Thomas Carlyle, në veprën e tij “On heroes, hero-worship and the heroic in history”, na tregon se si lindi koncepti “Pushteti i Katërt”. Ai e gjurmon origjinën e fjalës pas në kohë dhe na fakton se për herë të parë këtë ide e prodhoi Edmund Burke. Në një debat parlamentar më 1787-ën, me rastin e çeljes së dyerve të Dhomës së Komunave edhe për reporterët e shtypit, Burke parashtroi se: “Ka tri pushtete në parlament, por atje tej në studion e reporterit gjendej një pushtet i katërt shumë më i rëndësishëm sesa të gjithë të tjerët”. Që prej asaj kohe, termi është përdorur masivisht, për të ilustruar pikërisht se si masmedia merr pjesë në sistemin politiko-shoqëror.
Shoqata Gjermane e Gjuhës, për çdo vit shpall një fjalë të re si fjalën e vitit. Ata shpallën “Postfaktisch” si fjalën e përzgjedhur për të ilustruar 2016-ën. Më parë, Post-Truth, që është version anglisht i fjalës, ishte shpallur si fjala e vitit edhe nga Fjalori i Oxfordit 2016. Sigurisht që kjo fjalë është e lidhur ngushtë me fushatën zgjedhore presidenciale në SHBA, dhe përshkruan fenomenin ligjërimor politik të presidentit të sotëm Donald Trump. Studiuesit vunë re që gjatë kësaj fushate, pavarësisht se organizata të ndryshme vërtetëmatëse evidentonin vazhdimisht mungesën e fakteve në fjalët e kandidatit Trump, populli gjithsesi e injoronte të vërtetën dhe vazhdonte të shijonte emocionet që i shkaktonin fjalimet.
Për herë të parë në SHBA, u hartua një listë zyrtare me portale online (këtu në fakt janë hasur më së shumti lajmet false “Fake News”), të cilat ishin provuar në mënyrë të përsëritur se prodhonin argumente, histori dhe lajme të pa bazuara në fakte ose duke i transformuar faktet. E megjithatë, një drejtues i një prej portaleve më të famshme në këtë lëmi, i quajtur Stephen Bannon, jo vetëm që nuk i dha ndokujt llogari për aktivitetin e tij anti-informues, por madje u përzgjodh si drejtor i komunikimit në fushatën “Trump-Pence” dhe sot mban postin e këshilltarit të presidentit amerikan.
Nëse e vëzhgojmë këtë fenomen nga afër do të kuptojmë se reagimi i publikut ndaj argumenteve post-fakt është njëkohësisht tmerrues dhe normal. Tmerrues për moskokëçarjen ndaj të vërtetës. Normal sepse jetojmë në postmodernizëm. Të neglizhosh faktet do të thotë të shkëpusësh marrëdhënien e vazhdueshme me realitetin e përbashkët dhe të zgjedhësh të besosh një realitet të mëvetshëm. Pak a shumë, kjo ngjason me një korridor çmendine ku disa vuajnë dhe disa ekstazohen prej realitetit të tyre të mëvetshëm. Ndryshimi i vetëm është se problemet mendore të atyre njerëzve janë biologjike, psiqike, ndërsa problemet konceptuale të postmodernëve janë shoqërore dhe politike.
Për shkak të kapitalizmit të shtypit, që prej lindjes së shumësisë së parë të mediave informuese, njerëzit prireshin të zgjidhnin një gazetë e cila u dukej atyre se u kënaqte subjektivitetitn. Mirëpo sapo një gazetë e prishte reputacionin e saj për shkak të anësisë së dukshme në interpretimin e fakteve, ajo e humbte besueshmërinë jo vetëm në opinionin publik, por edhe tek lexuesit më besnikë. Kështu lexuesit do të hidheshin tek një tjetër gazetë e cila në frymën e përgjithshme konsiderohej si më korrekte në intepretimin e fakteve. Sot, kjo nuk po ndodh më. Sot, lexuesi dëshiron ta shmangë objektivitetin dhe të shkojë dukshëm kah ai organ mediatik që i kënaq më shumë subjektivitetin dhe interpretimet e të cilit i shijojnë më shumë. Sot nuk ka më rëndësi të informohesh përmes mjeteve të përbashkëta, por të zgjedhësh përkatësinë tënde drejt reporterëve dhe mediave që konfimojnë atë që ti beson dhe dëshiron të besosh paraprakisht.
Ky fenomen ka zhbërë një prej rregullave bazike të gazetarisë profesioniste: Ndarja e fakteve prej intepretimeve. Kësisoj, gazetarët e brezave të rinj, që më së shumti mbushin portalet online sesa letrën, kanë vetëm një imperativ: të kënaqin shijen e lexuesit, përtej-faktit (Postfaktisch). Më në fund, Nietzsche u përqafua në shoqëri: Nuk ekzistojnë faktet por vetëm interpretimet.
A mund t’i vëmë fre këtij fenomeni. Sigurisht! Së pari, duhet bojkotuar cilido portal që operon si gjuetar klikimesh. Së dyti, duhet mbështetur gazetaria që na ofron fakte dhe na sugjeron interpretimet më objektive. Së treti, duhet edukuar publiku që të mos nxitet kah kënaqja e shijes afatshkurtër, por të nxitet drejt informimit rigoroz. Vetëm përmes një informimi korrekt, do të kemi mundësi të realizojmë marrëdhënie ndërshoqërore dhe publike. Vetëm përmes informimit korrekt që bazohet në fakte dhe evidence do të mund të marrim vendime që na vyejnë në jetën tonë të përditshme. Cilido organ mediatik që na keqinformon qëllimisht, është duke na imponuar përmes propagandës, që të mos operojmë më si qenie racionale, por të reagojmë vetëm përmes instikteve.