Ndoshta egoizmi me i madh brenda njeriut, si qenie sociale, shfaqet kur ai pavetedijshem pranon të sakrifikojë gjithçka, vetëm për të mos tradhëtuar vetveten. Na ndodh të gjithëve, u ndodh edhe atyre prej nesh të cilët i konsiderojmë si mendjet më të mëdha të njerëzimit. Shpesh edhe tek njerëzit që konsiderohen si pa cen, ndodh të kritikohen për një qëndrim të hershëm të cilin nuk e ndryshuan kurrë. Virtyt nga ana tjetër, e pse jo, shenjë e altruizmit, është vetëkritika ndaj një mendimi, qëndrimi apo veprimi të gabuar që dikur mund ta kemi mbajtur si gurin e themelit të identitetit tonë.

Të “tradhëtosh veten tënde të mëhershme” si virtyt

Në leximet rreth filozofise me ka ndodhur te ndesh Hilary Putnam, një filozof të shekullit të njëzetë, i rëndësishëm për kontributet e tij në filozofinë e mendjes, filozofinë e gjuhës dhe logjikën. Një prej kritikave kryesore që i është bërë këtij filozofi ka qenë pikërisht ajo se ai “ndryshonte mendje shumë shpesh” për gjërat. Putnam, ishte rigoroz sa i takon bindjes se duhet ndjekur e vërteta pavarësisht se ku të shpie. E për këtë arsye ai i vendoste edhe vetë studimet, hulumtimet dhe metodat e veta nën të njejtën lupë dhe analizë zbërthyese shkencore, sikurse bënte ndaj atyre filozofëve që ai vetë kritikonte. A mund të jetë në fakt, Kritika më e madhe që i bëhet Putnamit, edhe një theksim i virtytit të tij të jo-egoizmit?

Sigurisht që Putnam është një shembull midis mijërave, historia ka njohur mendimtarë, shkencëtarë, politikanë, gjeneralë, e sidomos filozofë që kanë ndryshuar mendje në mënyrë edhe më të famshme sesa Putnam. Ky është virtyti ekskluziv i atij që shkon përtej egoizmit, egocentrizmit të vet, në gjurmim të së vërtetës më të madhe që zbulon në rrugëtimin  e tij.

“Të ndryshosh mendjen si virtyt” është diçka që nuk e dëgjon shpesh. Më së shumti, të ndryshosh mendje shihet si dobësi mungesa e shtyllës kurrizore. Ndërkohë që mos ndryshimi i mendjes nuk mund të jetë asgjë tjetër sesa pikërisht dobësi, fryt i krenarisë egoiste dhe jo një pasqyrim i fuqisë dhe mençurisë. Disa krenohen që nuk janë lëkundur kurrë, që janë konsistentë. Kur bëhet fjalë për besimin në parimet hyjnore, mund të ketë hapësirë dhe vend ​​për këtë. Megjithatë, ne duhet të rishikojmë herë pas here atë që e konsiderojmë si bindje. Edhe kur nuk ndryshojmë mendje prat ë reflektojmë, një tjetër virtyt.

Ne besojmë dhe i bëjmë gjërat sepse besojmë se ato janë të drejta, të paktën shumica prej nesh. Nëse idetë dhe veprimet tona janë të drejta për ne si individë apo të drejta për të gjithë, ky është një debat tjetër. Pikërisht këtu qëndron fija ndarëse mes egoizmit dhe altruizmit. Egoizëm është të jesh i binudr se idetë e tua dhe veprimet e tua duhet të gjithëpranohen nga të tjerët. Altruizëm është të besosh se dikush tjetër mund të paraqesë një ide apo veprim më të volitshëm apo më të drejtë.

Filozofia

Filozofët nuk kanë shumë simpati për egoizmin psikologjik. Në të vërtetë, të vetmet figura kryesore në historinë e filozofisë që e miratojnë në mënyrë eksplicite pikëpamjen janë ndoshta Thomas Hobbes dhe Jeremy Bentham. Disa mund të përfshijnë edhe Aristotelin.

