Dhuna në ligjërimin politik ndërkombëtar

Minni_Minnawi_and_George_W_Bush_(cropped)Ligjërimi politik ndërkombëtar, përcakton thelbësisht realitetin social botëror. Do të shohim konkretisht elementet mediatike që rrethuan ngjarjet e dhunës në kryeqytetin e Sudanit, Darfur, për të vërtetuar se si kjo premisë rezultoi të ishte e saktë edhe në këtë rast. Veç kësaj, do të përpiqemi të ekzaminojmë sjelljen e elitës politike botërore ndaj problemit, si dhe argumentet dhe etiketimet e përdorura. Pyetja më boshtore në rastin tonë studimor është: Si mund ta legjitimojë ligjërimi publik ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare? Këtë pyetje do ta kemi ezauruar përmes përshkrimit, analizimt dhe evidentimit të teknikës së ligjërimit politik.

Një përmbledhje përshkruese e luftës në Sudan, do të na ndihmonte të nisnim një analizë për konfliktin e dhunshëm në Darfour. Lufta në Sudan nisi në shkurt të vitit 2003, kur një grup paraushtarak që e quan veten Fronti Çlirimtar i Darfurit mori përsipër një sulm në godinën e administratës lokale të Rajonit Marrah (Straus, 2005). Këta rebelë (sikurse u quajtën menjëherë prej qeverisë sudaneze në Khartoum, kishin kryer sulme të armatosura edhe një vit më parë në fillim të vitit 2002. Në prill të vitit 2003 pasi rebelëve u ishte bashkuar edhe një grupim tjetër nomad i quajtur Janjaweed, konflikti shkoi edhe më thellë, kur këta të fundit përdhunuan dhe vranë në rajonin e Darfurit qindra gra dhe fëmijë (Curry, 2006). Konflikti u prezantua si një përplasje identitetesh duke qenë se rebelët kërkojnë që Darfuri të jetë një rajon pa zezakë, dhe pa jo-arabë. Sigurisht që Sudani, duke përjetuar një luftë civile për dy dekada rresht, ende nuk kishte nisur të stabilizohej kur ky konflikt i ri nisi. Lufta civile pati shkaktuar ndarjen e Sudanit në dy shtete: Sudani i Veriut dhe Sudani i Jugut. Një prej shkaqeve kryesore të luftës civile ishin burimet e naftës. Këto burime gjenden më së shumti në Sudanin e Jugut ndërkohë që porti më i madh i Sudanit me dalje në Detin e Kuq ndodhet në Sudanin Verior. “Për shkak të vendndodhjes së burimeve dhe nevojës për eksport, konflikti midis dy palëve u bë i paevitueshëm” (Borneskog, 2012: 10)

Kur një krim apo masakër tërheq vëmendjen e liderëve botërorë, menjëherë, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe sidomos media nisin debatet se si duhet etiketuar ngjarja. Shumicën e kohës debatet shndërrohen në një ligjërim që përcakton ngurtë përkufizime dhe klasifikime të reja. Sigurisht që ky ligjërim shpesh nxit ndërhyrjet ndërkombëtare, dhe kjo ndodh për shkak se ligjërimi ka aftësinë për të ndërtuar veprime. Ligjërimi e zotëron këtë aftësi pasi gjuha e përdorur ofron interpretime, dhe interpretimet udhëheqin të menduarit. Mendimit kësisoj krijon opsione të veprimit. Konstruktivizmi është një teori e cila të ndihmon të kuptosh në disa dimensione interpretimin e një masakre të tillë. Kjo pasi nxit krahasimin mes interpretimeve në ligjërim dhe përkufizimeve të dhëna rreth gjenocidit apo krimeve të luftës. Me anë të kësaj teorie, mund të shohim më nga afër se si identiteti kolektiv është një faktor kyç në përcaktimin e sjelljes së një grupi apo një shteti. Ky identitet në vetvete mbarset prej besimeve tradicionale, normave dhe jetës së përditshme. “Për konstruktivistët, fuqia nuk është e limituar tek indikatorët materialë” (Eriksson, 2009: 89-90). “Konstruktivistët, përveç fuqisë politike, ushtarake dhe ekonomike, theksojnë me vend edhe fuqinë e ligjërimit” (Mingst dhe Arreguin-Toft, 2011:84-87). Prej fjalëve të vetë konstruktivistëve mund të kuptojmë se marrëdhënia mes realitetit social dhe atij material, ka rëndësi të dorës së parë.

