Zgjedhjet presidenciale në SHBA tërhoqën vëmendjen më të madhe botërore se çdo herë tjetër. Nuk e them këtë vetëm në terma sasiorë, pasi me shifra, një planet që po shkon në 7.5 miliardë banorë, sigurisht që do të ketë një numër më të madh dhe një raport më të madh njerëzish që u japin vëmendje ngjarjeve botërore. Këto zgjedhje tërhoqën vëmendje për shkak të kandidatëve që secila parti kishte në garë. Partia Demokrate, pas një beteje të brendshme mes senatorit të pavarur nga Vermonti Bernie Sanders dhe Sekretares së Shtetit Hillary Clinton zgjodhi këtë të fundit si kandidate, pavarësisht lëvizjes së fuqishme që ndezi brenda të majtës amerikane platforma e senatorit socialist. Partia Republikane, pas një morie kandidatësh të cilët njëri pas tjetrit u tërhoqën pa arritur të fitojnë shumicën e votuesve brenda partisë, nominuan zgjedhjen e anëtarësisë së tyre, biznesmenin Donald Trump.

Clinton, në programin e saj politik, nuk paraqiti asnjë frymë ndryshimi prej drejtimit qeverisës që tashmë i kishte dhënë Amerikës për 8 vite presidenti Obama. Në fakt ishte Sanders ai që propozoi ndryshime të mëdha në qeverisje, duke propozuar një majtistizim të politikave publike në SHBA, mirëpo përtej votave të rinisë entuziaste, pjesa më e madhe e anëtarëve të pushtetshëm të partisë zgjodhën sekretaren Clinton. Trump u shqua që prej një viti e gjysmë më parë si një kandidat ekspresiv dhe ekcentrik. Ai u shpall dukshëm si një kandidat jo politikisht-korrekt. Kandidatët më racionalë brenda republikanëve ishin Ted Cruz dhe John Kasich, të cilët në fakt ishin të fundit që u dorëzuan.

Kësisoj, të majtët amerikanë u treguan më konservatorë në kandidimin e tyre ndërsa të djathtët, më revolucionarë. Mirëpo kjo ishte vetëm njëra prej disa përmbysjeve ideologjike për të dyja partitë. Në këtë rast, në metodologji, Hillary Clinton nuk u shfaq vërtetë si e majtë në ligjërimin e saj. Duket se Partia Demokratike, megjithë disa iniciativa të vogla të presidentit Obama, do të vazhdonte politikat Bill Clinton, politika tashmë të sprovuara, dhe jo efikase për një botë kaq dinamike. Në anën tjetër, Trump u shfaq si një kandidat i deklaratave në dukje të pakujdesshme, por që me sa duket reflektonin frustrimin e shumë qytetarëve amerikanë në raport me elitën e tyre qeversëse.

Partia Republikane, njeh më së shumti dy grupime brenda vetes: konservatorët, që janë krahu më fetar, që bën thirrje për më shumë moral në politikë, që bën thirrje për një frymë vëllazërie në popull, si Mitt Romney, Rick Santorum, Ted Cruz, Paul Ryan; dhe liberalët e djathtë të cilët fokusohen më shumë te një politikë e jashtme izolacioniste, që Amerika të mbyllet brenda kontinentit, që mbrojnë fort amendamentin e dytë kushtetues mbi të drejtën e çdo qytetari për të mbajtur armë, që nuk interesohen shumë as për moralin shoqëror dhe as për shtresën e ulët ekonomike, por kërkojnë që t’i japin më shumë stimul kapitalizmit ku mbijeton më i forti. Ky krah i dytë brenda partisë që më parë është përfaqësuar prej Ron Paul, Newt Gingrich apo Carly Firoina, më në fund ia doli të përfaqësohet nga Donald Trump.

Në këtë kuptim, republikanët e vërtetë, ata që i përngjajnë figurave të presidentëve të djathtë besimtarë, si Nixon, Reagan, G.H.W Bush apo G.W.Bush, apo kandidati Romney, nuk ia dolën të përfaqësoheshin. Kësisoj parashikohen dy skenarë:

Së pari, rezistencae republikanëve konservatorë do të konsolidojë një grupim të fuqishëm brenda republikanëve si një reaksion ndaj presidencës neo-liberale Trump, e cila do t’i keqpërfaqësojë.

Së dyti, Ata sërish do të grupohen, por në këtë skenar, jo për t’i bërë kundërshti Trumpit, por për t’i bërë presion në mënyrë që ai të jetë më konservator në qeverisjen e vet.

Kjo mundësi e dytë do të bënte që Trump të mbështeste të gjithë ata guvernatorë që do të përpiqen të kthejnë pas martesat brenda së njejtës gjini, të caktonte në Gjykatën Supreme gjyqtarë me bindje konservatore mbi shoqërinë, si dhe një politikë më tolerante ndaj emigantëve.

Fituan gratë, jo pse në pushtet erdhi një machist i pagdhendur si Trump, por sepse ato nuk do të përfaqësohen më nga Hillary Clinton. Ajo u bë më burrë se burrat në të gjitha betejat e saj si politikane, si në senat, ashtu edhe si sekretare shteti. Ajo u burrëzua, në kuptimin e keq të fjalës në fushatën e urrejtjes politike që nxiti drejt senatorit Obama, asokohe në betejën për kandidaturën demokrate në 2007-2008.

Duke luajtur kartën e feminizmit e duke vendosur hedhur në lojë si asetin e saj më të rëndësishëm gjininë e saj, ajo në fakt, vetëm e shpërdoroi aspiratën për një përfshirje më të gjerë të grave në jetën publike. Duke u shfaqur si përfaqësuese e një gjinie të pavlerësuar sa ç’ duhet, ajo u propozua si modeli i gruas së suksesshme në politikë. Në fakt, e skusesshme ajo ishte vetëm si inerci e një krediti politik i përfituar prej të shoqit. Hillary nuk do të mbahet mend për asnjë tezë ideologjike, dhe as për ndonjë politikë publike që “… gjynah që nuk u vu në jetë”. Në realitet si politikane ajo ishte veç një dështim. Për këtë arsye, humbja e saj, mund të konsiderohet edhe si çlirim i grave nga një përfaqësim i padenjë.