Problemi i altruizmit dhe egoizmit përbën një nga çështjet më të hershmetë filozofisë morale. Një pjesë e madhe e mosmarrëveshjes së gjatë midis Sokratit dhe sofistëve, të paktën siç tregohet nga Platoni, mund të karakterizohet si një përpjekje për të dhënë një përgjigje altruiste të kënaqshme ndaj egoizmit të sofistëve. Në mënyrë të ngjashme, në një periudhë shumë të mëvonshme, si egoizmi filozofik i Thomas Hobbes (1588-1678) ashtu edhe egoizmi më ‘botëror’ i Bernard Mandeville (1670-1733), u paraqitën filozofëve të gjuhës angleze të shekullit të 18-të një sfidë të re. Çfarë përgjigje duhej t’i jepej ‘shpirtit të arsyeshëm’ të Hulumtimeve të David Hume në lidhje me Parimet e Moralit, personazhit lehtësisht të imagjinueshëm që përdor mjete racionale për të përmbysur detyrimet morale?

Të veprosh në përputhje me Rregullin e Artë (Aristoni i Aristotelit) do të thotë të përshtasësh me arsyen tënde dhe interesin tënd praktik, parimet e përgjithshme të së mirës së përgjithshme. Të mirat e përgjithshme, nisin në fakt sipas teologjisë zbatimi i urdhëresave të Zotit që iu dhanë Moisiut për gjithë njerëzimin e që nisin me Urdhrin e Parë: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tënde’. Dëshira për sintezën e arsyes (që shtyn drejt egoizmit) dhe moralit (që shtyn drejt altruizmit) ka përshkuar gjithë filozofinë moderne, tërthorazi apo drejtpërdrejtë. Edhe vetë teologët në krishtërim ose islam, janë përpjekur përmes traktateve të tyre të analizojnë dhe interpretojnë pikërisht këtë sintezë, shpesh me sukses, por pa famë në epokën bashkëkohore të mbytur nga materializmi me origjinë tek Revolucioni Francez e me kulm tek Komunizmi.

Psikologjia

Në rrafshin e psikologjisë ekzistojnë dy aspekte të rëndësishme për t’u theksuar në lidhje me mënyrën se si egoizmi psikologjik dhe altruizmi lidhen me njëri-tjetrin. Së pari, egoizmi psikologjik bën një pretendim më të fortë dhe universal se “të gjitha dëshirat tona janë egoiste, ndërsa altruizmi psikologjik thjesht bën pretendimin më të dobët se “disa nga dëshirat tona janë altruiste”. Kështu, e para është një tezë moniste, ndërsa e dyta është një tezë pluraliste. Rrjedhimisht, egoizmi psikologjik është më i lehtë për t’u hedhur poshtë sesa këndvështrimi i kundërt. Nëse dikush do të demonstronte me sukses se disa – qoftë edhe vetëm një – nga dëshirat e një personi janë altruiste, atëherë ne mund të refuzojmë me siguri egoizmin psikologjik.

Psikologjia bashkëkohore perëndimore ka një qëndrim të dyfishtë ndaj egoizmit. Çka mund të gjendet e përmbledhur në mendimin e Erich Fromm, i cili na thotë se kultura moderne është “e tejshpuar nga tabuja mbi egoizmin. Në të njëjtën kohë, një pikëpamje e tillë bie ndesh me përvojën e përditshme të jetës, në të cilën e drejta e personit për egoizëm konsiderohet si dëshira e tij më e fortë dhe më e arsyeshme. Kjo është arsyeja pse, dëshira jonë që një person të mos jetë egoist është e paqartë: mund të nënkuptojë direktivën për të mos qenë vetvetja dhe për të mos dashur veten duke shtypur kështu zhvillimin e lirë të personalitetit” [Fromm, 1990].