Edhe në Konfliktin e Darfurit debatet shkuan drejt dy çështjeve kryesore. Së pari si do të përkufizoheshin dhe interpretoheshin masakrat, dhe së dyti si duhej paraqitur ndërhyrja ndërkombëtare. Për çështjen e parë, opsionet për ligjërim ishin ose etiketimi ‘gjenocid’, ose krime ‘kundër njerëzimit’ ose ‘krime lufte’ ose ‘spastrim etnik’. Për çështjen e dytë duhej dhënë një përgjigje bindëse për kohën dhe mënyrën e ndërhyrjes. “Ligjërimi për Konfliktin e dhunshëm në Darfur provokoi implikime të tjera që e shtuan kompleksitetin e çështjes dhe pasojat e tij” (Grzyb, 2009: 10). Konflikti në Darfur ka padyshim elemente të një masakre, mirëpo nëse këtë masakër do ta përkufizonim shkencërisht në Marrëdhëniet Ndërkombëtare (si disiplinë), atëherë do të thoshim se ‘situata në Darfur ka elemente të fushatave të spastrimit etnik dhe të përplasjes së identiteteve fetare’. Sidoqoftë kjo nuk ndodhi në ligjërimin politik botëror. Në vend të këtij versioni, u përdor termi ‘gjenocid’ i cili në disiplinën tonë nënkupton ‘dhunë politike ndaj një grupi të caktuar të popullsisë që realizohet përmes mjeteve ushtarake nga qeveria në pushtet’ (Miles, 2006: 252)

Nëse marrim në analizë ligjërimin politik, mund të gjejmë në raportin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një përcaktim shumë eksplicit të Konfliktit të dhunshëm. Në këtë raport thuhet se “Paçka vendosmërisë së treguar në komunikatën për çarmatosjen e Janjweed-ëve, qeveria (sudaneze) ka deklaruar se nuk ka asnjë kontroll apo influencë mbi ushtarakët e akuzuar për sulme ndaj civilëve dhe masakra të tjera në Darfur” Këshilli i Sigurimit OKB, 2004: 5). Colin Powell, i cili në atë kohë ishte Sekretar Shteti i Sh.B.A-së, ishte edhe zyrtari i parë i administratës amerikane që i etiketoi masakrat në Darfur si ‘gjenocid’. Në shtator të vitit 2004 ai deklaroi “Ne kemi dalë në përfundimin që në Darfur është kryer një gjenocid dhe për këtë mban përgjegjësi qeveria e Sudanit dhe Janjaweed-ët” (BBC News, 2004). Ky qëndrim zyrtar influencoi shumë debatet dhe idetë që qarkullonin asokohe. Aq sa OKB-ja ngriti një komision për të hetuar më tej mbi ‘gjenocidin’. Shumë OJQ ndërkombëtare, ia dolën ndërkohë, që ta sillnin Darfurin në vëmendje të mediave botërore. Mirëpo “vëmendja e plotë mbi Darfurin erdhi vetëm në vitin 2005, kur masakra ishte në nivele shumë të ulëta dhe në zbritje” (Mamdani, 2009).

Roli i medias u bë aq i dukshëm saqë për kolumnistin e New York Times-it, Nicholas Kristof, u tha se kishte në dorë shpëtimin e jetëve të qindra mijëra sudanezëve (Frederick, 2005:22). Pasi debatet, analizat, idetë, përplasjet, qëndrimet dhe deklaratat qarkulluan vazhdimisht dhe vazhdimisht në teatrin e politikës botërore, në vitin 2007 në mbledhjen nr. 5727 të Këshillit të Sigurimit, u aprovua një operacion ndërhyrjeje i cili do të hibridizonte paqeruajtjen në Darfur, si një bashkëpunim mes Unionit Afrikan dhe OKB-së. Misioni Paqeruajtës mori emrin UNAMID. (Raporti i KS të OKB-së, 2007c). “26 mijë trupa policore dhe ushtarake do të veprojnë si misioni më i madh paqeruajtës në botë” raportonte BBC në 2007-ën. Ndërkohë që raporti i OKB-së së 2005-ës e refuzonte etiketimin dhe faktonte mungesën e evidencave për ‘gjenocid’, por ndërkohë përshkruante qëllimin e qeverisë në pushtet si një tentativë për t’i margjinalizuar grupet etnike dhe fetare (Flint and De Waal 2008).

