Mosbindja civile si formë proteste

Lex injustia no est lex!”, -skaliti Shën Augustini. Të njëjtën tezë, më vonë e mori edhe Thomas Jefferson: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë!” Edhe Henry David Thoreau kur tha se “Kur në një shoqëri të lirë, ligjet janë të padrejta, të gjithë e kanë për detyrë që ta thyejnë ligjin”. Duket përgjatë historisë në fakt se Morali me Ligjin është si Tradita me Zakonet, këto të parat janë të pandryshueshme e duhen ruajtur me kujdes, ndërsa të dytat kanë si funksion të përshtatin zbatimin e të parave në kohë, rrethana e kushte të ndryshme.

Moralin nuk e shpikim dot, atë e gjejmë këtu, kur vijmë në jetë, ashtu sikurse e gjeti Adami dhe Eva kur Zoti u tha “Mos hani nga frutat e kësaj Peme” … dhe pasi hëngrën ata u turpëruan. Ligjin ndërkohë e kanë shpikur njerëzit, sa herë që kanë parë se për probleme të ndryshme të shoqërisë, keqbërësit kishin nevojë edhe për një ndëshkim, përveç turpërimit. Kështu ligji nisi të ndërtohej mbi moralin, i cili rridhte prej shkrimeve të shenjta. E megjithatë, me kohën që kalonte, me ardhjen e modernitetit, ligji u bë më i fuqishëm se morali, ngase njerëzit e harruan se nga u vinte morali, e menduan të bëheshin zotër të vetes. Pak me shtyrjen e filozofëve iluministë francezë, e pak me romantizmin në letërsi.

E njëjta gjë ndodh edhe me traditën. Tradita, e cila nuk është më shumë sesa metodika e zbatimit të moralit në shoqëri, shfaqet përmes zakoneve të përditshmërisë së njerëzve në komunitet. Zakonet, ndryshojnë kohë pas kohe, e vend pas vendi, por tradita mbetet e njëjta. Për shembull, dikur për të respektuar mikun e mbaje në dhomën më të ngrohtë të shtëpisë, ndërsa sot e çon në hotel me 5 yje. Tradita mbetet e njëjtë: “Respektimi i mikut”, zakoni ndryshon. Mirëpo shpesh njerëzit zbatojnë zakone që kohë pas kohe janë shkëputur plotësisht prej traditës.

Duke thënë këto, mund të ndalemi pak edhe te koncepti i dobisë, sa për të forcuar premisën tonë. Kur mendojmë për ligjin, si për atë pozitivin të shpikur nga njerëzit, edhe për atë natyrorin, duhet të mbajmë parasysh konceptin e dobisë. Çfarë të mire na sjell ligji. Për të mirën e përbashkët e për atë individuale flasin Ruso e Monteskjë, ndaj ne nuk do të ndalemi. Mirëpo do të përmendim një maksimë që e përmbledh filozofinë e të mirës së përgjithshme që është ajo e J. S. Mill-it “ E mira më e madhe për numrin më të madh të njerëzve”. Këtu duhet të bëjmë kujdes të mos rrëshqasim drejt utilitarizmit, porse të mbajmë parasysh se kjo maksimë vlen vetëm nëse rezultati nuk bie ndesh me frymën drejtësisë morale, pasi kjo transhendohet e nuk mund ta mposhtim me mjete imanente.

E sidoqoftë, përgjatë historisë nuk ndodhi gjithnjë që ligji të vinte prej moralit. Madje, ndodhi që gjithnjë e më shumë, ligji të rridhte prej amoralit. Për ta kuptuar ndryshe, ligji gjithnjë e më tepër shkon drejt pranimit të fenomeneve që dikur quheshin degjenerime, si për shembull marrëdhëniet homoseksuale, prostituimi, përdorimi i drogërave etj. Dhe gjithmonë e më në përbuzje të përdorimit të simboleve fetare në ambientet publike, mos-abortimit etj. Kështu, ligji, e ka humbur origjinën prej nga nisi: urdhëresën e Zotit ndaj Adamit dhe Evës, si simbol, se lirinë e fiton vetëm nëse përmbush përgjegjësinë.

A është atëherë e drejtë që të mos u bindemi ligjeve të padrejta. Sigurisht, sipas autorëve që kemi cituar më sipër. Mosbindja civile, nuk kërkon vetëm një sens logjik matematikor: Më leverdis apo jo ky ligj. Por mbi të gjitha, një sens të drejtësisë morale: A është ky ligj në përputhje me ndërgjegjen njerëzore. A e garanton ky ligj jetesën dinjitoze në komunitet të secilit. A bazohet ky ligj në traditë, apo është i prodhuar e i pabosht. Në histori ka shumë shembuj të mosbindjes civile, por kazuset më të spikatura janë 4, që i përkasin edhe shekullit XX. Dhe që të gjitha janë mosbindje civile paqësore, të cilat do t’i sjellim në formën e skedave, për të krijuar kontekstin historic.