Reciprociteti direkt

Në epokën postmoderne, për shkak të përcaktimit të barazisë mes idiosinkrazive si parim themelor, është zhvilluar koncepti i reciprocitetit direkt, ku unë jam egoist ndaj tjetrit kur tjetri është egoist ndaj meje, dhe jam altruist ndaj tjetrit, kur ai është altruist ndaj meje. Një praktikë e cila sjell dy probleme themelore që e pamundësojnë këtë qasje të ekzistojë përveçse si fasade: 1- Problemi i lëvizësit të parë: kush do ta bëjë hapin i pari? (arsyeja matematikore nuk lejon që njëri prej subjekteve të jetë iniciator i parë, që më pas tjetri t’i përgjigjet reciprokisht); e për rrjedhojë: 2- Problemi i çastit fundor: kush do ta mbyllë saraçineskën e altruizmit/egoizmit karshi subjektit tjetër. Fatmirësisht, kjo gjendje është vetëm sipërfaqësore, pasi sikurse na tregon historia njerëzore, në natyrën e vet, njeriu e ka të pamundur të jetojë vetëm matematikisht apo vetëm racionalisht.

Le të kthehemi tek teza jonë fillestare. A përben besnikëria ndaj gabimeve tona, një formë të qartë egoizmi. Pa dyshim, për aq kohë sa qendërzohemi tek vetja, dhe nuk pranojmë se një e vërtetë më e madhe mund të na kthejë kokëposhtë.

Akademizmi dhe politika

Përveç tifozerisë në sport, dy sferat ku njeriu e ka tepër, tepër të vështirë të ndryshojë mendim, për bindjet e veta të mëparshme, janë akademia dhe politika. Në akademi, rrugëtimi i studiuesit/shkollarit, nis e ndërtohet gjatë viteve si student, i ndikuar prej një grupi autorësh/pedagogësh, ai i shkruan disertacionet e veta i ndikuar nga një rrymë mendimi dhe me synimin për të konfirmuar atë që ka nisur të besojë. Shkollari debaton, hulumton, ata të laboratorëve edhe eksperimentojnë, për të vërtetuar atë që besojne paraprakisht. Është e rrallë të gjesh një mendimtar që hedh poshtë idetë e veta “të dikurshme”. Rasti i Putnam që sollëm në fillim është një ilustrim i vetëdijësimit për këtë “tradhëti ndaj vetes” e cila mbyt egoizmin. Një shembull i famshëm në Europë është diferenca mes dy miqve intelektualë, Raymond Aron, dhe Jean-Paul Sartre. Të dy e nisën si socialist të pas L2B. Kur pa se çfarë ndodhi me komunizmin në Rusi, Aron ndryshoi mendim për Marksizmin dhe tek “Opiumi i Intelektualëve” shfaqet si një prej kritikëve më solidë të Marksit. Sartre, edhe pse duke vizituar Bashkimin Sovjetik pa me sytë e tij mjerimin që sjell komunizmi, vijoji t’i propagandonte botës se përfundimisht materializmi do të triumfonte për të sjellë Utopinë. Roger Scruton rrëfen për rininë e tij si komunist dhe se “i thirri mendjes” teksa pa histerinë e protestave anarkiste të ’68-ës në Paris. Eric Hobsbaëm me gjithëse dëshmoi terrorin e Kmerëve të Kuq, Maos dhe Stalinit, nuk e tradhëtoi kurrë vetvetën dhe Marksin, madje duke deklaruar famshëm se “do të ishin të justifikuara edhe miliona vdekje të tjera” veçse komunizmi të realizohej plotësisht.