Ajo që ndodh praktikisht, kur flet për diçka në një mënyrë të caktuar, është që këtë diçkanë nis dhe e trajton ashtu sikurse edhe e ke etiketuar. Në rastin tonë, pasi Konflikti i dhunshëm në Darfur u trajtua në ligjërim si ‘gjenocid i qeverisë mbi civilët’, edhe ndërhyrja ushtarake u ndërmor në këtë frymë. Duke u prezantuar si një çështje me rëndësi ndërkombëtare, edhe veprimet ushtarake të ndërhyrjes vepruan në këtë frymë. “Në raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së rreth Konfliktit në Darfur theksohet vazhdimisht se ‘qeveria ka për detyrë mbrojtjen e popullatës’ “ (Borneskog, 2012: 50).

Si përfundim, në këtë konflikt, palët kryesore që u etiketuan si përgjegjëse janë: Qeveria e Sudanit, Janjaweed-ët, Ushtria e Sudanit, dhe grupet e armatosura rebele. Sapo na kërkohet të përfytyrojmë një ‘gjenocid’, ne nisim të mendojmë për rastet më të dhimbshme të historisë njerëzore. Kësisoj, pa pasur informacion tjetër përveç etiketimeve në ligjërim, opinioni publik, nis të krijojë brenda vetes një ndjenjë legjitimimi ndaj cilavedolloj masash që do të ndërmerren për ta ndalur ‘të keqen’. Ligjërimi në Rastin e Darfurit na tregon sesi fjalët mund të ndërtojnë dhe mund të shkatërrojnë.

Kur liderët botërorë flasin për dhunën me një etiketim të njëzëshëm, ata janë jo vetëm në gjendje, por janë të detyruar që ta trajtojnë atë ashtu sikurse e përshkruajnë. Për Holokaustin njerëzimi ka thënë (me gojën e elitës) Never again! (Kurrë më!). E megjithatë historia na ka treguar se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë, në Ruandë, në Darfur dhe në shumë vende të tjera. Teksa elita e liderëve politikë ulet dhe interpreton, përkufizon dhe etiketon, njerëzit vuajnë dhe vdesin prej mungesës së ndërhyrjeve të duhura, ose në raste të tjera prej ndërhyrjeve artificiale. Elementet e viktimizimit në ligjërim, mund të shpjegohen më gjerë edhe në dimensionet psikologjike dhe sociologjike.

 

 

 

  1. BIBLIOGRAFIA

 

  • BBC News 2004. Powell etiketon ‘gjenocidin’ në Sudan. http://news.bbc.co.uk/2/hi/africa/3641820.stm. Parë për herë të fundit më 7 shkurt 2015.
  • Borneskog, Annalinn. (2012) A discourse analysis on the Darfur Conflict. PDF
  • Curry, Ann. “Sudanese Wield Rape As A Weapon of War”. NBC News.
  • Eriksson, J., (2009). In: J. Gustavsson & J. Tallberg, eds. 2009. Internationella relationer. 2nd ed. Lund: Studentlitteratur. Ch.5. Versioni spanjisht. PDF
  • Flint, Julie dhe Waal, Alex de. (2008) Darfur: A New History of a Long War (African Arguments). PDF.
  • Frederick, Brian. (2005). Genocide v. Civil Conflict: Comparing Coverage of the Darfur Crisis in the New York Times and the People’s Daily. PDF
  • Mamdani, Mahmood. (2010). Saviors and Survivors: Darfur, Politics, and the War on Terror.
  • Miles, William F.S. (2006) Labeling ‘‘Genocide’’ in Sudan: A Constructionist Analysis of Darfur. Genocide Studies and Prevention: An International Journal. Volume 1. Issue 3. Article 4. PDF
  • Mingst, A.K. & Arreguín-Toft, M.I., (2011). Essentials of International Relations. 5th ed. New York: W.W. Norton & Company. PDF
  • Straus, Scott (January–February 2005). “Darfur and the Genocide Debate”.Foreign Affairs84 (1): 123–133.  PDF
  • UN Security Council, 2004d. Raport i Sekretarit të Përgjithshëm paragrafët 6-13. Rezoluta 1556 (2004). 30 Gusht 2004, S/2004/703. PDF