“Të ndryshojmë që të ruajmë!” – tha Edmund Bërku. E mbi këtë koncept u ngrit e gjithë fryma ideologjike e së djathtës politike të shekullit të XIX-të, e mëpastaj. Të ndryshosh, në kontekstin e Bërkut implikonte krahasimin që ai i bën dy revolucioneve, pasi revolucionet sigurisht që i ndryshojnë gjërat. Ai krahasoi Revolucionin e Lavdishëm të Anglisë me Revolucionin Francez. Ai i pari, pati qenë një reagim ndaj politikave të tolerancës fetare që kishte ndërmarrë mbreti Xhejmsi II. Këto politika shiheshin si një mjet për të përmbysur traditën politike të kushtetutës së pashkruar e të mundësonin hapjen e rrugës që mbretëria të qeverisej nën një dinasti katolike. Kjo do ta nxirrte Mbretërinë e Bashkuar jashtë traditës së tyre popullore dhe thuajse do të zhbënte Magna Carta-n. Në këto kushte duhej bërë çmos që njerëzit të vazhdonin të jetonin me traditën dhe mënyrat e tyre të jetesës dhe torët e Vigët u bashkuan për ta mbrojtur gjendje të marrëdhënies mes institucioneve dhe njerëzve. Në francë ndërkohë, revolucionarët e përmbysën regjimin e vjetër dhe të gjitha institucionet për të sjellë jo thjesht institucione të reja apo një regjim të ri, por një traditë të re e cila do të imponohej përmes unifikimit të dhunshëm. Prej asaj kohe, kemi për herë të parë edhe shpikjen e sistemit metrik të matjes së peshës, hapësirës, vëllimit, madhësisë, etj. Kjo do të thotë se njerëzit tanimë do të duhej jo vetëm të ridimensiononin nga zeroja zakonet e tyre, por madje edhe mënyrën e jetesës, respektin ndaj pozitave shoqërore, mënyrën e të menduarit e madje edhe mënyrën e të ndjerit. Kjo do të thoshte shkëputje totale. Të ndryshojmë që të ruajmë për Bërkun do të thoshte të ndryshojmë zakonet për të ruajtur traditën. Sepse zakonet janë lehtësisht të sakrifikueshme në raport me traditën ngase ato  shërbejnë vetëm për të jetësuar thelbin e traditës së një populli.

Sikurse e njohim tanimë, shekulli i XX nuk na ofron shembujt më të mirë të konservatorizmit. Ky shekull ishte shekulli kur njerëzimi i droguar nga ngazëllimi i shpikjeve shkencore (lexo Thomas Khun), mendoi se një botë e re ishte e mundur. Moderniteti ishte mbushur me fantazi për utopinë, për atlantidën e re, për qytetin e diellit e për më të mirën e botëve. Kësisoj u bërtit anembanë për mrekullinë që do të sillte ndërtimi i njeriut të ri komunist, qytetarit të bindur fashist, njëriut të ri arian e me radhë. Pra përkundër thirrjes së Bërkut, Europa kërkonte ta çrrënjoste njeriun prej dhéut të vet, në emër të eksperimentit. Jo një ndryshim si mjet për konservimin dhe kultivimin e traditës por si një tjetërsim për hir të horizonteve të reja ekzotike.

Pas luftrave botërore e sidomos pas revolucionit seksual të viteve ’60, në Europë e sidomos në Sh.B.A, lëvizjet konservatore bënë thirrje për një rikthim tek tradita. Neokonservatorizmi politik e rigjeti veten tek ndryshimi për hir të ruajtjes. E djathta politike kristiandemokrate apo kristiansociale e ridimensioni veten në një mjedis të ri politik e kulturor botëror, me qëllim për t’u rikthyer tek qeverisja përmes vlerave që mëson feja, përmes vlerave që na trashëgon tradita më e mirë e njerëzimit. Sot, qeverisjet më të mira konsiderohen ato që fokusohen tek zhvillimi i ekonomisë dhe çështjeve sociale duke mbajtur në themel vlerat e djathta të besimit, traditës, meritokrasisë, konkurencës së lirë, sundimit të ligjit të barabartë për të gjithë dhe lirisë së individit prej shtetit. Qeverisje si ajo e Reganit, e Thatçerit, e Sarkozisë, Merkelit, Cameronit, e Abes në Japoni ose e të gjitha vendeve me zhvillim të shpejtë të konsideruara botërisht BRICS.