Mohandas Gandhi

Një jurist i ri indian, i shkolluar në metropolin e Perandorisë Britanike në vitin 1915 kthehet në vendlindje dhe organizon popullin në një rezistencë të padhunshme. Kjo rezistencë ishte një formë e fuqishme e mosbindjes civile ndaj taksave të kolonizatorit dhe diskriminimit. Ai udhëhoqi popullin e vet edhe institucionalisht, edhe shpirtërisht e simbolikisht përmes marshimit të famshëm të kripës, deri në vetëvendosje dhe më pas largimin e britanikëve nga India. Protestat e tij sociale përfshinin agjërimet e gjata dhe meditimet. Shembulli i tij i mosbindjes së padhunshme është i përbotshëm dhe datëlindja e tij 2 tetori, konsiderohet si Dita Ndërkombëtare e Rezistencës së Padhunshme.

Mosbindja Civile ndaj segregimit të njerëzve me ngjyrë në Nashville, Tennessee (1960)

Një pastor protestant me ngjyrë, i quajtur James Lawson, organizoi të rinjtë e famullisë së tij për të demonstruar në mënyrë të padhunshme kundër segregimit të zezakëve. Ata e nisën mosbindjen e tyre duke vizituar për çdo të shtunë paradite, restorantet popullore të Nashville-it, të cilat e ndalonin hyrjen e zezakëve, dhe refuzonin t’iu shërbenin atyre. Studentët, i rezistuan për javë me radhë ofendimeve, dhunës fizike, arrestimeve dhe intimidimeve sistematike, pa u kundërpërgjigjur asnjëherë. Brenda 4 muajsh ata arritën që të grumbullonin rreth vetes mbi 10.000 demonstrues të tjerë, dhe pak nga pak mundësuan që edhe vetë kryebashkiaku të mos i quante më shkelës ligji, por ta quante ligjin si shkelës të të drejtave të tyre. Kjo lëvizje, bashkë me marshimet e padhunshme të Dr. Martin Luther King Junior-it, arritën që të zgjonin shpirtin e drejtësisë jo vetëm te zezakët por edhe tek e gjithë shoqëria amerikane.

Kili

Në vitin 1983, punëtorët kilenë nisën një varg protestash kundër regjimit ushtarak të gjeneralit Augusto Pinochet. Edhe pse ishin bërë tashmë dhjetë vite në pushtet, askush nuk e quante diktatorin diktator, dhe askush nuk e quante dot diktaturën diktaturë. Ishin minatorët, ata që nisën demonstratat e para, që bënin thirrje për një grevë mbarëkombëtare. Kësaj thirrjeje iu bashkua papritur i gjithë populli që nisi të protestonte duke përplasur tenxhere dhe enë kuzhine nëpër rrugë. Protestat u vendosën që të mbaheshin çdo muaj, dhe për çdo muaj ato rriteshin. Kjo, derisa në marshime nuk ishin më punëtorët, por i gjithë populli që deri dje nuk lejohej as të komunikonte lirshëm me një të panjohur. Siç ndodh rëndom në këto raste, arrestimet e disa protestuesve dhjetëfishojnë numrin dhe agresivitetin e turmës. Në lojë u fut edhe kisha katolike e cila bënte thirrje për mosbindje paqësore. Pasi kisha gjykon se dhuna është mjeti i të dobtëve, të cilët nuk kanë mënyrë tjetër për të mbrojtur të tyren. Mundësia e vetme për ta realizuar këtë, ishte vetë kushtetuta e Pinochet-it, e cila parashikonte një plebishit për çdo tetë vjet, ku njerëzit votonin me “PO” ose “JO” për të vazhduar regjimin. Menjëherë nisi një fushatë e palodhur për të bindur njerëzit që në referendumin e vitit 1988 të votohej “JO”. Ajo që mund të bëhej tashmë, ishin spotet televizive të një fushate popullore. Mirëpo duke qenë se vetëm një pjesë e popullit ishin të gatshëm për ta rrëzuar pushtetin, u desh ndihmë nga jashtë. Me ndihmën e konsulentëve amerikanë, opozitarët ndërtuan spote televizive gazmore, ku njerëzit thoshin “JO” në mënyra të ndryshme. Spotet u bënë një sensacion për të cilin njerëzit vraponin për t’i parë në TV. Pasi rezultatet e votimit treguan një “JO” vendimtare në mbarë Kilin, gëzimi popullor ishte ekzaltues jo vetëm për rrëzimin e Pinochetit, por sepse edhe një herë kjo përpjekje kishte vërtetuar se pushteti i njerëzve është shumë më i madh sesa njerëzit në pushtet.

