britain-protests-to-spain-over-gibraltar-diplomatic-bag-incidentValixhja Diplomatike është një term i përdorur në ligjin ndërkombëtar për të përkufizuar një element të imunitetit diplomatik. Transporti i sendeve dhe dokumenteve personale dhe shpesh të një rëndësie të lartë apo Top Secret, transportohet kësisoj. Valixhja apo çanta diplomatike, mund të mbajë brenda dokumente të tilla si për shembull letërkëmbimi zyrtar, dokumente shkëmbimesh zyrtare të nivelit të lartë, letra kredenciale, apo sende të cilat shtetet preferojnë t’i mbajnë në diskrecion. Më herët se kohët tona, mjetet e komunikimit që përdoreshin për arsye të ndryshme, transportoheshin pikërisht përmes çantës diplomatike.

Nëse valixhja diplomatike ka një shenjim të dukshëm që tregon statusin e saj, atëherë ajo bart me vete imunitet. Imunitet prej kontrollit apo përvetësimit. Përmasat e valixhes nuk janë të specifikuara e megjithatë prezumohet që gjithçka ndodhet brenda aty, do të përdoret vetëm për qëllime zyrtare. Valixhen diplomatike përgjithësisht e shoqëron korrieri diplomatik i cili gjithashtu bart imunitet prej ndalimit apo arrestimit ndërkombëtar.

Të gjitha këto sa më sipër, rrjedhojnë prej artikullit 27 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Në pikën 3 të këtij artikulli thuhet “Valixhja Diplomatike nuk mund as të hapet (kontrollohet) as të mbahet (përvetësohet, bllokohet, konfiskohet)”. Pika 4 thotë “ Pakot që përbëjnë valixhen diplomatike duhet të mbajnë shenjat e jashtme të dukshme sipas karakterit të tyre dhe duhet të mbajnë vetëm dokumente diplomatike ose sende të përdorimit zyrtar”. Më tej, në pikën 7 specifikohet se “ Valixhja diplomatike mund t’i besohet komandantit të një avioni tregtar, i cili do të zbresë në një pikë hyrje të autorizuar. Ky komandant duhet të jetë mbajtës i një dokumenti zyrtar ku tregohet numri i pakove që përbëjnë valixhen, por ai nuk konsiderohet si një korrier diplomatik. Misioni mund të dërgojë një nga anëtarët e tij për të marrë në dorëzim në mënyrë direkte dhe të lirë valixhen diplomatike nga duart e komandantit të avionit.”

Për sa i takon korrierit diplomatik që përmendëm më sipër, thuhet në pikën 5 dhe 6 se “Korrieri diplomatik që duhet të ketë një dokument zyrtar, i cili të vërtetojë cilësinë e tij dhe të përcaktojë numrin e pakove që përbëjnë valixhen diplomatike, në ushtrimin e funksioneve të tij, mbrohet nga Shteti pritës. Ai gëzon paprekshmërinë e personit të tij dhe nuk mund t’i nënshtrohet asnjë forme arrestimi ose burgimi”. “Shteti akreditues, ose misioni, mund të emërojë korrierë diplomatikë ad hoc. Në këtë rast, dispozitat e paragrafit 5 të këtij neni do të jenë gjithashtu të zbatueshme, nën rezervën se imunitetet që përmenden në të do të pushojnë të zbatohen menjëherë kur korrieri do t’i dorëzojë marrësit valixhen diplomatike të cilën e ka në ngarkim.

Ky kuadër ligjor ndërkombëtar, nuk ka qenë kaq i mirëpërcaktuar dhe i gjithëpranuar deri në vitin 1961, kur u shkrua kjo konventë. Gjithashtu, ky kuadër ligjor, nuk respektohet me rigorozitet prej shteteve, duke përfituar nga mundësia e moskontrollimit të valixhes. Në histori ka shembuj të shumtë të abuzimit të kësaj garancie ndërkombëtare. Shumë shpesh, abuzimi i çantës diplomatike shkon drejt kontrabandimit të drogërave, armëve apo veprave arti të kushtueshme. Këtë abuzim jo gjithnjë e bëjnë diplomatët më vete, por shpesh ka gisht edhe vetë shteti dërgues apo zyrtarë të lartë të caktuar. Komiteti Britanik i Çështjeve të Jashtme, në Dhomën e Komunëve, në raportin e vet të parë, shprehej se “ E vetmja mënyrë praktike për të zbuluar nëse valixhet diplomatike përmbajnë sende të ndaluara, është duke i përplasur ato përtokë gjatë shkarkimit prej avionit, me shpresën se do të çahen e do të hapen vetë.” .

Në vitin 1984, oficerë të doganës në Romë, po kontrollonin çantat e pasagjerëve, teksa dëgjuan zhurmë brenda një çante. Kjo çantë mbante mbi vete etiketën “Diplomatic Bag”, (Çantë Diplomatike), dhe i përkiste Ministrit të Jashtëm në Kairo, Kur ata e hapën, gjetën brenda një izraelit të droguar. Diplomatë koreano-veriorë, janë kapur duke kontrabanduar drogë në Oslo dhe Helsinki në 1976-ën.

Edhe pse valixhja diplomatike ka pësuar kaq shumë abuzime gjatë kohës, shtetet ende nuk kanë marrë asnjë masë për ta parandaluar këtë fenomen. Deri më sot, ende nuk është amenduar Konventa e Vjenës përkatëse. Edhe shtetet më vete nuk mund ta parandalojnë fenomenin, pasi do të duhej të shkelnin një parim tjetër, atë të reciprocitetit.

Kështu, valixhja diplomatike në histori, ka fituar më shumë reputacion negativ sesa respekt. Diplomatë të shumtë janë akuzuar sikurse thamë, për trafikim droge, për trafikim valute, armësh, madje edhe transportim njerëzish (sikurse u dha edhe së fundmi ideja për të zhvendosur edhe aktivistin Julian Assange nga ambasada e Ekuadorit në Londër, drejt Ekuadorit). Por sido që të zhvillohet ky fenomen, interesi i shteteve përkon me sensin e ndershmërisë njerëzore. Valixhja diplomatike dhe imuniteti i saj, duhet përdorur vetëm për motivet fillestare për të cilat ajo u krijua.

 

Bibliografia