brenton kotorri - list of top movie directorsTë jesh i pasionuar pas filmave dhe kinematografisë, në një kohë që rrjetet sociale dhe interneti dominojnë është diçka e rrallë. Por ka ende të rinj që, jo vetëm i ndjekin me kërshëri filmat, por janë tepër të informuar rreth historisë, detajeve, planeve të një skene e të tjera. Sipas studimeve të shkencëtarëve, filmat vënë në veprim trurin dhe përmirësojnë funksionimin e kujtesës afatshkurtër, çka do të thotë se për të gjithë të pasionuarit pas filmave mundësia për një mirëmbajtje të shëndoshë të trurit është më e madhe sesa e atyre që nuk preferojnë t’i ndjekin. Madje, ky pasion për kinematogafinë shkon deri aty sa të ndjekësh gjithë filmografinë e mbi 30 regjisorëve të huaj.

Ajo çfarë e bën akoma më të veçantë këtë fakt është se njërin prej këtyre “manjakëve” të filmave e kemi në Shqipëri. Ai quhet Brenton Kotorri, është 24 vjeç dhe vazhdon studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare, niveli Master. Diskutimet ku flitet për kinemanë europiane, ballkanase apo hollivudiane, ai i ndjek me interes, si dhe i pëlqejnë bisedat që bëhen midis shokëve rreth preferencave, kritikave apo sugjerimeve për filmat që duhet të ndjekë.  Në këtë intervistë, Brenton flet në gjuhën e filmit për pasionin e madh që ka për kinematografinë.

Si lindi tek ju pasioni i të parit kinematografi të huaj?

Kam lindur në një familje që u nda nga periudha komuniste me një bibliotekë prej 1000 titujsh dhe sot e kemi 4-fishuar. Të rritesh mes librave, mbushesh jo vetëm me dije e kulturë, por edhe me interesa për fusha të ndryshme të jetës. Kultura kinematografike është e domosdoshme nëse do të ruash vazhdimësinë e rritjes së personit tënd. Ashtu sikurse edhe kultura muzikore, apo njohja e pikturës. Fatkeqësisht në epokën e sotme, informacioni i bastarduar shpesh gëlltitet për kulturë apo dije. Ndaj individi që synon të ketë substancë, duhet të punojë me vullnet. Kësisoj, kinematografia për mua nuk është thjesht një pasion, por një domosdoshmëri.

A e ndani këtë proces me ndonjë të afërm?

Përgjithësisht në familje priren rreth filmave fantastiko-shkencorë. Tek miqtë gjej kryesisht filma të vitit të fundit, ndërsa tek kolegët, “Thriller” psikologjikë.

Sa kohë keni shpenzuar duke ndjekur filma?

Që prej vitit 2011, prej kur nisa të shoh filma në mënyrë të strukturuar, kam pasur një mesatare prej dy filmash në ditë. Kështu, totali sasior shkon mbi 3500 produksione, pra jo vetëm filma, por edhe dokumentarë dhe seriale gjithashtu. Sidoqoftë, gjykoj se nuk është dhe aq me rëndësi sasia në raport me cilësinë e filmit. Shpesh kam parë edhe filma të dobët artistikisht, por që më kanë sjellë një informacion të caktuar. Kryesisht këta janë filmat që kam konsumuar në kuadër të studimeve në disiplinën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Sa është maksimumi i kohës që shpenzuar pa ndërprerje për të parë filma?

Kam parë për 30 orë bashkë tri sezonet e para të “Game of Thrones”, para dy vitesh.

A i keni vendosur rekorde vetes që duhet t’i thyeni?

Jo, për mua nuk ka rekorde. Synimi kryesor është kënaqësia estetike që marr dhe kultura që zgjeroj. Rekordet janë sfida prej amatorësh sipas mendimit tim. Vlera e vërtetë është ta ndash kulturën me të tjerët, jo ta përdorësh për garë.

Sipas një liste të ideuar, ju kishit parë gjithë filmografitë e mbi 30 regjisorëve. A është e vërtetë kjo?

Sigurisht që po. Listën e kam ideuar unë dhe e kam publikuar në “Facebook”. Lista më shërben gjithashtu edhe për të strukturuar vijimësinë, si dhe për të mbajtur rendin e disa gjërave që nuk ka nevojë t’i mbash mend.

Nëse do të vendoseshe përballë një pyetësori rreth filmave të njërit prej regjisorëve që ju keni ndjekur, do të ishit në gjendje të përgjigjeshit?

Ka gjëra që nuk mbahen mend, sidomos kur pretendon të zotërosh kulturë dhe jo të bësh gara koleksionimi. Sigurisht që jam i gatshëm për kuice apo teste, mirëpo do isha më i lumtur të ofroja konsiderata për filmat e listës sime sesa përgjigje që impresionojnë vetëm statistikat. Së shpejti unë do të ofroj në një portal online konsiderata dhe analiza për filma. Një rubrikë që do të vijë për herë të parë në shqip, ashtu sikurse ndodh në shumë gazeta apo tabloide të famshme me rëndësi botërore.

Përgjithsisht në filmat që shihni, arrini të fiksoni aktorët, detajet apo ndonjë batutë?

Përgjithësisht vendos një strukturë në kokë ku së pari përpiqem që filmit t’i shijoj impulset artistike. Fundja, ky është edhe qëllimi i ekzistencës së çdo lloji arti. Së dyti, ndjek historinë e rrëfyer në film, sa tërheqëse është dhe së treti shoh dialogun, apo batutat që thoni ju. Loja autoriale apo planet e kamerës, që në fakt japin edhe pjesën më të madhe të efektit artistik, janë dytësore për mua, kështu që qarku mbyllet aty ku nisi.

 Lista e Filmave

Të parit filma ka të bëjë me ndonjë prirje për t’u bërë regjisor?

Nuk besoj, nuk e gjej ende këtë tek vetja. Sigurisht legjenda e thotë këtë. Për shembull, Quentin Tarantino u mbyll 4 vite në shtëpi dhe pa gjithë filmat më të mirë të botës pa pushim dhe pastaj doli nga dhoma si një prej regjisorëve më të famshëm. Të jesh regjisor nuk do të thotë të kesh studiuar regjisurë apo të jesh i dhënë pas filmave. Regjia kërkon një kulturë shumë të gjerë nga disa fusha të jetës. Më lejoni ta ilustroj këtë me një film nga suedezi Ingmar Bergman, i cili merr pjesën “Flauti Magjik” të Mozart-it, e vendos në skenë në teatër me aktorë që këndojnë opera dhe filmon gjithë ngjarjen duke përfshirë spektatorët si personazhe të filmit. Pa njohur historinë, filozofinë, religjionin dhe artet e tjera, nuk ka as nevojë “regjisorllëku” për ty, cilido qofsh.

Aktualisht me çfarë merreni?

Punoj me projekte politike–sociale. Ndërkohë, po përfundoj masterin shkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe sigurisht lexoj e kulturohem me sa mundem.

10 tituj filmash të sugjeruara nga Brenton Kotorri

Bicycle Thieves  (1948)

Rashomon (1950)

Full Metal Jacket (1987)

Inception (2010)

Metroplis (1927)

12 Angry Men (1957)

Pieta (2012)

Das Schlangenei (1977)

The Nights of Cabiria (1957)

1984 (1984)