Protesta e organizuar nga opozita më 18 shkurt të këtij viti dhe vazhdimi i saj deri më sot, mbetet çështja politike kryesore në vend, jo vetëm e këtij viti, por ndoshta që prej ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës. Në këto muaj të parë të vitit kryeministri Rama thuajse nuk është dukur në seancat plenare të kuvendit. Instalimi i çadrës së protestës përpara kryeministrisë, duket se ishte një lëvizje e paparashikuar prej tij. Kësisoj, ai është shprehur fare pak rreth kësaj proteste. Pamundësia për të dhënë një përgjigje ndaj protestës, fakton pikërisht këtë mosparashikim. Sidoqoftë, kryeministri është shprehur më shumë përmes gjesteve se ai e mbështet të drejtën e opozitës për të bërë protestë.

Alain Finkelkraut, në veprën “Nën hijen e një fjale të madhe” thotë se “… individi postmodern e ka harruar se … liria nuk është thjesht mundësia për të ndërruar kanalin e televizorit”. Kësisoj, mbështetja e të drejtës për të protestuar është iluzion i dhënies së të drejtës. Për të qenë hakdhënës duhet të themi edhe se plotësimi i të gjitha kërkesave të opozitës nuk do të ishte më pak i padrejtë për procesin, ndaj balancën në këtë rast do ta vendoste dialogu.

Mirëpo nëse opozita vendosi kërkesën për qeveri teknike si kushtin kryesor për vijimin e procesit politik në vend, kabineti qeverisës duke bërë politikë dhe jo politika, vendosi si kusht për pranimin e kushtit, votimin e ligjit “për vettingun”, siç njihet gjerësisht. Kjo fjalë e madhe u përpoq të linte në hije një çadër të vogël, por deri më sot nuk ia doli, ngase kushti i opozitës ka rrjedhim të drejtëpërdrejtë me portestën, ndërsa kushti i qeverisë nuk ka as korelacion me hapjen e dialogut mes palëve.

Në kushtet kur mandati i kësaj qeverie mbyllet duke mos plotësuar asnjë prej premtimeve madhore të fushatës së 2013-ës, Rama dhe qeveria e tij janë përballë një qorrsokaku. Veprimtaria kryeministrore në këto muaj parazgjedhor duket se do t’ia lerë vendin veprimtarisë politike partiake. Sikurse kemi qortuar edhe në vëzhgimet tona të para 2 viteve në zgjedhjet lokale, kryeministri do të heqë kollaren dhe do të veshë xhupin sportiv, si një provë e pandërgjegjshme se tanimë ai do t’i shërbejë partisë mbi të gjitha.

Ndryshimet në qeveri, janë gjesti më i pandershëm ndaj popullit, i cili sa herë të përballet me zyrat e administratës publike nga sot, e deri në tetor kur rifillohet nga puna, do të përplaset me dyert e mbyllura.