te-drejtat-e-njeriutNjerëzimi është një bashkësi qeniesh të cilat nuk janë të vetëkrijuara. Është një shoqëri individësh. Është një komunitet social. Është një njësi politike gjithashtu. Sidomos është një sfere shpirtërore. Që njerëzit, si qenie individuale, komunitare, sociale, politike apo shpirtërore, të mund të bashkëjetojnë e të harmonizohen, duhet realizuar komunikimi. Komunikimi është mjeti i vetëm qe i bashkon këto mikrogjallesa. Komunikimi i të gjitha këtyre dimensioneve të qenies njerëzore, mund të realizohet në forma të ndryshme, për shembull: Me fjalë, me gjeste, me shikim, me vizatim, me shkrim, me figura, me pantomime, me art, me simbole, me shenja, me klithma, me shqisa apo me mundësi te tjera potenciale.

Ne stadin e sotëm të zhvillimit të njerëzimit, duhen shquar tri nivele të cilat nëse aplikohen siç duhet, mund ta thellojnë deri në harmonizim të plotë bashkëjetesën mes njerëzve. Këto nivele janë:

1- Përbashkësimi i konvencioneve

2- Përbashkësimi i koncepteve

3- Përbashkësimi i vlerave.

Niveli i pare, realizohet përmes njëjtësimit të shenjave, simboleve apo metodave të komunikimit. Kjo krijon alfabetet, numrat, apo shenjat e përbashkëta te qarkullimit rrugor, etj. Me anë të përbashkësimit të konvencioneve, ne e lexojmë njësoj “A” shenjen “A”, dhe kjo eviton që secili t’i perceptojë gjerat siç do vetë. UNIFIKIMI, është pra çelësi i ndërtimit të një përbashkësimi.

Niveli i dytë, është Përbashkësimi i koncepteve. Kjo do të thotë, se mbi themelin e nivelit të parë, ne, mund të kalojmë nga perceptimi i njëjtësuar, i unifikuar, tek konceptimi i unifikuar. Kështu, komunikimi thellohet, duke mos u mjaftuar me nivelin shqisor, ku lëshon tingullin “A”, teksa lexon simbolin “A”, por gjithashtu e konsideron simbolin “A”, një shkronjë apo mjet, me të cilin mund të komunikojë një ide. Të kalosh nga perceptimi tek konceptimi, do të thotë të kalosh gjithashtu nga shqisorja tek racionalja. Të konceptosh një fenomen në mënyrë të njëjtësuar, do të thotë të kuptosh jo vetëm simbolin, por edhe atë që përçon simboli. E ilustruar, kjo do të thotë se tashmë fjala “Pemë”, nuk është thjesht një bashkësi shenjash që tingëllojnë P, E, M, Ë, por një koncept, që indikon një objekt, fenomen, apo ide. Ne këtë shkallë të dytë Përbashkësimi, është bazuar edhe e gjithë shkenca, dhe dija objektive njerëzore që ne kemi trashëguar prej 6000 viteve tashmë.

Niveli i tretë, ai i përbashkësimit të vlerave, implikon idenë e kalimit ne një stad te ri. Shkalla e tretë, ngrihet në themelin Shqisore-Racionale-Shpirtërore. Shqisë, Mendim, Përjetim. Të përbashkësosh vlerat, do te thotë, qe fjalën “Njeri”, ta lexosh “Njeri”, te kuptosh, njësoj me gjithë të tjerët, idenë dhe konceptin e “Njeriut” që kjo fjalë përcjell, dhe ta përjetosh idenë e “Njeriut”, njësoj me gjithë të tjerët. Sigurisht që niveli i tretë, është edhe niveli më i vështirë për t’u arritur. Kjo pasi është kaq e vështirë që njerëzit të pranojnë t’i përjetojnë të njëjtat gjëra njëlloj. Ky lloj përjetimi i unifikuar, do të kishte nevojë për besim në parime të përbashkëta. Shembull për këtë janë komunitet fetare, ose komunitetet e izoluara nga pjesa tjetër e botës, ose komunitetet e tjera të vogla të cilat ndajnë besime të përbashkëta. Komunitetet fetare, konsiderojnë si të shenjte një fenomen, apo subjekt të caktuar. Kështu, të gjithë anëtarët e komunitetit e përjetojnë të shenjtën njëlloj. Kujdes, e përjetojnë! jo thjesht e perceptojnë dhe konceptojnë. Komunitetet e izoluara (për shembull fiset e humbura të pyjeve tropikale në Amerikën latine, apo në xhungla), e perceptojnë, konceptojnë, dhe përjetojnë frikën ndaj rrufesë, ndaj rrëzimit të një peme, apo frikën ndaj mallkimit të reshjeve të gjata të shiut, me të njëjtën besëtytni, sikurse një fis tjetër i izoluar përjeton frikën ndaj thatësirës, një kafshe misterioze, etj.

Sot, përbashkësimi më i imponuar i vlerave për shembull, janë Të drejtat e Njeriut. Vlerë, e cila po përbashkësohet ndër njerëzim, bazuar mbi parimet liberale, se te gjithë duhet ta jetojnë jetën e tyre siç duan, pa u interesuar për jetën e të tjerëve, për aq kohë sa liria e dikujt nuk cenon lirinë e dikujt tjetër. Mirëpo a është kjo premise përndritja më e lartë që ka arritur njerëzimi? Apo është premisa së cilës më së shumti i është bërë publicitet, dhe që më së shumti josh dobësinë e njeriut ndaj shijes së “Lirisë”.

Në të gjitha nivelet, unifikimi e ka mundësuar progresimin e njerëzimit. Sot jemi në një dilemë të thellë. Dilema e parë: E pse na duhet unifikimi i vlerave, kur secili mund të këtë vlerat e veta idiosinkratike?

Dilema e dytë: Nëse do t’i unifikojmë vlerat, atëherë cilat vlera duhen universalizuar?

Dilema e trete: Duhet të fitojnë vlerat transhendentale?

Dilema e katërt: Duhet të fitojnë vlerat racionale?

Dilema e peste: Duhet të fitojnë vlerat individualiste?

Detyra e secilit, është t’i zbuloje përgjigjet e këtyre dilemave, dhe sigurisht të mendoje, flasë dhe veproje për të promovuar atë që beson.