Në shqipëri, ky ridimensionim nuk ndodhi kurrë. Partitë e djathta shqiptare u identifikuan menjëherë pas viteve ’90 si parti antikomuniste. Kjo në vetvete nuk ishte asgjë më shumë sesa pragmatizëm populist, pasi të gjithë asokohe ishin antikomunistë. Pra praktikisht, po të shohim me më shumë vëmendje, partitë e djathta shqiptare ishin në emërtim e në sipërfaqe antikomuniste dhe pro lirisë, ndërkohë që në thelb ishin populiste dhe çdo mjet për këto parti justifikohej prej qëllimit të vetëm të të ardhurit në pushtet. Shumë politologë, jo vetëm shqiptarë, kanë rënë dakord se tek ne është shumë i dukshëm fenomeni i shndërrimit të pushtetit në qëllim dhe jo konsideromi i tij si mjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Në një shkrim të mëparshëm rreth mosbindjes civile në po të njejtën gazetë këmi përshkruar se si fryma e përgjithshme e popullit në shqipërinë e 2016-ës na sjell ankesën se kjo qeveri erdhi me pritshmëri të larta sikurse edhe ajo para saj, e po zhgënjen po njësoj si ajo para saj. Cikli po përsëritet çdo mandat të pushtetit. Sigurisht që nëse nuk mësojmë nga historia jonë jemi të dënuar ta vuajmë atë vazhdimisht.

E djathta shqiptare sot është tkurrur. Tkurrja e parë (që ka ndodhur edhe majtas) është tkurrja e partive parlamentare. Nëse dikur përfaqësoheshin ish-pronarët dhe konstitucionalistët prej Partisë Republikane, sot kjo lidhje ka humbur. Kjo lidhje ka humbur gjithashtu edhe mes elektoratit specifik ideologjik me Partitnë Demokristiane, me Partinë Lëvizja e Legalitetit, me Partinë e Ballit Kombëtar, por sidomos Partia Demokratike. Në legjislaturat ’92 – 2005, këto parti, konsideroheshin të vogla, por votoheshin jo sepse shpresonte ndokush se do të qeverisnin, por sepse në njëfarë mënyre ishin parti të  profilizuara e të specializuara për të kryer një funksion brenda një qeverisjeje të djathtë të madhe. Pak nga pak, për shkak të xhuvelizmave e sidomos të vjedhjes së votave, elektorati nisi të kuptonte se vota për një parti të vogël ishte një votë e humbur dhe prandaj si branda një hinke parlamenti u përqendrua në mandatet e PD, PS, LSI, PDIU. Karakteristikat e reja të të cilave i njohim dendur.

Propaganda e secilës prej këtyre partive është shndërruar në një prej shfaqjeve më të shëmtuara që një populli hallexhi mund t’i zënë sytë. Platformat politike nuk janë më oferta qeverisjeje, por thjesht një orendi që kërkon të kamuflojë hipokrizinë e kërkimit të votës me të gjitha mënyrat. Platformat politike të partive të sotme në shqipëri të kujtojnë historinë e gruas borgjeze që i porositi librashitësit dy metra libra të kuq dy metra të kaftë dhe një metër të verdhë. Praktikisht asnjë funksion më shumë sesa dekorimi i urisë për pushtet.

