Dështimi i projektit “Korporata e Investimeve Shqiptare”

Një vit më parë, kryeministri Rama do të shpaloste për publikun projektin ogurzi të Korporatës së Investimeve Shqiptare.Një projekt, që sikundër opozita e cilësoi atëherë, ishte i kopsitur për të mundësuar grabitjen e çdo prone private apo publike në interes të të dyshuarve të përhershëm. Kjo u faktua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të posaçëm.

Kaq i domosdoshëm ishte ky ligj për kryeministrin saqë qeveria ka lobuar fuqimisht në çdo instancë ndërkombëtare, përfshirë FMN-në, për ta kaluar me sa më pak ndryshime, ose vetëm me ndryshime estetike por jo thelbësore.

Dhe kur parlamentin e ka kthyer në kënd lojërash, ku nuk funksionon Gjykata Kushtetuese, Rama po bën provat e veta mbi një sistem individual të talljes dhe grabitjes së çdo prone.

Fakti është se prej më se një viti, qeveria shqiptare, e pamjaftuar me sa duket vetëm me të ardhurat nga koncesionet PPP, ka investuar çdo energji zyrtare dhe personale për themelimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve.

Synimi ka qenë që Korporata të marrë në pronësi të gjitha pronat publike, qoftë ato në dispozicion të pushtetit qendror apo vendor. Përmes këtij ligji e gjithë kompetenca e zhvillimit të pushtetit vendor i transferohet korporatës për pasojë edhe financat publike që lidhen me to.

Aq me këmbëngulje e ka Rama këtë projekt sa edhe pas mbledhjes së dytë të Këshillit të Sigurisë, ai refuzoi thirrjet e kryetarit të opozitës Basha që të tërhiqet jo vetëm nga pagesa e 120 milionë eurove të PPP-së, por gjithashtu edhe të heqë dorë nga dy projekte kriminale si ai i Korporatës së Investimeve dhe Amnistisë Fiskale.

Por, disa ditë pas kësaj mbledhje, FMN-ja bëri publike në raportin e saj për Shqipërinë se qeveria shqiptare është tërhequr pikërisht nga këto dy projekte kriminale, edhe pse Rama u mundua sërish të intimidonte liderin e opozitës gjatë fjalës së tij.

Por duket se zëri i Bashës është dëgjuar më shumë në kancelaritë dhe institucionet ndërkombëtare, duke bërë të mundur që të arrihet, edhe pse në mënyrë të heshtur, tërheqja nga këto dy projekte gllabëruese për ekonominë dhe xhepat e shqiptarëve. Natyrisht, qeveria Rama,me inxhinierinë mediatike në dispozicion, nuk do të lejojë që ky dështim i tij t’i  faturohet këmbënguljes së opozitës që këto projekte të ndërpriten.

Madje Rama ka treguar se më shumë se gjithçka, edhe në ditët kur opozita ka mbështetur masat për të mbrojtur qytetarët nga pasojat e Covid- 19, të gjejë shtigje të sulmojë Bashën, edhe pse disa ditë më pas ka kopjuar masat e propozuar prej tij në shumë prej sektorëve të ekonomisë. Fundja, kopjacët nuk arrijnë kurrë të pranojnë se e kanë marrë idenë diku tjetër, ndaj dhe asgjë nuk pritet më nga Rama në këtë drejtim.

E vërteta e hidhur e anës tjetër të dështimeve në projektet ekonomike, është aventura e Ramës për të t eksperimentuar me shqiptarët. Gjuha e tij kërcënuese është në fakt modeli që ka zgjedhur, duke treguar se në thelbin e tij shqiptarët janë një popull që meritojnë drurin, dhe jo respektin.

Ky është modeli që ka Rama edhe për ekonominë, ndaj dhe dështimi i projektit kriminal për Koroporatën e Investimeve mund të kalojë në heshtje, ose edhe më keq, të rikthehet sapo të rinisë hapja e ekonomisë, pasi ai ka treguar se, mbi të gjitha, projektet për një grusht njerëzish rreth tij janë më të rëndësishme se ço gjë tjetër.

Lëvizjet e Ramës janë vetëm me modelin: Eksperimento-adaptohu-eksperimento – një projekt ky që ka vulosur përfundimisht edhe degradimin e çdo institucioni, pasi për të Facebok-u është qeveria e tij, dhe gjuha tallëse dhe fyese me qytetarët në internet janë filozofia e tij qeverisëse.

Opozita ka mundur deri më sot të bëjë të mundur që ky projekt të dështojë. Por interesat e Ramës më grupin e tij të interesave mund të mos ndalen edhe pas krizës që mund të mbërthejë ekonominë e plagosur shqiptare nga keqqeverisja e derisotme e ‘Rilindjes’.