar në të njëjtin territor që sot shtrihet shteti ynë.

Kronologjia në të cilën ideja e kombit dhe e shtetit-komb ka fituar terren është shumë interesante. Duke veçuar momentet kryesore dua të sjell në vëmendje së pari vitin 1648 kur Traktati i Paqjes së Vestfalisë solli për herë të parë krijimin e njësive territoriale sovrane. Kjo ndodhi kur princërit gjermanikë përqafuan protestantizmin e iniciuar prej Martin Luther-it, me qëllim që të shkëputeshin nga sundimi i Papatit. Pas kësaj vjen Revolucioni Francez i 1789-ës i cili pasoi ndjenjën e komunitetit të ngjallur gjatë tentativave të kolonive amerikane për tu shkëputur nga sundimi i vendeve europiane. Gjatë fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimit të të nëntëmbëdhjetit Napoleonizmi u shfaq si doktrina atdhedashëse e Napoleon Bonaparte-it, i cili e ngriti i denë e komunitetit në një shkallë tjetër sasiore, të bashkësisë së njerëzve e cila mbushte republikën franceze. Kongresi i Vjenës dhe revolucionet nëpër Europë të 1848-ës i rinakatosën kufinjtë administrativë sërish. Vetëm pas kësaj periudhe u nis të ushqehej fryma se çdo popullsi “homogjene” (sipas konceptit të atëhershëm të homogjenitetit) meritonte një hapësirë gjeografike të cilën të mund ta vetëadministronte. Vetëm me fenomenin e “bashkimit të Italisë” dhe atë të “bashkimit të Gjermanisë” u nis të ngjizej koncepti i sovranitetit të një kombi mbi shtetin e vet. Koncept i cili u difuzua aq shumë saqë u bë pjesë e thelbit të ekzistencës së botës së atëhershme. Menjëherë pas erdhën luftërat botërore të cilat e ripërcaktuan konceptin e sovranitetit, dhe idenë e shtetit-komb.

Përdorimi më i hershëm i ‘nacionalizmit’ vjen nga Johann Gottfried Herder. Mbledhës i folklorit lituanez i cili bashkë me serbin Vuk Karadjič, sollën “modën” e të krijuarit folklore kombëtare të cilat pretendohet të jenë edhe folklore të trashëguara të të gjithë anëtarëve të një shteti-komb. Për Elie Kedourie ‘nacionalizmi’ është një doktrinë e shpikur në Europë në fillimet e shek.XIX. Anderson thotë se ky term mori përdorim të gjerë vetëm në fundin e këtij shekulli. Pra kurrë më herët se sa shekulli i nëntëmbëdhjetë nuk ka hasur dikush në idenë se çdo komb duhet t’i përkasë një shteti të vetëm dhe ky shtet duhet të shtrihet gjeografikisht aty ku kufizohet edhe homogjeniteti i kombit. Do të sjell dy argumente për të mbështetur më tej vijën logjike të këtij punimi. Së pari shtetet – kombe (secili prej tyre) kanë nevojë për legjitimitet, pra pranim të ndërgjegjshëm në masë se ekzistenca e tyre është e drejtë. Një opsion i mirë për ta në mënyrë që të nxisin frymë legjitimimi mbi to është krijimi i homogjenitetit kulturor të popullit që pretendojnë se pasqyrojnë.

Disa prej instrumenteve të përdorur janë:

1- Folklori (fjalë të urta popullore – të cilat shpesh i gjen tek çdo popull i cilli i pretendon si të tijat – eposet – si rasti i Nibelungët në Gjermani apo Eposi i kreshnikëve në Shqipëri. Krijime popullore për të cilat pretendohet se mbajnë brenda shpirtin e kombit. Mirëpo mbetet të pyesim nëse e gjen veten dhe shpirtin e tij një sarandiot apo lushnjar në “eposini tonë kombëtar”? Përgjigjia më e sinqertë dhe e papërlyer është ‘JO’. Pra as eposi nuk mund të shërbejë si ndihmës në legjitimimin e një shteti-komb).

2- Veshjet dhe arti i zbukurimit – për të qendruar tek një ilustrim sa më i afërt për ne (në Shqipëri) le të krahasojmë veshjet tradicionale popullore, ato të veriut (Tropoja, Puka, Peshkopia) janë shumë herë më të ngjashme me veshjet serbe, bullgare apo maqedonase se sa me ato të jugut (Korça, Tepelena, Delvina, Çamëria që janë më të afërta me ato greke e turke. Punimi dhe dizajnimi i qypave, shtamave e enëve të të tjera të baltës apo zejeve të ndryshme është i njëjtë në Ballkan ashtu siç është në Turqi dhe në një pjesë të Europës Qendrore.
Argumenti/Sfida e dytë ndaj legjitimitetit të shtetit – komb është: cilët janë kufinjtë kulturorë të traditës së një kombi?