Jo aq shumë për mungesë kompetence sesa për mungesë dëshire, dua të parashtroj më poshtë se çfarë mund të bëjë Partia Demokratike për të shpëtuar nga rrethi moebius i këtij realiteti distopik. Duke qenë se PD është ende në kohë (në krahasim me partitë që tashmë e kanë humbur elektoratin specifik ideologjik) dhe ende e ka një elektorat inercie (se s’kanë ku shkojnë tjetër), ka mundësi që të ofrojë veten si një alternativë për Shqipërinë. Tani më shumë se kurrë pas mbylljes së një jubileu të argjendtë populizmi. PD duhet të ndryshojë fizionominë dhe fiziologjinë e vet në emër të ruajtjes së vlerave të djathta të qeverisjes për njerëzit. Kështu mund të kontrastojë konceptet neorevolucionare të psudo-renesansës së majtë. Dy janë aspektet 1-forma e ofertës; 2-përmbajtja e ofertës: 1- Një ndryshim në formë që do ta impaktonte gjithë partinë do të ishte të afrojë pranë vetes një grupim dijetarësh të djathtë konservatorë të cilët në Shqipëri janë shumë të paktë por janë. Janë të paangazhuar por duhen ftuar që të ndërtojnë modelin e politikbërësve të ndershëm, me integritet, me dije teorike e jetësore. Ky kusht i parë do të bëjë të mundur që PD të bëjë ndarjen prej politikave neo-liberal-pragmatiste-populiste që ka ofruar derimë tani,  do të mundësojë ndërtimin e një platforme ideologjikisht të konsoliduar dhe jo të improvizuar sikurse derimë tani. Ky rekrutim do të mundësojë kontrastin me individët-aksident që gjenden sot në parlament dhe me manekinët e pudrosur që gjenden sot në qeveri, mbi të gjitha me hajdutët e kriminelët e provuar gjyqërisht.

2- Të ndryshojmë që të ruajmë do të thotë që PD të shkarkojë ngarkesën e padobishme që po i anon varkën dhe të rikthehet në kursin e vet të natyrshëm. – PD duhet të ofrojë një plan konkret për ndarjen e pushteteve, që sot mungon dhe e ka kthyer shtetin në një arlekin që më shumë të dhimbset se të qeshet. Për këtë nuk ka nevojë për eksperimente dhe shpikje, por mjafton të kthehesh tek konceptet e Hamiltonit dhe Medisonit. – Pas kësaj, PD duhet të ndërtojë një plan konkret për zhvillimin ekonomik. Mezidukshëm po përpiqet të elaborojë një ide në eter për një taksë të sheshtë 9%, por kjo duhet shndërruar në një plan zhvillimi dhe jo në një fjali pa kuptim. – Duhet të rikthehet tek mbështetja e investimeve përmes partneritetit me konfederatat e industrive private dhe të rilargojë F.M.N-në dhe organizma të ngjashme që i skllavërojnë shtetet përmes borxhit. – Duhet të heqë çdo taskë dhe procedurë për të vetëpunësuarit përveçse regjistrimit. – Duhet të nxisë zhvillimin e fermerëve në shkallë të gjerë dhe të lërë pas epokën e bujqëve që mbjellin për të ngrënë. Një ofertë e djathtë sot në shqipëri duhet të zgjidhë përfundimisht problemin me shumë social sesa ekonomik të pronave përmes kthimit ose kompensimit me një proces intensiv brenda dy viteve. – Duhet të nxisë ngritjen e familjeve që varen nga asistenca sociale për papunësinë në familje me dy të rritur të punësuar përmes tërheqjes së investitorëve në industri që prodhojnë për të shpëtuar nga call-centerizimi i rinisë. Mbi të gjitha, në aspektin social, një alternativë e djathtë duhet të eleminojë plotësisht problemet sociale-morale si prostitucioni, paradat homoseksualiste dhe promovimi i të tilla fenomeneve, të ndërgjegjësojë me ndihmën e institucioneve fetare kundër përdorimit të alkolit duhanit e drogërave që nga probleme sociale kthehen në probleme shëndetësore, dhe sigurisht të nxisë për arsimimin e brezave të ardhshëm, mësues, që vijnë si grumbullim i mendjeve më të çmuara që ne kemi, dhe i njerëzve më të vyer të komunitetit dhe ta shpëtojë shqipërinë nga mësues që janë aty sepse ishte vendi i punës bosh.

Të tillë ofertë, me thelb të njejtë por në kontekst komplet tjetër do të gjesh sot tek Ted Cruz, John Kasich, apo dje tek Mitt Romney. Do të gjesh tek Ergogan dhe tek qeveritë aktuale të Holandës, Danimarkës, Indisë, Australisë etj. Kësisoj, një rikthim tek qeverisja prej moralit, qeverisja për hir të njerëzve dhe jo për hir të shtetit, tek qeverisja me vlera dhe jo me interesa, do të ishte për PD, jo thjesht një mision për të rimëkëmbur të djathtën politike por një mision për të larguar sa më parë mjegullën e pesimizmit dhe pashpresës që i ka ndarë dhe përgjumur njerëzit, që nuk aspirojnë më tek aftësitë e veta, por tek mëshira e deputetit të zonës.