Mustafa Nano e quan shkrimin tuaj tek Mapo, të tmerrshëm. Cili është komenti juaj?

Z. Mustafa, nuk thotë asgjë tjetër veç kësaj. Ai nuk paraqet asnjë kundërtezë ndaj tezës sime, e aq më pak një tezë të vetën. Shpresoj që z. Mustafa të përpiqet ta kuptoje racionalisht argumentimin tim, dhe jo të bjerë pre e impresioneve formale.

 Mustafa Nano thotë se e shqeteson urrejtja dhe guximi juaj i pacipë. Po juve, çfarë ju shqetëson?

-Sigurisht që unë nuk kam asnjë urrejtje ndaj homoseksualëve, sikurse kërkon të thotë z. Mustafa, përkundrazi unë besoj që në sytë e Zotit të gjithë janë të barabartë si krijesat e tij, pavarësisht se disa mund ta kenë humbur rrugën. Ajo që unë kundërshtoj, është axhenda politikisht e dhunshme e homoseksualistëve.
Sa i takon guximit tim, duhet të sqaroj se nuk e nisa dje të shkruaj për çështje që  i shërbejnë shoqërisë. Unë besoj se me shkrimet e mia anti-homoseksualiste sikurse kam bërë për çdo vit që prej 2012-ës, jam duke bërë një shërbim publik. Aspak nuk më surprizon etiketimi i z. Mustafa, sepse e njoh se çfare artisti është.

Ju keni tendenca gay, që doni t’i shtypni, siç aludon Nano?

– Kjo pyetje është e papranueshme, sikurse edhe aludimi i z. Mustafa.

Brenton, jeni homofob?

-Të jesh homofob, në aspektin etimologjik, do të thotë të kesh patologjikisht frikë ndaj njeriut. Kjo është praktikisht e pamundur, pasi të gjithë njerëzit janë krijuar si qenie shoqërore. Në aspektin social, të jesh homofob do të thotë të kesh frikë homoseksualët, dhe unë as i kam frikë, e as duhet të më kenë frikë. Një besimtar është ama për definicion anti-homoseksualist, ngase nuk ka asnjë shkrim të shenjtë, të cilitdo religjion, që të mos e dënojë këtë fenomen e aq më tepër promovimin e këtij fenomeni. Ky term po përdoret gjithnjë e më shumë për të stigmuar njerëzit si unë, si njerëz të prapambetur, të paemancipuar dhe që nuk e duan modernen dhe progresin. E gjithë kjo është një manipulim ligjërimor.

Cili është problemi juaj me personat gay?

-Problemi im jo thjesht si individ, por si një individ politik, shkaktohet prej tyre jo si individë, por si individë politikë. Që do të thotë se për aq kohë sa ata duan të çojnë përpara një axhendë publike që u leverdis, unë dëshiroj të çoj përpara vlerat në të cilat aderoj. Mjetet e mia të vetme në këtë përplasje janë argumentet dhe forca e besimit. Nëse i ktheheni shkrimit tim te fundit do të shihni që gjithçka unë bëj thirrje, është për më shumë besim në vlera tradicionale.

Është keqkuptuar shkrimi juaj apo ky qe qëllimi?

– Z. Mustafa as nuk e ka kuptuar shkrimin tim. Dukshëm ai dhe të tjerë si ai, gjykojnë se mendimi im nuk është në modë, por kurrsesi deri më tani nuk më ka sjellë ndokush ndonjë kundërtezë në nivel filozofik, ligjor, apo akademik. Kësisoj, sikurse ata kanë lirinë ta mos pëlqejnë besimin tim dhe vlerat që unë kërkoj të promovoj, edhe unë kam të drejtën që t’i mbroj ato ashtu, sikurse janë mbrojtur prej mendjeve më të mëdha të njerëzimit në shekuj.