Politikani, e ka thuajse të pamundur të ndryshojë mendim, pasi ai atë që beson edhe e praktikon, dhe do duhej që, në rast të ndryshimit të mendjes, të braktiste egoizmin e tij, dhe veç fjalëve të veta, të tradhëtonte edhe veprimet e tij, aksionet e tij, elektoratin e tij. Ndaj edhe elektorati, sa herë që një politikan kapërcen ylberin politik, e etiketon dhe përcakton atë menjëherë si “Tradhëtar të idealeve” dhe e shenjon si njeri të interesave të ngushta, duke e arsyetuar si shenjë egoizmi këtë ndryshim, sepse ndoshta pavetëdijshëm publiku e kupton se për hir të interesave të veta (karrierës politike ose pasurimit) politikani mund të ndryshojë qëndrim. E në shumicën e rasteve elektorati e ndëshkon këtë dikur-shërbestar-të publikes, tashmë-egoistin-ambicioz-karrierist-pragmatist. Mirëpo tek politikani i shekullit XXI, edhe ndryshimi i mendjes është shenjë egoizmi. Ngase jemi në epokën post-ideologjike, ku populizmi ngadhënjen, dhe “të thuash e bësh gjithçka që të sjell vota” është norma e re.

Virtyti

Ne besojmë se ajo që besojmë është e drejtë bazuar në informacionin ose të dhënat që kemi në dispozicion por edhe mbi emocionalitetin subjektiv ndaj një ideje apo veprimi. Ndonjëherë ne përqafojmë veprimet dhe botëkuptimet sepse ato duken si të drejta. Por bashkë me këtë përqafim duhet mbajtur hapur dera për të ndryshuar mendim, ndryshe rruga drejt fanatizmit është e garantuar.

Ndryshimi i mendjes si virtyt mund të ndodhë kur kuptojmë se kemi gabuar. Është marrëzi të mbash një opinion kur e kupton se është i rremë. Paaftësia për të pranuar të qenit gabim është e prerekuizitë për vetëvrasjen mendore dhe shpirtërore. Të mos pranosh se je gabim apo së paku se ekziston potencialisht probabiliteti që të jesh gabim, është egoizëm edhe më ekstrem, sepse indirekt implikon një venerim për idiosinkrazinë e vetes. Është metoda e duhur (e tmerrshme) për t’i ngritur vetes një kult të cilin më pas duhet ta adhurosh si hebrenjtë që derdhën viçin e artë.

Në shkrimet e shenjta, vetëm Zoti është absolut, i pandryshueshëm sepse pandryshueshmëria e Tij është e vetëkuptueshme dhe vetëkoherente. Cilido që pretendon të qëndrojë i pandryshueshëm rrezikon të zhytet në vetë-idolatrinë e të besuarit se është gati-zot. Egoizmi i tillë pa dyshim se çon në shkatërrim.

Në fakt për njeriun ka sens të mos ndryshojë mendim për sa i takon parimeve, kur njihet me të Vërtetën. E Vërteta më sublime, njihet vetëm përmes afrimit me Fjalën më sublime, që është ajo e pakontestueshmja, e që njerëzit rreken ta gjejnë tek shkrimet e shenjta ose së paku tek eksperienca njerëzore mijëra vjeçare; tek fjalët e mençura të të moçmëve. Kur njerëzit besojnë tek Fjala e Zotit, ata përjetojnë kontaktin me të Vërtetën, e cila ngadhënjen mbi çdo të vërtetë parciale. Nënshtrimi ndaj të Vërtetës dhe mosndryshimi i mendjes, vetëm në këtë rast nuk është egoizëm. Është në fakt çlirim nga egoizmi. Sepse vetëm tek nënshtrimi ndaj Fjalës tejkalohet egoizmi dhe altruizmi. Përmes parimeve që lindin prej të Vërtetës transhendentale, njeriu mund të ndërtojë gjithë botën. Kjo nuk jep garanci se bota e ndërtuar do të jetë aq perfekte sa e Vërteta, por jep garanci se destinacioni do të jetë i kthjellët, dhe metoda e drejtë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *