Sot, dhe në Shqipëri, zë vend boll ajo shprehje e mençur e Presidentit Ronald Reagan “Qeveria nuk është zgjidhja e problemeve tona, qeveria është problemi vetë”. Me konfirmimin e rasteve të para të të prekurve me virusin covid-19, qeveria shqiptare ndërmori masa të përshkallëzuara që vazhdojnë të përshkallëzohen dhe sot. Këto masa qeveria nuk i ndërmori si një protokoll mjekësor, por si një presion politik. Me shfaqjen e virusit në Itali, u bë e dukshme se shteti shqiptar u kap gafil. Denoncimet në media për mungesën e kapaciteteve mjekësore dhe investigimet lidhur me infrastrukturën, nxorrën në pah se qeveria shqiptare nuk kishte asnjë plan A, e aq më pak plan B a C, për të zbatuar protokollet botërore dhe mjekësore për të përballuar e më pas përmbajtur një virus pandemik.
Fillimisht kryeministri Rama, u përpoq që të fshihte këtë papërgatitje, ashtu sikurse bën çdo javë tjetër, për çdo krizë që ndodh në Shqipëri, duke dhunuar verbalisht dhe psikologjikisht popullin përmes propagandës. Ai deklaronte se sulmet e tij i drejtoheshin të gjithëve atyre që po përhapnin panik, por njëkohësisht ai u shfaq kërcënueshëm ndaj të gjithë atyre që nuk do t’i bindeshin qeverisë, pra atij vetë. Denoncimeve në media se nuk kishte shtretër në spitale ai iu përgjgjigj me sulm ndaj mediave, denoncimeve të opozitës për mungesën e pajisjeve respiratorë dhe maska të skaduara ai iu përgjigj me sulm ndaj opozitës, mjekët e shqetësuar i sulmoi dhe i ridikulizoi.
Më tej, kur u pa se sulmet verbale nuk mjaftonin që me sebepin e kujdesit shëndetësor, kryeministri të merrte në dorë autoritet politik, ai nxorri në rrugë policinë, dhe ushtrinë. Ai foli për luftë dhe gjendje lufte, duke e shpallur metaforikisht, por jo de jure. De jure, ai refuzon edhe sot të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare, sepse një gjendje e tillë do t’i hiqte pushtetin e tij. Por ai është gati të sakrifikojë çdo gjë për pushtetin e tij dhe madje kërkon të akumulojë sa më shumë pushtet. Evidencë për këtë është fakti se Rama, nuk ka ngritur asnjë komitet kombëtar për menaxhimin e situatës. Kryeministri ka vendosur që situatën ta menaxhojë me monologjet e tij para kamerës së celularit. Ai dëshiron të tregojë, se është më i madh se situata. Ai lëshon mesazhe se si lahen duart. Ai e di se çdo shqiptar sot ka një smartphone dhe mund t’i lexojë me një link udhëzimet për higjienën dhe kujdesin mjekësor, por ai nuk mund ta humbasë këtë rast për të dalë si ‘udhëzuesi suprem’ prej të cilit vijnë këshillat për higjienën. Kryeministri e di, se figura më e besueshme në këtë situatë është mjeku, por ai nuk lejon që mjekët të shprehen për shqetësimet e tyre, për mungesën e pajisjeve, për mungesën e instrumenteve, për mungesën e infrastrukturës, për mungesën e mbështetjes.
Në fund, kur nuk e projektoi dot veten as si menaxheri i mirë, dhe as si udhëzuesi i madh, po kërkon ta projektojë veten si kujdestari i dhembshur. Partia Demokratike, është shprehur përgjatë këtyre ditëve, për masa tërësore që duhet të marrë një qeveri në këtë situatë. Propozoi që para dy javëve karantinimin e të gjithë pasagjerëve që hynin nga Italia, propozoi ngritjen e Grupeve të Punës me mjekë dhe specialistë më çdo pikë hyrëse të kufirit shqiptar, propozoi që të kufizohen vendet me grumbullim të madh njerëzish, dhe me mbylljen e çerdheve, kopshteve, shkollave të paguhej njëri prej prindërve për të qëndruar në shtëpi. Mbi të gjitha kërkoi në emër të qytetarëve transparencë të plotë për veprimtarinë e qeverisë në raport me krizën. Sigurisht që kryeministri Rama, nuk kishte ndërmend as të bashkëpunonte dhe as të dëgjonte opozitën. Ai transparencën e nisi që me qarkullimin e idesë se ka një spital të fshehtë karantinimi që është plotësisht i përgatitur për çdo skenar, aq sa qytetarët e Kavajës u tmerruan dhe e menduan si hakmarrje elektorale. Transparencë kryeministri konsideron daljet e tij në ERTV. Mirëpo i detyruar dhe ai i realizoi të gjitha pikat e propozuara nga Partia Demokratike, pa ia njohur se ata ishin një hap përpara, pasi kjo do të thoshte humbje. E vetmja pikë që kryeministri nuk do ta pranojë kurrë ta realizojë, është pezullimi i koncesioneve. Sa të jetë në pushtet qeveria Rama, spitalet do të mbeten të pafinancuara, të pambështetura, pa infrastrukturë dhe mjete, ama koncesionarët do të vazhdojnë të marrin të gjitha paratë e shtetit.
Kryeministri Rama, e bën të qartë përmes veprimeve të tij, se është më i tërbuar që po humb një betejë politike, sesa i shqetësuar për shëndetin e popullit që ai sundon. Prandaj Rama po bën të pamundurën që meqenëse nuk mund ta fitojë betejën politike, të fitojë të vetmen betejë ku ai mund të luftojë, atë propagandaistike, me marrje masash të ekzagjeruara. që nuk prodhojnë mirëmenaxhim të situatës mjekësore, por vetëm qetësim të një beteje politike tashmë të humbur.