Bojkotimi i bizneseve që mbështesnin Aparteidin

Lëvizja kundër Aparteidit e Nelson Mandelës, shpesh ka përdorur dhunën për të intimiduar pushtetarët afrikano-jugorë të kohës. Kjo e çoi edhe kryeministren britanike Margaret Thatcher që të deklaronte asokohe se Mandela ishte thjesht një terrorist. E patjetër që me të drejtë për kohën. Mirëpo, brenda të diskriminuarve me ngjyrë në Afrikën e Jugut, kishte edhe njerëz të guximshëm, të cilët ia dolën të shënonin emrin e tyre në histori, pa përdorur dhunë, por vetëm përmes mosbindjes civile paqësore. Ky është rasti i një të riu afrikano-jugor të quajtur Mkhuseli Jack. Më 1985-n, ai udhëhoqi një lëvizje masive kundër diskriminimit të ligjësuar të asaj kohe, të njohur me emrin Aparteid. Ai dhe ndjekësit e tij bënin thirrje për një bojkot të gjerë konsumatorësh ndaj të gjitha bizneseve. Ekonomia lokale u shkatërrua vetëm brenda pak ditëve, pasi asnjë njeri me ngjyrë nuk shpenzonte më para në shitoret e Cape Town-it. Shumë shpejt, kjo lëvizje e ktheu vëmendjen e të bardhëve te vuajtjet e përditshme të zezakëve me të cilët ata jetonin. Pas pak kohe, asnjë biznes nuk e mbështeste më sistemin e aparteidit.

Ligji pra, nuk mund të jetë lakmuesi që tregon nëse një popull është i lire. Edhe Adolf Eichmann zbatonte ligjin gjerman, por me rastin e tij, Hannah Arendt shpjegon banalitetin e së keqes. Edhe edhe regjimet komuniste zbatojnë ligjin, por ventëm vendet evropianolindore post-komuniste mund ta dine më mire se si ai regjim i ligjshëm ishte mizorisht criminal. Të gjithë shembujt e sipërpërmendur, por edhe të tjera nëse i merrni në shqyrtim, do të tregojnë se një mosbindje civile paqësore, është e suksesshme vetëm nëse zbatohen disa kritere kryesore. Kritere që i gjejmë dukshëm në rastet e mësipërme: a) Thirrja për mosbindje civile vjen nga populli. Jo nga partitë, jo nga institucionet, nga populli. b) Çështja që e thërret mosbindjen civile i takon një pjese të popullit dhe jo të gjithëve. c) Çështja, është një e vetme, segregimi; diskriminimi; liria e fjalës; varfëria. d) Mirorganizimi dhe koordinimi i njerëzve prej liderëve, te të cilët ata kanë besim, është element thelbësor për mosbindjen civile.

Këto elemente, e dallojnë aktivitetin politik të mosbindjes civie, prej formave të tjera massive si protesta, demonstrate, greva, marshimi, konflikti fizik, etj.

Për t’u kthyer në Shqipëri, dhe për t’u kthyer në 2019-n. Nga analizat e intelektualëve të vendit, shprehet zhgënjimi ndaj një qeverie që erdhi në pushtet me premtime të mëdha, pas një lodhjeje popullore të madhe ekonomike e politike.  Në 2016-ën, liderët e opozitës, Basha e Berisha, testuan thirrjet e para për mosbindje civile ndaj ligjit për arsimin universitar. Në 2017-ën u tentua çadra si formë e një proteste – demonstrate, që nuk çoi dot në mosbindje civile. Sot, pas aktit të jashtëzakonshëm të bojkotit të universiteteve realizuart nga studentët shqiptarë, opozita shqiptare bën edhe njëherë thirrje për mosbindje civile, në mënyrë që të mbajë gjallë frymën e përgjithshme të nevojës për ndryshime politike.