3- Krijimi i simboleve të caktuara për hir të të dalluarit nga shtete-kombet e tjera ( Gjuha kombëtare; flamuri kombëtar; kafshë simbolikisht kombëtare – Shqiponja; stadium kombëtar; teatër kombëtar; muze kombëtar; akademi kombëtare shkencash; institute kombëtare studimesh; radio dhe televizione kombëtare; ekipe sportive kombëtare; parqe natyrore kombëtare etj.) Gjë e cila është edhe aksioni më i dështuar i legjitimimit të një shteti-komb sepse jo vetëm që ky i fundit qenka një artific i cili ekziston vetëm si nocion i imagjinuar, por të gjitha këto simbole janë artifice që mbështësin këtë artific. Pra njësoj si të përdorësh frymën për të vënë në punë mullirin me erë.

4- Heronjtë kombëtarë – Anderson evidenton se çdo shtet-komb paraqet si simbol i kompaktësisë së vet dhe dëshirës së zjarrtë të anëtarëve të tij për ta mbrojtur këtë kompaktësi, ushtarin e panjohur. Që secili anëtar i shtetit-komb të mund ta veshë në ndërgjegjen e tij si një mision: Misioni për të dhënë gjakun dhe jetën për kombin, slogan i cili është katërcipërisht absurd duke pretenduar se të gjithë duhet të jenë të gatshëm të vdesin për kombin. Pyetja e radhës është: Nëse të gjithë e japin jetën për kombin, kush do të jetë kombi pastaj? Heronjtë historikë – për të qëndruar tek shteti-komb shqiptar (për arsye lehtësie në konstatim për të gjithë, por duke pasur parasysh se është fenomen i njëllojtë me shtete-kombet e tjera) le  të shohim fenomenin e të ashtuquajturit “heroi ynë kombëtar”. Po të shohim propagandën e shtet-kombit tonë do të na rezultojnë disa emra të cilët ne kemi për detyrë t’i duam dhe nderojmë sepse paskëshin luftuar për mbijetesën e kombit tonë ndër shekuj. Pra ata paskan meritën kryesore edhe të ekzistencës së kombit tonë sot. Pyetja ime e parë në këtë stad është: A e dinin Mbretërit ilirë (në cilësinë e paraardhësve të kombit tonë), princërit arbër, Skënderbeu, pashallarët (Ali Pashë Tepelena; Karamahmut Pashë Bushatlliu; etj.), Ismail Qemali me shokë, Fan Noli e Ahmet Zogu, rilindasit, komunistët-antifashistë-nacional-çlirimtarë, dhe studentët e dhjetorit se ajo që bënë gjatë jetës dhe aksioneve të tyre luftarake apo politike do të shërbente që sot unë dhe të gjithë shqipërtarët të kishim një shtet-komb demokratik që dëshiron të futet në Bashkimin Europian sa më parë dhe me çdo sakrificë? Vë bast se shumë persona mund të qeshin këtu. Pa dyshim se të gjithë e dimë se secili prej personaliteteve të shquara të “kombit” tonë nuk ka punuar e luftuar për asgjë tjetër sesa për të mbijetuar vetë prej rrezikut momental dhe disa herë për të mira materiale.

5- Ndjenja e bashkësisë/përkatësisë në një bashkësi të madhe – E mira e përgjithshme; idealet tona të përbashkëta; dëshira e kombit tonë; aspiratë kombëtare; vizioni që udhëheq kombin dhe shprehje të tilla si këto janë pjesë e leksikut që përdor në çdo moment propaganda e kësaj qenieje të quajtur ‘shtet-komb’.

Ky leksik thirret në nevojë pikërisht për të mbajtur të shëndoshë legjitimitetin e vet. Suksesi më i madh i këtyre mekanizmave mund të dëshmohet në rastet si ai i pjesëmarrjes së ekipit sportiv që përfaqëson shtet-kombin shqiptar në një event botëror sportiv si Kampionati Europian. Pa shkuar shumë larg, mund të dëshmojmë se si cilido i indoktrinuar, la mënjanë të gjitha hallet, problemet dhe çështjet e veta personale dhe euforizoi pa asnjë bazë për ditë të tëra. Iracionaliteti, nuk qëndron tek tifozeria ndaj një ekipi, por tek tifozeria ndaj një ekipi estetikisht inferior ndaj ekipeve të tjera. Koncepti i të përkiturit të një kombi apo shteti-komb është një ide e implementuar në kokën e çdo banori të këtij planeti të paktën prej dy shekujsh dhe duket se sot është më i fortë se kurrë. Për aq kohë sa individi në vend të Zotit adhuron shtetin, shteti do vazhdojë të jetë zot.