10153752_732525693446120_629436137_nBrezi i prindërve të mi të cilët kanë lindur në komunizëm, duke patur për mision që të edukonte brezin tim, brezin e fëmijëve të tyre, ia doli në krye jo vetëm me shumë pasion, por edhe me sakrifica. Ata na edukuan me shumë pasion, që ne ta shihnim demokracinë si sistemin më të mirë në histori. Për ta, demokracia ishte Mesia që solli lirinë e mendimit, pluralizmin, lirinë ekonomike dhe lirinë e zgjedhjes. Brezi im, i cili është lindur në vitet e para të tranzicionit, pra nga 1989, 1990, 1991, pati mundësinë të ishte dëshmitar okular gëzimin e njerëzve të cilët ishin më në fund të liruar prej zinxhirëve të së kaluarës. Sidoqoftë, jo gjithçka ishte kaq e bukur sa në këtë përshkrim të ngushtë. Teksa rritej, gjenerata ime e kuptoi se demokracia nuk ishte parajsa. Neve na është dashur të ecim përmes një shoqërie e cila ndryshonte nga muaji në muaj. Njerëzit shkonin e vinin si emigrant ilegalë në Europë, Sh.B.A, e kudo tjetër. Kishte njerëz që bëheshin milionerë Brenda natës, dhe të tjerë që varfëroheshin ditë pas dite. Probleme me sistemin shëndetësor, korrupsionin në gjykata, arsimimi i vjetruar dhe një klasë politike tejet neglizhente.

Për mua si adoleshent, e gjitha kjo ishte patjetër një makth. Kur hyra në gjimnaz, u njoha për herë të parë me parlamentin rinor, me klubin e debatit, me lëvizjen “Mjaft”, dhe me grupe të tjera rinore të cilat më njohën me jetën publike dhe shoqërinë civile në miniaturë. Që prej asaj kohe, të ndihmoj dhe sfidoj demokracinë, ka qenë një dimension i rëndësishëm në jetën time. Që prej asaj kohe, kam mundur të kontribuoj si vullnetar apo të organizoj dhe marr pjesë në një numër të madh aksionesh publike nëpër OJF, dhe iniciativa të tjera qytetare. Pasi mora një bursë studimi në Universitetin Europian të Tiranës, pata mundësinë që ta zgjeroja edhe më shumë rrjetin tim të aktivistëve. Në një prej ditëve intensive të prillit 2013, unë shkova të përfaqësoja jetën studentore të UET në një asamble të quajtur Kongresi Rinor Kombëtar. Ky kongres, ishte një iniciativë e Friedrich Ebert Foundation në Tiranë, mbështetur edhe nga Olof Palme Centre. Unë isha shumë i lumtur që shija bashkë miq dhe kolege prej rreth 30 OJF-ve dhe forumeve rinore të partive politike, nga e gjithë Shqipëria. Ishte një ngjarje që ma shtoi frymëzimin. Ky ishte grumbullimi më i madh që kishte ndodhur, që kur unë kisha marrë pjesë në shoqërinë civile aktive. Eventi na dha mundësinë që të shprehnim hapur mendimet tona dhe të flisnim me njëri – tjetrin për gjëra që secili prej nesh i konsideronte të rëndësishme për jetën e të rinjve në Shqipëri. Diskutimet ishin të gjalla dhe i konverguan të gjitha debatet tek tre çështje kryesore: – Problemet e një sistemi të vjetruar arsimor i cili as nuk është i orientuar kah tregu i punës; – Mos përfshirja e të rinjve në jetën politike; – dhe mungesa e jetës social-kulturore në qytete të tjera jashtë kryeqytetit.

Këto përfundime u pranuan si baza e përbashkët e punës për të gjithë ne aktivistët, dhe të gjithë bashkë pranuam të zgjidhnim disa prej nesh që të punonin më nga afër me këto çështje, dhe të përfaqësonin të gjithë kongresin. Ky grup prej 18 vetash, u zgjodh aty për aty me votim të hapur. Pas kësaj dite, unë nisa të mendoja për një grup të fuqishëm idealistësh të cilët do ta rigjallëronin shpirtin e shoqërisë civile të këtij vendi. Ne nisëm të takoheshim si grup për që prej fillimit kuptuam që do të hasnim vështirësi: 4 prej të 18-ëve nuk erdhën asnjëherë, 4 të tjerë punonin gjithë ditën dhe nuk ishin të gatshëm për asnjë përgjegjësi dhe 4 të tjerë jetonin jashtë kryeqytetit. Kështu që mbetëm 6 persona vetëm, të cilët mund të punonim më intensivisht. Sigurisht që përpara se të punonim publikisht, neve do të na duhej të bëheshim një grup prej vërteti. Një grup miqsh më shumë sesa kolegësh dhe një grup ekspertësh për gjërat për të cilat do të flisnim në publik. Kështu, nga maji e deri në tetor 2013, ne patëm mundësinë që të merrnim disa trajnime për t’u aftësuar në të folurën në publik, organizim dhe menaxhim, lobim dhe advokim, sistemi dual gjerman i arsimimit, etj. E megjithatë, sikurse e përmenda, ne nuk mundëm kurrë të mblidheshim si një Grup Pune i plotë. Gjatë nëntorit dhe dhjetorit ne provuam që të riorganizoheshim kështu që u ulëm dhe punuam për të ndërtuar një strukturë të qëndrueshme për kongresin që t’ua bënim gati pasardhësve tanë.

Duke patur parasysh se Kongresi i dytë po afrohej, ne punuam për të realizuar një mjedis sa më të mirë për këtë gjë. Më në fund në mars 2014 ne mundëm të organizonim Kongresin Rinor Kombëtar 2, i cili rezultoi të ishte i suksesshëm. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, na njohu si partnerët e saj zyrtarë mbi çështjet rinore dhe që prej asaj kohe ne kemi patur takime me stafin e tyre për t’i raportuar njëri-tjetrit zhvillimet më të fundit të proceseve rinore.

Tanimë, edhe kongresi i dytë po përballet me vështirësitë e veta të brendshme. Edhe pse personalisht jam larguar prej këtij grupimi, ende besoj dhe pres të shoh një reformë reale në sistemin arsimor, dhe një treg pune miqësor ndaj të rinjve i cili inkurajon zhvillimin e aftësive profesionale. Pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrjen politike është gjithashtu e rëndësishme dhe prandaj do të duhej që partitë kryesore të përfshijnë të rinjtë në strukturat e tyre drejtuese dhe listat zgjedhore. Unë shpresoj që veprimet e mia të sotme, veprimet tona të sotme të përmirësojnë së paku realitetin e ardhshëm. Sidoqoftë, puna dhe dedikimi, duhet treguar sot.