fressh“Do të jem liderja më e mirë e FRESSH-it, pasi që e vogël unë arrij gjithçka që dëshiroj”, apo “në krye të FRESSH-it na duhet një i ri që është çdo ditë pranë të rinjve”, fjali të tilla na treguan më shumë për të ardhmen e të rinjve socialistë që garojnë për kryesinë e forumit të tyre. Në emisionin “Top Show” këta 8 të rinj patën mundësinë të shfaqeshin publikisht në mënyrë që t’i njihte edhe publiku jashtë partisë së tyre. Së pari, duhet thënë se një dalje e tillë publike në një television kombëtar, (edhe pse personalisht do ta kërkoja këtë hapësirë prej RTSH-së), na rikujton se një parti që mbahet me paratë tona, e ka për detyrë që të jetë llogaridhënëse karshi nesh, qoftë edhe me forumin e saj të të rinjve. Megjithëse të gjithë biem dakord se asnjë prej partive nuk ka qenë ndonjëherë transparente dhe llogaridhënëse ndaj taksapaguesve, paratë e të cilëve ata përdorin.

Citimet e mësipërme nuk janë megjithatë shqetësimi më i madh lidhur me këta 8 të rinj, pasi ky është tregues i nivelit të ulët të përgjithshëm të artikulimit të të rinjve jo vetëm në Shqipëri. Shqetësimi i vërtetë është se asnjë prej 8 konkurentëve finalistë (a thua se po marrin pjesë në konkurs kërcimi) nuk parashtroi asnjë ide të majtë në debat. Teksa moderatori Dudushi bënte ruletën nga njëri tek tjetri FRESSH-ist, ata nisën të parashtronin idetë e tyre lidhur me formën se si duhet drejtuar forumi rinor.

Disa prej ideve të tyre kryesore ishin këto: “Decentralizimi i strukturave të forumit rinor”, “Meritokracia”, “Mos-diskriminimi”, “Te lemë pas të shkuarën” “Një forum i hapur”. Patjetër, për ta do të ishte krenarë Lyotard-i, Popper-i, MarcuseFoucault e postmodernë të tjerë. Do të ishin krenarë po ashtu edhe neoliberalët në politikë të cilët janë në fakt shpikësit e togfjalëshve të mësipërm. Sidoqoftë, nuk do t’iu besonin veshëve MarksRousseau, apo Russell. Prej ligjëratës së tyre mund të kuptosh fare kollaj që asnjëri prej tyre as që e ka kuptuar diskoherencën reale që ka me pozicionimin në spektër të partisë ku aderon. Asnjëri prej tyre nuk u shfaq si socialist.

Një i ri socialist, do të kërkonte natyrshëm barazi për të gjithë edhe aty ku sakrifikohet ndopak meritokraci. Kjo do të thotë, barazi gjinore përtej faktit se kush e meriton më shumë. Një i ri socialist do të dilte hapur kundër një reforme neoliberale sikurse është kjo në arsim, ndërkohë që secili prej të 8-ëve të pranishëm luftuan kush të bërtiste më shumë në favor të reformës së qeverisë. Një i ri socialist do të denonconte hapur spitalet private, universitetet private dhe mungesën e shëndetësisë e arsimit falas, mirëpo asnjëri prej tyre nuk mbajti ndonjë qendrim të këtillë.

Le të jemi të qartë, nuk do të sillte ndonjë mirësi të madhe të edukojmë të rinjtë tanë që të jenë socialistë, por ama është shumë më tragjike që këta janë postmodernë neo-liberalë. Ata mund të ishin që të 8-të lehtësisht anëtarë të LRI-së apo FRPD-së, pasi idetë e tyre qëndrojnë me frymën populisto-liberale të partive shqiptare, mirëpo vetëm rastësia i ka futur në njërën derë e jo në tjetrën.

Përgjithësisht, ka një ide të përgjithshme në shoqëri. Ideja se të gjithë të rinjtë po shfrytëzohen keqas prej politikanëve. Unë e ndaj këtë ide, ama unë nuk përjashtoj që të rnjtë duhet të jenë politikisht të angazhuar. Ata e kanë madje për detyrë të jenë të angazhuar dhe jo amorfë në politikë. Qoftë edhe sikur të aderojnë nëpër parti, për aq kohë sa janë koherent ideologjikisht. Inkoherenca e të rinjve të FRESSH-it nuk është në fakt më tragjike sesa koherenca e neo-liberalëve që kandiduan për FRPD-në. Kësisoj, e gjithë panorama e plotë na thotë se në 10 vite kohë, nuk do të kemi më disa parti me ideologji të ndryshme, por do të kemi disa grupime që ndajnë të njëjtat ide kongruente, por që luftojnë për pushtet personal. Kjo është e ardhmja e politikës shqiptare, jo më pak e frikshme sesa e tashmja e saj.