Ndoshta jo për herë të parë në botë, por për të disatin absurditet radhazi në historinë e studimeve politike, do të rreshtohet edhe thirrja për Revolucion, që bëhet nga një parti e vetëquajtur e djathtë. Revolucion Demokratik Paqësor, Mosbindje Civile, Valë Protestash Popullore. Këta janë togfjalëshat e përdorur si kërcënim i mezidëgjueshëm prej të djathtës shqiptare. Sigurisht që këtu nuk ka asgjë të djathtë. Se çfarë duhet dhe mund të bëjë një parti e djathtë sot, do duhej hartuar pas leximeve të kujdesshme të Edmund Burke, Tocqueville, Richard Weaver apo Roger Scruton Mirëpo, revolucione, dhe madje popullore, sigurisht që nuk mund të bëjë.

Nëse u rikthehemi kritereve që kemi rreshtuar më sipër, për suksesin e një mosbindjeje civile popullore, do të shohim se rasti shqiptar, nuk përmbush asnjë. a) Thirrja duhet të vijë nga populli. Në këtë rast vjen nga disa parti. Vetë etimologjia e fjalës parti, nënkupton një pjesëz të popullit. Është pra absurde të mendosh se interesi i një populli të tërë mund të përfaqësohet prej një partie, prej një pjesëze, prej një copëze. Prandaj opozitës shqiptare sot i lind nevoja të bëjë popullin për vete, takimet nëpër qytete, aty ku janë problemet e vërteta të njerzve të thjeshtë, janë një mjet i rëndësishëm. b) Çështja për të cilën bën thirrje opozita shqiptare sot, është blerja e faktuar e votive në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Kemi deduktuar sërish më sipër, se çështja duhet të prekë vetëm njërën pjesë të popullit dhe t’i bëjë ata të bashkohen duke u dalluar prej pjesës tjetër: Punëtorët e minierave në Kili, lypsarët dhe të varfrit e Indisë, zezakët e diskriminuar të Cape Town-it, dhe të rinjtë e krishterë me ngjyrë të segreguar. Nuk mund t’i bësh thirrje të gjithë popullit për të gjitha çështjet. Kjo edhe sepse ata që e shitën votën, janë pjesa më e madhe e popullit votues. c) Drejtuesit e opozitës, e kanë thuajse të pamundur të gjejë një çështje të vetme që të jetë aq e rëndësishme saqë të zgjojë shpirtin e indinjatës te populli, që po vetë është bashkëpunëtor I shitjes. d) Me ardhjen në krye të PD, Basha përzgjodhi 24 koordinatorë kombëtarë, të cilët jetonin të gjithë në Tiranë dhe thuajse nuk e njohën bazën. Nga deputetët e opozitës që sot kanë dorëzuar mandatin, pjesa më e madhe ka ardhur si zgjerdhje e liderëve dhe jo si produkt i dëshirës së popullit për përfaqësim. Megjithatë, opozita sot, është më e mirëkoordinuar sesa opozita e çadrës.

Nga sa thamë, kuptojmë se dukshëm, opozita shqiptare nuk duhet të humbasë kohë dhe energji për të shpallur mosbindje civile, pasi nuk përmbush kritetet e nevojshme që na dikton literature e shkencës politike.

Një parti e djathtë duhet medoemos të kërkojë të rigjallërojë traditën dhe moralin. Vlerat e njerëzimit qëndrojnë te tradita. Një parti e djathtë bën thirrje për rigjallërimin e traditës dhe vlerave. Një retorikë të tillë në politikën amerikane sot e përfaqësojnë politikanë si Rick Santorum, Ted Cruz John Kasich dhe Marco Rubio. Një parti e djathtë ofron një program qeverisës ambicioz përmes një qeverie në hije sikurse suksesoi David Cameron kur në pushtet ishin laburistët. Një parti e djathtë udhëheq Evropën me Angela Merkel, e dikur Nicolas Sarkozy. Një parti e djathtë i kërkon t’i përshtatë ligjet me traditën dhe jo të shpikë zakone përmes ligjeve e aq në pak përmes mosbindjes ndaj ligjeve. Një parti e djathtë, kurrsesi nuk bën thirrje për revolucion.

Kësisoj, sikurse e ka treguar eksperienca botërore, sikurse e tregon literatura (Gene Sharp, Bruce Bueno DeMesquita, Edward Bernays, etj.) dhe sikurse kemi argumentuar gjerësisht më sipër, aktiviteti politik duhet të jetë në funksion të posaçëm të qëllimit të synuar. Duhet përputhur forma e aktivitetit politik jashtë parlamentit me arritjen e zgjedhjeve të lira. Nëse synimi i opozitës është marrja e pushtetit, atëhere duhet revolucion, por këtë nuk duhet dhe nuk mund ta bëjë e djathta. Nwse synimi i popullit është rrëzimi i pushtetit ekzistues, atëhere, rasti i Kilit, mund të jetë shembulli.