Gjatë verës së vitit të kaluar, CNN ndërmori një nismë të rëndësishme që e ndryshoi plotësisht kursin e debatit mbi marijuanën në SHBA. Në edicionin amerikan të CNN, herë pas here transmetohej një spot i ashtuquajtur sensibilizues, i cili shfaqte një gjethe kanabisi dhe e godiste teleshikuesin me këto pyetje: A është vërtet e dëmshme sikurse thonë? A është vërtet e rrezikshme sikurse thonë? A është vdekjeprurëse? Dhe brenda po këtij spoti “sensibilizues”, shfaqnin një “mjek”, i cili niste e fliste për marijuanën sikur ajo të ishte eliksiri i kërkuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit.
Ata që janë ekspertë komunikimi, e sidomos ata të komunikimit publik, nuk janë vëzhgues të thjeshtë sikurse pjesa tjetër e audiencës, por janë të mbrojtur me një farë imuniteti ndaj lavazhit të trurit dhe manipulimeve ligjërimore. Të gjithë këta ekspertë fare mirë mund ta kuptojnë se këto pyetje retorike e shtyjnë psikologjinë e audiencës që të vërë në dyshim jo vetëm gjithë informacionin e deriatëhershëm, por e shtyn gjithashtu të vërë në dyshim edhe vlerat në të cilat beson. Megjithatë, edhe një njeri i thjeshtë, me pak inteligjencë, po të reflektojë ca më gjatë mbi këtë lloj ligjërimi, mund ta kuptojë fare mirë se CNN po përpiqej të manipulonte audiencën përmes ligjërimit. CNN i njeh fare mirë vlerat historike të popullit amerikan dhe i manipulon këto vlera në mënyrë perfekte. Amerikanët njihen për qëndrimin e tyre absolut mbi lirinë e zgjedhjes. CNN i ofron audiencës së vet pikërisht lirinë e zgjedhjes. Me fjalë të tjera i thotë: Do të besosh atë që të është ofruar deri më sot? Do të besosh atë që të thonë të tjerët? Apo do të besosh atë që të ofrojmë ne? Dhe ne të ofrojmë të besosh atë që ti vetë zgjedh të besosh.
Këtu dalim te një problem i ri: A është e vërteta fakti real apo e vërteta është ajo që ne zgjedhim përtej faktit real, thjesht sepse e zgjedhim vetë? Thënë ndryshe, nëse zgjedhim ne që të besojmë se pemët këtej e tutje do të jenë metalike, a do të shndërroheshin pemët në metal? Mund të themi pa pikë dyshimi se një fakt nuk e rrëzojnë dot një mijë interpretime. Sidoqoftë. Kur vijmë te çështjet politike, shumica vendos për hir të demokracisë. Shumica në vetvete vendos sipas interpretimit të saj më të mirë dhe jo domosdoshmërish sipas fakteve. Kjo do të thotë se me gjithë analizat shkencore mbi dëmet e marijuanës, kur shumica e vendos legalizimin e saj, faktet hidhen në koshin e plehrave.
Në epokat më të hershme të njerëzimit, secili gjykonte bazuar mbi një sistem referimi, i cili i ndante fjalët dhe veprimet në të drejta dhe të gabuara. Ky sistem gjykimi përdorte deduksionin për të kuptuar nëse veprimi ishte në përputhje me shkrimet e shenjta ose kodin moral ose zakonin (varionte nga populli në popull). Gjatë epokës moderne, sistemi i gjykimit u shndërrua nga – e drejtë – e gabuar, në – e leverdishme – e paleverdishme; sot jetojmë në një kohë kur sistemi i gjykimit po shndërrohet në – e dëshiroj – nuk e dëshiroj. Ky sistem i fundit gjykimi, në të cilin jetojmë sot, pretendon se secili është i lirë të bëjë atë që zgjedh dhe dëshiron, pavarësisht nëse kjo është e drejtë apo e gabuar, e moralshme ose jo, e dobishme ose jo. Edhe debatet mbi legalizimin e marijuanës ngrihen mbi këtë sistem të fundit gjykimi, i cili nga ligjërimi i sotëm publik na shitet si emancipim. Të gjithë ata që kërkojnë legalizimin e marijuanës e ulin gjykimin te justifikimi, se individi duhet të ketë lirinë për të zgjedhur të bëjë ç’të dojë me jetën e vet, pa i dhënë llogari askujt. Kjo do të thotë që shoqëria duhet të ligjërojë të gjitha dëshirat njerëzore që ngrihet për t’i mbrojtur një grup i caktuar individësh. Thënë ndryshe, nëse unë jam duke bërë atë që më pëlqen atëherë askush nuk duhet të më dënojë për këtë. Le të imagjinojmë për një moment se sa krimeve dhe imoraliteteve u hap rrugën ky mentalitet, i cili e përsëris, na shitet si emancipim.
