Stanley Kubrick një prej regjisorëve më të mëdhënj të të gjitha kohërave njihet për gjenialitetin e tij estetik. Mirëpo përveçestetikës ai gjithnjë ka ditur të përçojë përmes veprave të tij edhe ide të fuqishme politike. Në zemër të Luftës së Ftohtë në vitin 1964 ai prodhoi një film me titull “Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb” që është edhe titulli i këtij shkrimi.

Në këtë film që është një prej më të rekomandueshmëve të të gjitha kohërave, përçohet mesazhi politik më i fuqishëm i luftës së ftohtë. Tregohet se si çmenduria e garës së armatimeve dhe frika e përgjithshme ndaj bombës atomike mund t’i sjellë fundin botës qoftë edhe përtej vullnetit njerëzor. Historia që tregohet në film është e tillë: Në dhomën e luftës së presidentit amerikan janë mbledhur krerët më të lartë të ushtrisë dhe të sigurisë kombëtare. Një general e kthen një fluturim stërvitor në një mision për të lëshuar një bombë atomike në B.R.S.S. Avioni që mbante bombën humbet të gjitha kontaktet radio dhe vijon të zbatojë urdhrin e fundit që kishte marrë, të lëshonte bombën. Në diskutim me ambasadorin rus, komiteti i sigurimit me presidentin në krye mësojnë se rusët kanë ndërtuar një “Doomsday Machine” (makineri e shfarosjes totale) e cila ishte automatike dhe e pakomandueshme. Nga frika e një sulmi amerikan, rusët kishin shpikur makinerinë e shfarosjes e cila do të lëshonte në të gjithë botën bomba bërthamore nëse një bombë e vetme binte në terriotrin sovjetik. Filmi mbyllet me aviatorin që kalëron mbi bombën atomike në rënie e sipër sikur të kalëronte në rodeo.

Në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, detanta konsiderohet fenomeni i tërheqjes reciproke gjatë luftës së ftohtë ku të dyja palët, duke ditur fuqinë shfarosëse të palës tjetër, hezitonin të sulmonin në vazhdimësi në një paqe të pacënuar prej frikës. Pra detanta do ta kishte bërë të pamundur një “Doomsday Machine”. Kjo detantë, në filmin që sollëm më sipër, prishet për shkak se një prej lojtarëve, pala amerikane në këtë rast, humbet racionalitetin dhe lëshohet emocionalisht mbi kundërshtarin. Kështu, përmes “makinerisë së shfarosjes totale” ndodh shkatërrimi i gjithanshëm.

Vendosja e çadrës së opozitës më sheshin para kryeministrisë, është pikërisht lëshimi pa frena i një “bombe atomike” ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Nëse gjatë katër viteve të fundit nuk ka pasur asgjë përveçse një lufte të ftohtë, luftë deklaratash e akuzash, sot, në shesh është ngritur një çadër proteste, opozita është tërhequr nga parlamenti, Lulzim Basha ka bërë thirrje për dhunë. Qeveria Rama, u kap thuajse e papërgatitur për këtë lëvizje dhe ende nuk ka marrë një vendim për lëvizjen e saj të shahut, është ende në vlerësim e sipër të situatës. Kështu që, pas lëvizjes së Bashës, pritet lëvizja e Ramës. Në varësi të lëvizjes së Ramës, do të duhet të analizojmë disa skenare.

Ka dy skenare kryesore nëse nuk zgjidhet kriza: a) Paçka protestës, KQZ organizon zgjedhjet normalisht duke e lënë opozitën ta bojkotojë procesin, dhe praktikisht do të kemi një parlament me 140 deputetë që ashtu sikurse qeveria janë nën urdhrat e Ramës. Nëse kjo ndodh, jemi futur të gjithë në një rrugicë pa krye dhe do të na duhet t’i biem murit me kokë për një kohë të gjatë. b) Qeveria, do të tërhiqet dhe do të pranojë se nuk mund të hyjë në zgjedhje pa opozitën. Këtu, presidenti i republikës do të duhej të dekretonte shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare dhe të niste një proces dialogu me të gjitha palët politike duke marrë rolin e menaxhuesit dhe zgjidhësit të krizës.

Nëse palët takohen (Rama dhe Basha) ka dy mundësi kryesore: a) Qeveria do të plotësojë të gjitha kërkesat e opozitës, duke iu përgjigjur blofit dhe do të shfaqë forcën e saj sikur të dontë të thoshte “ne i fitojmë sërish zgjedhjet me gjithë se kushtet e lojës do t’jua lemë t’i përcaktoni ju”. b) palët bien dakord që të krijohet një koalicion qeverisës me bazë të gjerë pozitë+opozitë për mandatin e ardhshëm.

Mirëpo të gjitha këto janë të mundura deri sa Rama të bëjë lëvizjen e tij. Duhet pranuar ama se protesta e Bashës është asimetrike. Nga njëra anë ka ftuar në takimet brenda çadrës disa prej intelektualëve më të rëndësishëm në qytet, të cilët kanë analizuar dështimet e shtetit në mandatin e qeverisë Rama. Nga ana tjetër, qytetarët nuk iu kanë bashkuar çadrës, ngase në çadër gjen vetëm militantë. Basha duhet të kuptojë prej kësaj se nëse partia nuk zhvillon betejat e qytetarëve nuk mund të presë kurrsesi që qytetarët të marrin pjesë në betejën e partisë.