ebertiPara pak ditësh, në Tiranë u promovua libri i presidentit të parë socialdemokrat gjerman, Fridrih Ebert. Në përpjekje për të kuptuar paralelet mes gjermanisë së midis luftërave dhe shqiprisë së tranzicionit, mund të marrim si pikënisje thënjen e Ebertit se “Për të pasur demokraci, duhen demokratë”. Mirëpo në mënyrë që ta marrim seriozisht demokracinë, duhet të sqarojmë se për çfarë jemi duke folur. Në antikitet, demokraci, do të thoshte, të merrje pjesë në Agora dhe të paraqisje mendimin tënd. Në mesjetë, demokraci do të thoshte të sfidoje autoritetin e klerit dhe të mbretit. Në modernitet, demokraci do te thoshte qeverisje e popullit nga populli për popullin. Sot, sipas “Freedom House” që të quhesh demokraci, duhet të kesh: Një sistem shumëpartiak; Të drejtën e votës së lirë, të barabartë dhe të fshehtë; Zgjedhje periodike; Akses i partive tek njerëzit përmes medias dhe hapësirës publike. Praktikisht përqendrim tek momenti i votimit të partive. Sipas historisë, a jemi sot më mirë se dje? A jemi ne njerëzimi më i mençur sesa njerëzime të tjera në histori?.

Jean Boden, tek kryevepra e tij “Sovraniteti” përmend një jurist latin të quajtur sekst cicili i cili ofronte këtë metaforë: Nëse anija është në rrezik të përplasiet me shkëmbinj të fortë të një bregu dhe rrezikohet vdekja e ekuipazhit, a mos duhet kapiteni te mbledhë gjithë ekuipazhin e të votojnë, apo duhet timonieri të marrë përsipër vendimin?. Kjo dilemë na ndihmon të kuptojmë mbi të gjitha problemet e demokracisë. Ilustruar me fjalët e Churchillit “Argumenti më i mirë kundër demokracisë, është një bisedë pesë minutëshe me votuesin e zakonshëm”, “e megjithatë” – thotë ai “është një sistem i keq, por më i miri që kemi provuar”.

Disa sisteme politike i ka provuar edhe Shqipëria: Perandorinë osmane, qeveritë kaotike, mbretërinë, komunizmin, dhe tranzicionin. Ka debate jo vetëm prej opinionistëve nëpër televizione, por sidomos prej studiuesve se cila prej këtyre periudhave ka sjellë më shumë prosperitet për Shqipërinë. E sërish na duhet të pyesim, a është prosperiteti kriteri mbi të cilin duhet ta vlerësojmë një sistem?

Në fakt, të gjitha ideologjitë, madje edhe konservatorizmi që lindi si ideologjia kundër ideologjive, bien dakord se sistemi, shoqëror, duhet t’i garantojë njerëzve Siguri, dhe liri për mirëqenie. Duke i kuptuar që të dyja garancitë në shumë planë. Ideologjitë, nga komunizmi tek socializmi, fashizmi, liberalizmi e konservatorizmi ndahen tek metoda që duhet përdorur për përmbushjen e këtyre garancive. Kushdo prej nesh, është i gatshëm të paguajë gati çdo çmim për hir të sigurisë. Mirëpo ka vetëm diçka tjetër që kushdo prej nesh nuk do ta tregtonte për sigurinë. Kjo është liria. Yevgeny Zamyatin, ka një frazë monumentale që thotë “Nëse doni të zhdukni krimin nga një shoqëri, atëhere hiqi asaj lirinë”.

Fridrih Eberti edhe pse socialdemokrat, besonte tek liria. Tek liria, e mbi të gjitha tek njerëzit. Ashtu sikurse do të thoshte Linkolni në Gettysburg Adress “Qeveria e njerëzve, prej njerëzve dhe për njerëzit”, ashtu edhe Eberti do të mbante të palëkundshëm dhe të panegciueshëm besimin e tij tek njerëzit. Eberti është quajtur shpesh edhe si Linkolni gjerman. Të besosh tek njerëzit, do të thotë të besosh se ata bëjnë zgjedhjet e duhura për veten e tyre. Por edhe kur bëjnë zgjedhjet e gabuara, ata mësojnë se çfarë nuk duhet të bëjnë.

Në Shqipëri, ne duhet të mësojmë të besojmë tek njerëzit. Nuk mund të vazhdojmë më të besojmë tek qeveria. E duhet të nisim të kuptojmë se liria për të votuar për këtë klasë politike apo për këtë klasë politike, nuk është aspak liri. Të besosh tek qeveria do të thotë të besosh se qeveria e di më së miri se çfarë duhet të bësh ti. Prandaj, kur njerëzit u besojnë qeverive, atëherë qeveritë nisin e marrin rolin e rregullatorit. Hartojnë plane pesëvjeçare dhjetëvjeçare, strategji, rregulla, ligje, ligje edhe më shumë ligje. Pushteti nis t’i bëjë qeveritarët të mendojnë se ata duhet të japin zgjidhje për gjithçka, ndërkohë që zgjidhja e vërtetë nuk janë zgjedhjet e tyre, por zgjedhjet e njerëzve.

Në Shqipëri ne duhet të mësojmë t’i besojmë njerëzve, dhe duhet të mësojmë të besojmë se njerëzit janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për zgjedhjet e tyre. Liria e zgjedhjes nuk ilustrohet tek votimi i një qeverie të madhe, apo një qeverie edhe më të madhe, që i ushqen të gjithë. Në duhet të besojmë që njerëzit ushqejnë veten. Që qeveria duhet t’i mbajë duart larg jetës së njerëzve të lirë, ngase zgjedhjet e njerëzve duhet të drejtohen nga morali dhe përgjegjshmëria, e jo nga kërkesat e ndërhyrjet e qeverisë.

Nëse njerëzit nuk janë të lirë të zgjedhin, dhe ta mbajnë veten në këmbë pa nevojën e shtetit, atëherë njerëzit nuk do të kenë më as dinjitet, pasi do të jetojnë të gjithë në mëshirën e shtetit. Prandaj, që t’iu rikthejmë njerëzve … vetes sonë dinjitetin, duhet ta rikthejmë shtetin tek përmasat e veta origjinare: të garantojë sigurinë dhe t’i hapë rrugën mirëqenies që njerëzit e krijojnë vetë përmes marrëdhënieve ndërnjerëzore. Të ribesojmë tek njerëzit, që demokracia të garantojë lirinë tonë, dhe dinjitetin e secilit.

 

Brenton Kotorri