Shpesh ata që kërkojnë të legalizojnë marijuanën i sjellin në mendje publikut se si dështoi prohibicionizmi në Amerikën e gjysmës së parë të shekullit XX. Bëjnë gjithashtu krahasime midis alkoolit dhe marijuanës, duke u justifikuar me faktin se konsumimi i këtyre nxitësve sjell pasoja të përafërta dhe nëse lejohet njëra, pse të mos lejohet edhe tjetra. Ky argument rrëzohet nën vete sapo imagjinojmë se si do të ishte një vend ku njerëzit ecin në rrugë të gjithë të mpirë nga marijuana. Ky skenar nuk ndryshon aspak nga një korridor çmendine, ku të sëmurët që trajtohen me qetësues flasin me vete, shohin me hutim njëri–tjetrin, rrëzohen përtokë, përplasen me murin dhe nuk regjistrojnë asgjë në memorie.
Aldous Huxley, në veprën e tij “Dyert e perceptimit”, propozon që njerëzit të qëndrojnë 24 orë nën efektin e drogave, me qëllim që të dobësojnë të gjitha shqisat e tyre fizike, të ulin agresivitetin dhe të imagjinojnë botë të reja. Edhe pse kjo është shkencërisht e pamundur për shëndetin njerëzor, parimi në vetvete ushqen idenë për një utopi të përmbysur ose ndryshe distopi. Që të gjithë njerëzit të jetojnë vazhdimisht të droguar do të thotë që shoqërisë dhe botës që ne njohim t’i vijë fundi, dhe këto të zëvendësohen nga individë që nuk kontaktojnë dot me njëri-tjetrin në asnjë formë (shumica e drogave pas një efekti të fuqishëm fillestar i dobësojnë deri në paralizë shqisat fizike), as me fjalë, as me shenja dhe as me ndonjë formë tjetër komunikimi. Kjo, pasi komunikimi kryhet me anë të simboleve që transmetojnë koncepte. Mirëpo, midis dy të droguarve jo vetëm që nuk ka simbole të përbashkëta, por nuk ka fare as koncepte, as kuptime, as logjikë. Ka vetëm impulse emocionale individuale të pakontrollueshme.
Përdorimi i marijuanës, i drogave të tjera, por edhe i alkoolit të shumtë, gjithnjë bën që individit t’i shtrembërohet perceptimi shqisor dhe mendor, e për rrjedhojë të përjetojë një realitet të ndryshëm nga ai që përjeton kur ndodhet në gjendjen normale të funksionimit biologjik. Po të ndalemi për një moment dhe të konsultojmë të gjitha shkrimet e shenjta dhe besimet e njerëzimit, do të kuptojmë se arratisja nga kjo botë drejt një bote iluzionale është një nga ofendimet më të rënda për Krijuesin, sepse shërben për t’i treguar atij se individi në iluzionet e veta mund të krijojë një realitet më të mirë nga ai që ka krijuar Zoti. Mirëpo këtu nuk kemi pse ndalemi shumë gjatë, pasi gjërat janë shumë të qarta. Në shkencë gjithashtu (mjekësi, biologji, psikologji, antropologji etj.), përdorimi i nxitësve për të krijuar realitete paralele iluzionale shihet dhe trajtohet si një çrregullim i madh në funksionimin njerëzor të individit.
Gjëja e fundit që nuk e sqaron asnjë marijuanist, është se ku po i vjen shoqërisë i gjithë ky prosperitet dhe zhvillim që deri më sot nuk e kemi pasur dhe do të na vijë vetëm nëse ne legalizojmë marijuanën.
Shpresoj që gjykimi i secilit prej nesh të bëhet në kthjelltësi dhe secili të vendosë brenda vetes, në përputhje me ndërgjegjen e vet, se cili është vendimi më i drejtë që duhet të ndërmarrë shoqëria karshi këtij fenomeni.